MENU
klinika

Analiza

Si Merkel e përdori G20 për t’i prezantuar pasardhësin botës?

02.11.2021 - 09:44

Paraqitja e Angela Merkelit në samitin e G20 në Romë është pothuajse me siguri e fundit e saj dhe ajo nuk i la asgjë rastësisë.

Ministri i saj socialdemokrat i financave, Olaf Scholz, fitoi zgjedhjet e shtatorit dhe është në procesin e krijimit të një koalicioni trepalësh që ka larguar nga pushteti konservatorët e Merkelit. Merkel mori vendimin e paprecedentë për të ftuar Scholz-in në takimet e saj më të rëndësishme, duke e prezantuar atë si udhëheqësin e ardhshëm të mundshëm të ekonomisë më të madhe të Evropës.

“Kjo ka qenë një mundësi për t’u paraqitur së bashku në bisedimet dypalëshe dhe për të bërë të qartë se ka një probabilitet të lartë që Scholz të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë,” u tha Merkel gazetarëve të dielën në fund të samitit.

Scholz, duke qëndruar pranë Merkelit në konferencë, theksoi se ai do të vazhdojë trashëgiminë e saj. Në fakt, është ajo që i fitoi atij zemrat e votuesve gjermanë. Në fund, ishte ai që mundi t’i bindte më së shumti se ishte një kandidat i vazhdimësisë.

Në G-20, sa herë që Merkel fliste të dielën, Scholz pohoi me kokë në shenjë miratimi dhe anasjelltas.

Një disiplinë e tillë publike është e pazakontë, veçanërisht midis rivalëve. Merkel qeverisi në një koalicion të madh me opozitën kryesore, por në të vërtetë, të dy partitë janë ideologjikisht të ndryshme.

Scholz do të përballet me mendime krejt të ndryshme në koalicionin e tij nga të Gjelbërit që duan një shtet më të fortë dhe më shumë shpenzime dhe Demokratët e Lirë që mbrojnë taksa më të ulëta për bizneset dhe një politikë fiskale më të ashpër.

Kjo  nuk do të jetë e lehtë. Përtej fasadës së unitetit, ishte e qartë se kishte disa ndryshime në mënyrën se si kancelarja në largim i shihte gjërat përballë pasuesit të saj.

Merkel theksoi se ajo është e shqetësuar se si infeksionet janë përsëri në rritje në Gjermani dhe se si mund të bëhet e nevojshme të merren masa kundër përhapjes së virusit. Scholz, nën presionin e FDP pro-biznesit, ka treguar tashmë se nuk do të ketë një mbyllje tjetër nën udhëheqjen e tij.

E gjithë kjo për të thënë se njeriu që shërbeu në epokën e Merkelin dhe vëzhgoi nga afër stilin e saj dhe aftësinë e saj për kompromis, nuk do ta ketë të lehtë të ndjekë hapat e saj.

Përkthyer dhe përshtatur nga Bloomberg/ konica.al