MENU
klinika

Mentor Nazarko

Kosova dhe Shqipëria në Ballkanin e hapur: përpjekje për mirëkuptim

05.11.2021 - 11:04

Nga Mentor Nazarko

Arsyet që qëndrojnë mbrapa refuzimit të disa shteteve, për të mos marrë pjesë në Ballkanin e hapur, thotë kryeministri Rama në Beograd, janë arsyet e mosarsyes… Në fakt ky kërkim politik i arsyeve të Kosovës, që duhet të ngjajë si ftesë e hapur, mbase është pak i tepruar.   I gjendur në Beograd, ku për herë të dytë po eksperimenton përfshirjen e grupeve të biznesit në Inisiativën që hëpërhë është trepalëshe,  Rama, ka të gjitha arsyet për të qenë i durueshëm me Kosovën, posaçërisht, ndërsa Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e mbështesin me moderacion: ok Ballkani i hapur, nëse ësht përfshirës për të gjithë shtetet e rajonit.

Mirpo për të kuptuar arsyet e mosarsyes, mbase nevojitet një teknikë që Vetëvendosja e ka përdorur gjerësisht madje dhe si instrument propagandistik, sa kohë që ishte në opozitë, ndërsa duket se tani e ka harruar: teknika e dekonstruktimit të arsyeve. Po e përdorim këtë teknikë, thjesht sa për të nxitur debatin dhe mirëkuptimin në shoqërinë tonë kombëtare.nëse ka një të tillë.

Arsyeja e parë: Serbia duhet të kërkojë ndjesë. Rama në Pallatin Serbia, ku 6 vjet më parë kishte lëshuar bombën e njohjes së Kosovës, ju referua Vili Brandtit. Figura e madhe gjermane përuljen e parë në gjunjë para viktimave naziste në Poloni, e pati në 1969, 25 vjet pas përfundimit të luftës së dztë botërore. Në një artikull të 26 gushtit 2019,, La Stampa italiane quan si kërkesën solemne më të plotë dhe më të avancuar, atë të Presidentit Shtajnmajer, në Massa Carrara. Pasardhësi i Brandt përballë krimeve naziste ndaj popullit italian, tha se provonte “turp”, fjalë që e tha italisht. Dhe bashkë me të, u përfshi dhe presidenti italian Matarela, i cili kërkoi ndjesë se në krimin e 85 vjetëve më parë ishin përfshirë dhe fashistët italianë me maska në fytyrë: nuk mund të shfajsohemi as ne– tha Matarela.

Ka një arsye tjetër të dytë: Serbia nuk na njeh. Në fakt, mund të imagjinojmë një skenar se a do të ishte pjesëmarrja e Kurtit në Beograd, baraz me një njohje indirekte: çfarë do të ndodhte? SI do ta priste opinioni serb? Nuk është shumë e vështirë për ta imagjinuar, dhe përgjigja për pretendimin e Kosovës, do të vinte pikërisht nga reagimi i egër kundërshtues i këtij opinioni për praninë e Kurtit në midis të Beogradit, që do të implikonte masa sigurie të forta: mjafton ta imagjinojmë Kurtin, në një tavolinë si i barabartë me Vuçiçin e Ramën, e përfaqsuesin e Maqedonisë së Veriut, që mund të ishte zëvendëskryeministri shqiptar, Artan Grubi.Tre shqiptarë përballë një serbi.  Dhe ngjan irreale në atë rast pretendimi se inisiativa në fjalë, e marrë nga babai i Aleksandër Sorosit, në fillim të viteve 2000, është instrument ekskluziv i dominimit ekonomik serb. Sigurisht që Serbia do të përdorë çdo instrument për protagonizmin e vet pra edhe këtë inisiativë, por ç’ndodh nëse shqiptarët merren vesh me njeri tjetrin përballë serbëve?

Ne nuk marrim pjesë në takim me Beogradin, pa praninë e Brukselit-thotë qeveria Kurti dhe një pjesë e opinionit publik e disa parti politike në Kosovë. Po me praninë e Amerikës, nëse administrata Biden do të zgjidhte të përfshihej në dialog si Trump,dy vjet më parë- a do pranonte Kosova?  Për më shumë që Brukseli e fton Kosovën dhe Serbinë në dialog vazhdimisht, por të dy vendet që gjenden në fushata zgjedhore alternativisht, presin kohë më të mira për tu takuar. Me Amerikën mbase nuk do të ndodhte e njëjta gjë, për më shumë që kryeministri Kurti, po lëshon vazhdimisht mesazhe sintonizimi me administratën e re Biden. Deri sa të vendoset nën presionin e saj? Do të shohim.

Procesi i Berlinit nuk ka alternativë, dhe ne jemi të përfshirë në të, ndërsa Open Balkan, është i padobishëm-është një pretendim tjetër. Procesi i Berlinit, i standartizuar, me takime ministrash linje, samite, me ritme të ngadalshme, aq i dëshiruar nga Kosova është bllokuar pikërisht prej qeverisë Kurti që nuk firmos 4 marrëveshje, me plot të drejtë, sakohë që  në to përdoren fusnotat. Na e vendosni dhe ne-thotë Vuçiq.

Ne propozojmë në vend të CEFTA-s, një mekanizëm bashkëpunimi rajonal, SEFTA, sipas modelit të bashkëpunimit të disa vendeve të zhvilluara europiane me BE-në-thotë  gjithashtu qeveria Kurti, në mënyrë kreative, për të lenë gjurmë në këtë proces. Ngjan i drejtë një propozim i tillë, mirpo, edhe në këtë inisiativë të re hipotetike Serbia nuk ka kërkuar ndjesë; nuk e njeh Kosovën; dhe  më në fund, sipas formulës së kësaj qeverie, parashikohen institucione dhe samite përtej 2025. Mos vallë tek institucionet shihet hija e një organizate të re ballkanike që ka në qendër Serbinë?

BE dhe SHBA nuk e mbështesin Open Balkan– është një argument tjetër. E vërteta është se fuqitë e mëdha nuk mbështesin me vullnet diçka që nuk e kontrollojnë, dhe për të cilën nuk mburren dot elektoralisht. Për më shumë që Vuçiç dhe Rama dominojnë si dinosaurë skenën politike të Ballkanit prej një kohe të gjatë, pra dhe inisiativën në fjalë, ndaj mbetet pak hapësirë për kontroll prej të mëdhenjve perëndimorë dhe shumë hije për lojtarët e rinj të Ballkanit në tryezë. Sa për saktësim, Escobar po rreshtohet ngadalë në qëndrimin e administratës Trump, që e kishte përfshirë minishengenin si detyrim të Kosovës në Marrëveshjen e Uashingtonit, ndërsa thotë se tryeza duhet të mbetet e hapur..

Ka dhe arsye të tjera mbrapa qendrimit refuzues të Kosovës dhe debati apo dekonstruktimi i çdo arsye të paarsyeshëm është i nevojshëm se pasuron dhe maturon opinionin publik kombëtar. Takimi i ardhshëm është në Tiranë. Mbase diçka çalon në komunikimin e dy shoqërive tona, që duhet të komunikojnë me njera tjetrën, hapur dhe pa komplekse. Rama mbase duhet të jetë më i përmbajtur megjithatë. Çke lënë pa thënë dhe çke lënë pa ngrënë, qar e ke- mund të hash dhe ta thuash më vonë– thotë një fjalë e urtë matiane.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!