MENU
klinika

Analiza nga “The Washington Post”

Mos e nënvlerësoni ambicien e Xi Jinping

21.11.2021 - 09:43

Kushdo që ka menduar deri më sot se frika e pushtimit të Tajvanit nga Kina është e tepruar, unë e ftoj ta rimendojë qasjen e tij. Ngritja e presidentit kinez Xi Jinping si figura kryesore brenda vendit komunist, sugjeron se ai ka ambicie shumë më të mëdha se paraardhësit e tij të fundit.

Kina komuniste ka një model relativisht të qëndrueshëm në lidhje me aktivitetin ushtarak. Ajo ka luftuar ndaj kombeve të tjera për të parandaluar vendosjen e pranisë ushtarake të Shteteve në kufijtë e saj (Lufta e Koresë),apo për të ushtruar ndikimin e saj tek fqinjët, si për shembull nëpërmjet konflikteve të saj të shkurtra me Indinë dhe Vietnamin.

Dhe ajo duket se ende ka ndërmend që të rrezikojë shpërthimin e konflikti me një fuqi larg kufijve të saj ose në një rajon, që një komb tjetër e konsideron si thelbësor për sigurinë e tij kombëtare. Kjo qasje supozon se pushtimi i ishullit të Tajvanit është me shumë gjasa jo shumë i mundur, pavarësisht rritjes së madhe ushtarake të Kinës dhe veprimeve gjithnjë e më provokuese të saj.

Por kjo analizë supozon se struktura dhe parimet tradicionale qeverisëse të Kinës mbeten kryesisht të pandryshuara. Po ashtu ajo supozon se Partia Komuniste do të veprojë ashtu siç ka bërë për dekada – dalëngadalë, në mënyrë të qëndrueshme, dhe me shqetësimin e saj mbizotërues mbi tërësinë e kolektivit dhe jo të lavdisë individuale.

Ky stil i durueshëm dhe jo kërcënues, ishte lajtmotivi i partisë pas vdekjes së Mao Zedong. Spastrimet e brendshme, trazirat dhe uria që krijoi sundimi i tij tejet i personalizuar, bëri që komunistët e mëvonshëm kinezë të bënin aleanca për të parandaluar ardhjen në pushtet të një Mao-je të dytë.

Forcimi i peshës politike të Xi-së, e ka kthyer përmbys këtë model. Ai ka arritur që ta përmbysë konsensusin kolektiv, që e kishte penguar me herët çdo udhëheqës kinez të vendosej në krye si një udhëheqës i përhershëm dhe dominues.

Xi është shpallur tashmë president i përjetshëm, duke anuluar një kufizim kushtetues prej dy mandatesh për presidentët e Kinës. Maksimat e tij, të njohura si “Mendimi i Xi Jinping”, janë tashmë pjesë e kurrikulës kombëtare në shkolla.

Madje, Partia Komuniste e ka shpallur atë një “figurë historike” të barabartë me Maon.

Ky largim i madh nga praktikat post-Mao, tregon qartazi se po ndodh diçka e rëndësishme. Udhëheqësit që e shohin veten si figura historike, rrallëherë lëvizin ngadalë.

Përkundrazi, ata përpiqen që të arrijnë sa më shumë që të munden, për të ndërtuar një trashëgimi dërrmuese gjatë jetës së tyre. Ata përmbysin rendet e vjetra dhe ndërtojnë rende të reja, forcojnë pushtetin kombëtar dhe i shtypin pa mëshirë armiqtë e tyre.

Ata ndërtojnë monumente për veten e tyre dhe shkruajnë një histori që i vendos ata në qendër të ngjarjeve. Ndërkohë, ata pushtojnë shpesh toka të tjera, duke synuar që t’ia shtojnë këto provinca një perandorie gjithnjë në zgjerim. Presidenti legjendar i Amerikës,Abraham Lincoln, foli pikërisht për diçka të tillë në fjalimin e tij të famshëm në një shkolle të mesme.

