Teksa pothuaj ka mbaruar procesi i numërimit në Kosovë, me 99.8 të votave nga qendrat e numërimit, rezulton se 21 nga 38 komuna kanë shkuar në balotazh. Në këto 21 qendra komunale do të ketë një raund tjetër votimesh, ndërsa janë zgjedhur drejtuesit lokalë për 17 komuna të tjera.
Surpriza ka ardhur nga Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), sipas rezultateve paraprake, nuk ka arritur të fitojë në asnjë komunë të Kosovës.
Duhet thënë se fituesja e këtij raundi të zgjedhjeve është Lista Serbe, e cila fitoi nëntë komuna nga 10 ku garonte. E dyta është Partia Demokratike e Kosovës e cila në këto zgjedhje fitoi pa balotazh në Skenderaj, Mitrovicë, Ferizaj, Kaçanik e në Han të Elezit.
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka fituar në Pejë e Lipjan, ndërsa po aq komuna sa LDK-ja ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila arriti ta mbajë pushtetin në Suharekë e Deçan.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 21 komuna do të shkojnë në balotazh, mes tyre të gjitha komunat e mëdha përveç Mitrovicës e Pejës. Në procesin e votimit sipas KQZ, pjesëmarrja ishte 43.5 % të votuesve.
Komunat që shkojnë në balotazh
Gjakova (AAK-LVV)
Gjilani (LVV-LDK)
Dragashi (PDK-LDK)
Klina (AAK-PDK)
Kamenica (PSD-LVV)
Podujeva (LVV-LDK)
Prishtina (LVV-LDK)
Prizreni (LVV-PDK)
Vitija (LDK-LVV)
Vushtrria (PDK-LDK)
Malisheva (Nisma-PDK)
Juniku (AAK-LDK)
Mamusha (KDTP-KATP)
Gllogovc (PDK-DD)
Kllokot (Lista Serbe-GI SNS)
Istog (LDK-AAK)
Shtime (PDK-LVV)
Rahovec (AAK-LVV)
Fushë Kosova (LDK-LVV)
Obiliqi (IQO-LVV)
Kaçanik (PDK-LVV)