MENU
klinika

Analiza

Si Kina kombinoi autoritarizmin me kapitalizmin

01.11.2021 - 11:30

Nga Tomasz Kamusella “The Conversation

Pas rënies së komunizmit në bllokun sovjetik në vitin 1989, 5 shtete të vetëshpallura komuniste ekzistojnë ende sot: Kina, Kuba, Laosi, Koreja e Veriut dhe Vietnami. Në këtë listë mund të shtohen Bjellorusia dhe Venezuela, pasi ato i përmbushin kriteret e një shteti komunist, edhe pse nuk i referohen zyrtarisht kësaj ideologjie.

Pra aktualisht kemi 7 shtete komuniste. Tani që kapitalizmi është motori i ekonomisë kineze, ngrihet me të drejtë pyetja: Çfarë është sot komunizmi? Dhe nëse numri i shteteve komuniste është gati të rritet në të ardhmen e afërt, siç parashikojnë disa, dhe çfarë do të thotë për demokracinë kjo perspektivë?

Komunizmi i sotëm, udhëhiqet nga Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë. Pekini ka qenë një vend krenar komunist që nga viti 1949, dhe tani po përballet me SHBA-në, që udhëheq ende – edhe pse në mënyrë të lëkundur – kampin e tkurrur të demokracive të botës.

Që nga viti 2010, një numër në rritje shtetesh janë shkëputur nga demokracia. Gjatë dekadës së fundit, demokracia u përmbys me shpejtës në Ruandën e pas gjenocidit. E njëjta gjë ndodhi në Etiopi pas luftës civile në Tigraj (nga viti 2020 e vazhdim).

Ndërkohë, arritjet demokratike të Pranverës Arabe janë shtypur në të gjithë Lindjen e Mesme. Ashtu si në Rusinë e Putinit, autokracitë elektorale u instaluan në Bullgari (2009), Hungari (2010), Serbi (2014), Turqi (2015), Poloni (2016) dhe Slloveni (2020).

Popullsia e Kinës prej 1.4 miliardë banorësh, nënkupton se 1/5 e gjithë njerëzimit jeton nën regjimin e saj komunist. Tre shtetet e tjera të vetëshpallura komuniste, Laosi, Koreja e Veriut dhe Vietnami, kufizohen që të gjitha me Kinën. Përkufizimi më i zakonshëm i komunizmit pas Luftës së Ftohtë e lidh kapitalizmin me socializmin me moton:”Nga secili sipas aftësive të tij, në secili sipas kontributit të tij”.

Në praktikë, kjo përzierje jo-ortodokse e socializmit dhe kapitalizmit të stilit sovjetik, nënkupton një regjim autoritar, apo edhe totalitar, nën kontrollin e plotë të një partie të vetme dhe në këto kohë të përmirësuar nga Inteligjenca Artificiale (AI). Ky kontroll shtrihet tashmë edhe mbi ekonominë e stilit kapitalist.

Nëpërmjet këtij regjimi mono-partiiak, lideri i pandryshueshëm sundon i vetëm. Në një sistem të tillë zhvillohet shpesh kulti i personalitetit, dhe sundimi “ëmbëlsohet” me një sistem bujar të mirëqenies sociale. Në shumicën e rasteve këto shtete e reklamojnë veten si komuniste.

Ashtu si shtetet komuniste të para vitit 1989, të gjitha regjimet qeverisëse të këtyre vendeve janë anti-perëndimore në retorikën e tyre zyrtare, dhe shpesh edhe në veprimet e tyre. Por a do të rritet apo do bjerë ky numër gjatë shekullin XXI-të?

Gjatë 2 dekadave pas rënies së komunizmit në Evropë, demokracia si doktrinë e të drejtave të njeriut dhe politike, u përhap në mënyrë të qëndrueshme në mbarë botën. Diktatorët ndiheshin nën presion për të ruajtur të paktën fsadën e një demokracie elektorale funksionale në vendet e tyre.

“Amnesty International” dhe “Freedom House” i turpëruan me sukses autokratët, që u detyruan të lirojnë të burgosurit politikë. Por pas vitit 2010, kjo tendencë u përmbys në mënyrë graduale. Atë vit shkrimtari kinez dhe disidenti pro-demokracisë Liu Xiaobo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.

