Gjermania i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të “ndërmarrë veprime” të menjëhershme për të ndihmuar në parandalimin e një fluksi masiv emigrantësh, pas grumbullit të tyre në kufirin Bjellorusi-Poloni.
“Polonia apo Gjermania nuk mund ta trajtojnë problemin e emigrantëve të vetëm,” tha ministri i Brendshëm Horst Seehofer për Bild, duke i bërë thirrje BE-së të formojë një “front të përbashkët”.
“Ne duhet të ndihmojmë qeverinë polake të mbrojë kufijtë e saj të jashtëm. Kjo duhet të jetë një çështje e Komisionit Europian, prandaj duhen të merren masa të menjëhershme”, këmbënguli ai.
Komentet e tij erdhën menjëherë pasi Polonia tha se kishte penguar qindra emigrantë të kalonin kufirin e saj me Bjellorusinë ilegalisht dhe se mijëra të tjerë ndodheshin në kufirin e jashtëm të BE-së. BE-ja ka akuzuar presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko për transportin e emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika në Minsk, kryeqyteti i vendit, dhe më pas i dërgoi ata për të kaluar kufirin në Bashkimin Europian në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura ndaj qeverisë së tij nga Brukseli për shtypjen e opozitës bjelloruse.
Lukashenko i ka mohuar akuzat. Përballë krizës në rritje, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u bëri thirrje shteteve anëtare të BE-së që të miratojnë vendosjen e sanksioneve të reja.
“Instrumentalizimi i emigrantëve për qëllime politike është i papranueshëm”, tha presidentja e komisionit në një deklaratë për shtyp.
Përveç vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Minskut, ai theksoi se BE-ja “do të shqyrtojë se si të vendosë sanksione ndaj linjave ajrore të vendeve të treta” që transportojnë emigrantë në Bjellorusi.
Gjermania, e cila kufizohet me Poloninë, ka parë një rritje të mprehtë të numrit të emigrantëve nga Bjellorusia. Sipas autoriteteve gjermane, vetëm në tetor, numri arriti në 5000. Berlini u përgjigj duke rritur kontrollet kufitare me Poloninë dhe duke vendosur oficerë të tjerë policie atje.
“Gjermania mund të dërgojë forca policore për të ndihmuar Poloninë, nëse ajo dëshiron,” tha Varshava për Bild.