Lincoln argumentoi se do të ketë gjithmonë nga ata që do të kërkojnë famën e pavdekshme.“Ata do të përçmojnë shtigjet e hapura nga të tjerët, pasi kanë etje për t’u dalluar nga të tjerët. Ata nuk do të ndaleshin para asgjëje për të kënaqur pasionin e tyre për sundim, qoftë ky lirimi i skllevërve apo skllavërimi i atyre që janë të lirë”- tha ndër të tjera Lincoln.

Sipas tij, njeriu që dëshiron të krahasohet me Aleksandrin, Çezarin ose Napoleonin nuk do të shpërqendrohet nga nevoja për të respektuar ligjshmërinë apo nga rreziqet. Në fakt, udhëheqës të tillë kanë sukses në të kapërcyerit barrierat që të tjerët i shmangin.

Ngjitja dramatike e Xi në pushtet, tregon se ai e sheh veten si Napoleonin e Kinës, një njeri me origjinë modeste që do të rivendosë krenarinë e tij kombëtare, dhe do të nënshtrojë kundërshtarët e kombit të tij. Ai duket se nuk ka frikë nga përçmimi i Perëndimit ndaj shtypjes brutale të lirive dhe të drejtave të njeriut në Hong Kong,apo mbi gjenocidin e neveritshëm që ndodh midis ujgurëve.

Ai po ndërton marinën e parë të rëndësishme detare të Kinës që nga shekulli XVI-të, dhe po e shton me shpejtësi arsenalin bërthamor të Kinës. Po ashtu, ai ka ndërtuar bazën e parë detare jashtë Kinës, në Xhibutin e largët në Bririn Afrikës, për të pasur qasje tek nafta e Gjirit Persik.

Secili prej këtyre veprimeve do të mund të analizohej si i shkëputur nga praktika kineze e dikurshme. Të kombinuara, ato sugjerojnë një axhendë ekspansioniste, që është pikërisht ajo që do të ndiqte një njeri, sytë e të cilit janë të fokusuara tek librat e historisë.

Nga ana tjetër, kjo i bën më te lehta provokimet ushtarake të paprecedenta të Kinës, si dhe grumbullimin masiv të trupave të saj përgjatë Ngushticës së Tajvanit. Presidenti i Kinës është 68 vjeç. Ai pret me siguri të jetojë edhe shumë vite të tjera, por gjithsesi nuk do të jetojë përgjithmonë.

Nëse synon të jetë njeriu që e bëri Kinën sërish të madhe, Xi nuk do të shtrihet në shtratin e tij të vdekjes pa u përpjekur të paktën të ribashkojë Tajvanin me Kinën kontinentale. Vendi ishullor është i fundit nga enklavat koloniale apo provincat e shkëputura, të cilat Partia Komuniste nuk i kontrolloi dot plotësisht kur mori pushtetin në vitin 1949, dhe që mbetet jashtë kontrollit të Pekinit.

Rimarrja e Tajvanit do të ishte një gur themeli në karrierën e tij të shquar, dhe akoma më mirë nëse në këtë proces, ai do të mund të përkulte edhe Shtetet e Bashkuara. Strategët e SHBA-së e kanë nënvlerësuar prej kohësh rolin që luan etja individuale për lavdi në çështjet ndërkombëtare. Udhëheqësit që dëshirojnë famë, nuk i shmangen rrezikut; ata shkëlqejnë përmes ndërmarrjes së veprimeve të rrezikshme.

Elita jonë e politikës së jashtme, duhet të ndalojë së menduari se mund ta pengojnë Xi Jingping të ndjekë politikën e tij të jashtme agresive. Ajo politikë është në ADN-në e tij. Përkundrazi, ata duhet të mendojnë se si mund të fitojmë atë që mund të jetë një përplasje e paimagjinueshme por e pashmangshme me Kinën. / Nga Henry Olsen “The Washington Post”

Shënim: Henry Olsen, bashkëpunëtor në Qendrën për Etikë dhe Politika Publike, SHBA.