Pekini u ndje i ofenduar nga perëndimi dhe ndërmori hapa për të shtypur Liu-n, familjen dhe miqtë e tij. Autoritetet e penguan shkrimtarin të kurohej për kancerin, ndaj ai vdiq para kohe 7 vjet më vonë. Më pas, pandemia krijoi një mundësi ideale që Pekini ta çmontonte demokracinë në Hong Kong.

Në vazhdën e reformave të liderit të atëhershëm kinez Deng Xiaoping në vitin 1978, në Kinë u bë një zbulim i madh i politikës së aplikuar:se një vend mund të jetë kapitalist, edhe pa qenë demokraci. “Martesa” aktuale e kapitalizmit dhe komunizmit në Kinë, është një leksion për demokratët, që të mos u besojnë shumë mendimeve të tyre të dëshiruara.

Në rast se zgjat për disa breza, suksesi ekonomik i Kinës mund të çojë në fortifikimin e komunizmit të sapolindur 2.0, me kapitalizmin si pjesë integrale të kësaj ideologjie. Atëherë cilat janë tiparet specifike të shtetit të ri komunist 2.0? Ndoshta vetë-shpallja e të qenit shtet komunist është më e dukshme.

Ndërkohë të drejtat qytetare dhe të njeriut janë shumë të kufizuara, dhe shpesh denoncohen si një “mashtrim perëndimor”. Për shembull, në Kinë nuk ekziston asnjë e drejtë individuale e votës, ndërkohë që shteti sillet me qytetarët si të dojë. Një nivel i ngjashëm abuzimi vërehet në Korenë e Veriut dhe Vietnam.

Dhe një represion në rritje është vënë edhe në Bjellorusi dhe Kubë. Perëndimi është ndërgjegjësuar kohët e fundit mbi rreziqet me të cilat mund të përballen vlerat e tij liberale dhe demokratike. Frika se tashmë mund të ketë mbërritur epoka e imperializmit të Kinës komuniste, e motivoi Australinë, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në, të krijojnë një pakt të ri ushtarak, AUKUS.

Në Kinë, teknologjia dhe Inteligjenca ​​janë metoda kryesisht pa gjakderdhje të komunizmit 2.0, që synojnë shtrirjen e kontrollit total mbi popullatën, duke u siguruar që çdo individ të ndjekë vijën e partisë . Kjo përputhshmëri mundësohet edhe nga kompleksi industrial i mbikëqyrjes ushtarake në zhvillim, që do të jetë në thelbin e kapitalizmit të suksesshëm komunist.

Më shumë kontroll do të thotë më shumë vende pune në këtë kompleks, dhe kjo përkthehet drejtpërdrejt në rritje ekonomike, e cila nga ana tjetër do ta financojë më tej këtë kontroll. Ky është cikli i përsosur i totalitarizmit, pa asnjë rrugëdalje. Dhe kështu represioni bëhet i njohur si motori i ekonomisë; një garanci prosperiteti për shumicën (edhe pse jo për të gjithë).

Zhvendosja e madhe e Kinës nga komunizmi i stilit sovjetik 1.0, i bazuar tek industria e rëndë, tek komunizmi 2.0 i mbështetur nga Inteligjenca Artificiale mund të vërehet në shkallë të ndryshme tek 7 shtetet aktuale komuniste. Koreja e Veriut mbetet një shtet që i përket tërësisht komunizmit të vjetër.

Kuba dhe Venezuela, janë gjithashtu më afër komunizmit 1.0, duke bërë ende zgjedhje jo-pragmatike të bazuara tek idealizmi dhe ideologjia. Në anën tjetër të spektrit, Bjellorusia, Laosi dhe Vietnami, po përdorin çdo gjë që funksionon ekonomikisht (për sa kohë që partia në pushtet kontrollon prodhimin dhe fitimet).

Ata janë nxënës të ndërgjegjshëm të Kinës, të prirur për zbatimin e komunizmit 2.0. Nëse demokracitë e botës nuk gjejnë një zgjidhje tërheqëse dhe efektive për sëmundjet socio-ekonomike si papunësia, rënia e standardeve të jetesës dhe të ardhurave dhe kujdesi mjekësor i paarritshëm, atëherë kam frikë se komunizmi 2.0 do të fitojë shumë terren. Sipas këtij skenari, numri i shteteve komuniste do të rritet, dhe liritë individuale dhe politike do të zbehen ndjeshëm.