MENU
klinika

Fushëbeteja do të jetë Arktiku

Rusia “luftë” me Evropën pas krizës së gazit

16.10.2021 - 13:39

Një luftë e re e ftohtë mund të nisë mes tensioneve politike ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Rusisë për energjinë, e fushëbeteja, sipas analistëve, do të jetë Arktiku.

BE-ja paraqiti së fundi një propozim që parashikon ndalimin e kërkimit në rajonin e acartë për naftë e depozita gazi, në përpjekje për ta mbrojtur në një kohë kur po vuan prej ndryshimeve klimatike.

Rusia, që kontrollon një pjesë të mirë të këtij territori ku ka me bollëk hidrokarbure nuk është aspak e kënaqur me një nismë të tillë të cilën zv/kryeministri rus Alexander Novak e përshkroi për CNBC si “të motivuar politikisht, e ne thelb, të pakuptimtë”.

U befasova shumë kur e dëgjova, Po mirë, përse Arktiku dhe jo Ekuatori? Kushedi sa vende ka nëpër botë ku prodhimi i naftës e gazit duhet të ndalohet. Ky propozim nuk ka asnjë motivim tjetër përveç atij politik. Çfarë na thonë këto deklarata, se ne duhet të ndalojmë nxjerrjen e të gjithë gazit të gjetur në këtë moment? Kam përshtypjen se ata që hedhin ide të tilla, janë krejtësisht jashtë realitetit”, u shpreh ai.

Drafti vjen në një kohë tensionesh mes Moskës e Brukselit kur vjen fjala tek energjia, e sidomos gazi natyror.

Çmimet e tij janë rritur në të gjithë Evropën mes furnizimeve të tkurrura, dhe ndonëse Rusia thotë se po i  hap rubinetat e gazit, kritikët thonë se në fakt, është duke i përdorur eksportet e tij në rajon për qëllime politike, në përpjekje sidomos për ta detyruar Gjermaninë ta certifikojë sa më shpejt gazsjellësin Nord Stream 2.