MENU
klinika

Raporti i Progresit të Ballkanit

Osmani: Kosova e ka prioritet anëtarësimin në BE

19.10.2021 - 21:57

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se shteti që udhëheq ajo, e ka prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se askush nuk mund të ndalë vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për sundim të ligjit dhe për të mbrojtur integritetin e institucioneve.

Ajo i ka bërë këto komente teksa ka pranuar Raportin e Progresit – të përpiluar nga Komisioni Evropian – për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Osmani e ka pranuar raportin në një takim që ka pasur me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ajo e ka mirëpritur rikonfirmimin e mbështetjes së Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, dhe ka thënë se liberalizimi është proces qenësor për ruajtjen e kredibilitetit të BE-së në raport me zbatimin e politikës së zgjerimit.

Raportin e ka pranuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti ka konsideruar se në gjashtëmujorin e dytë, Kosova ka shënuar shumë përparim, periudhë kur ka nisur udhëheqjen Qeveria e tij.

“Në këta gjashtë muaj të Qeverisë, kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve, që përbën progres të madh shoqëror, që do ta kishin zili, jo vetëm e rajonit, por edhe jo pak vende të Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti, në konferencë për media.

Ky raport përfshin gjetjet për të gjitha vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Në raportin e këtij viti është parë përparim i kufizuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Dokumenti është prezantuar nga Komisionari evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Gjatë prezantimit, Komisionari Varhelyi ka thënë se politika e BE-së për zgjerimin është interes strategjik i bllokut evropian për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

Raportet janë hartuar për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Bosnje- Hercegovinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë) si dhe Turqinë.

Ky dokument, si në vitet e mëparshme, ka paraqitur një pamje gri të situatës, veçanërisht në fushat kryesore, siç është sundimi i ligjit. Progresi në këtë fushë është vendimtar për secilin vend për të bërë përparim në procesin e pranimit.

Në raportin e këtij viti është thënë se Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Sipas raportit, jostabiliteti politik dhe pandemia kanë ndikuar në përparim të kufizuar sa i përket agjendës së reformave evropiane të Kosovës.

Aty është përmendur edhe jostabiliteti politik në Kosovë, më konkretisht “atmosfera polarizuese politike”.

Komisioni Evropian ka theksuar edhe situatën në veri të Kosovës, sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe sipas tij, situata në këtë pjesë është ende sfiduese.

Bashkimi Evropian beson se Kosova ka disa nivele të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, ndonëse në faza të hershme.

Komisioni Evropian, megjithatë ka thënë se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, “veçanërisht në rehabilitimin dhe riintegrimit të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre”.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka pasur kritika për sistemin gjyqësor, pasi sipas tij, administrimi i drejtësisë vlerësohet se vazhdon të jetë “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve politike”.

Si pikë pozitive është parë Strategjia për Sundimin e Ligjit dhje Planin e Veprimit, që është miratuar në gusht të vitit 2021./REL

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat