MENU
klinika

Analiza

A është Gjermania një aleate e besueshme e Amerikës?

26.01.2022 - 08:05

Nga Tom Rogan “The Wall Street Journal”

Ndërsa po afrohet pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin, shumica e aleatëve perëndimorë po nxitojnë të mbështesin Kievin, dhe të garantojnë sigurinë e anëtarëve më të brishtë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Por Gjermania po ndjek një qasje tjetër, duke vënë interesat ruse para atyre të Perëndimit.

Sjellja aktuale e Berlinit nxjerr në pah një realitet shumë shqetësues:përballë dy kërcënimeve më të rëndësishme të sigurisë për Amerikën dhe për rendin ndërkombëtar demokratik të pas Luftës së Dytë Botërore – Kinën dhe Rusinë -­Gjermania – nuk është më një aleate e besueshme.

Për Gjermaninë, gazi i lirë, eksportet e makinave të saj në Kinë, dhe mbajtja e marrëdhënieve të mira me Putinin, duket se janë më të rëndësishme se sa solidariteti demokratik me vendet e aleancës perëndimore. Fati i Ukrainës krijon për Gjermaninë një barrë të rëndë përgjegjësie.

Berlini po refuzon që ta furnizojë Ukrainën me armë, dhe po e pengon në mënyrë aktive edhe Estoninë që ta bëjë diçka të tillë. Ditët e fundit, Britania i ka dërguar Ukrainës avionë të ngarkuar me armë anti-tank, ndërsa ka kryer me avionët e saj fluturime për mbledhjen e të dhënave inteligjente mbi pozicionimin e trupave ruse në kufi, për llogari të autoriteteve të Kievit.

Por ndërsa këto të fundit kanë kaluar tranzit në hapësirën ajrore gjermane – rruga më e drejtpërdrejtë midis Britanisë dhe Ukrainës, dërgesat e armëve janë detyruar që të shmangin hapësirën ajrore gjermane. Ministria britanike e Mbrojtjes pretendon gjithsesi se nuk ka pasur asnjë devijim, duke konfirmuar se ajo vetë nuk kishte kërkuar leje për këto fluturime.

Por fakti është se Britania nuk e kërkoi këtë gjë, pasi do ta detyronte Gjermaninë që ta pranonte ose ta refuzonte kërkesën. Britania besonte se ky vendim do ta vendoste në pozita shumë të vështira qeverinë e re të kancelarit Olaf Scholz.
Një shembull tjetër është qasja e Berlinit ndaj gazsjellësit të ri “Nord Stream 2”, që do të dërgojë gazin rus në Evropë. Entet rregullatore në Gjermani, thonë se gazsjellësi nuk mund të fillojë dot punën, derisa të përmbushë standardet e pajtueshmërisë.

Ky qëndrim e ka zemëruar Putinin, që dëshiron që gazsjellësi të nisë sa më parë nga puna. Nga ana tjetër, kompania kukull e presidentit rus “Gazprom”, ka ndryshuar prej më shumë se 4 javësh rrjedhën e gazit përmes tubacionit ekzistues “Yamal-Europe”.

Po ashtu Moska ka ndërprerë prej 3 muajsh furnizimet ndaj Ukrainës me qymyr që përdoret për ngrohje. Në këtë rast, mesazhi i Putin është më se i qartë:Ukraina bën mirë të rikthehet në sferën e saj të ndikimit, dhe Gjermania bën mirë të miratojë sa më shpejt vënien në funksion të “Nord Stream 2”.

Shantazhi nëpërmjet furnizimeve energjetike,shpjegon edhe arsyen pse republikanët, deri këtë muaj edhe demokratët në SHBA, mbështetën sanksionet mbi “Nord Stream 2”. Ata e dinin se Putin do ta përdorte gazsjellësin për të përfituar lëshime politike, në këmbim të furnizimeve për ngrohje gjatë dimrit të ftohtë evropian.

Ata kishin frikë se ai do ta përdorte “Nord Stream 2” për të kompensuar furnizimet me gaz – dhe miliarda dollarët në tarifat e tranzitit – që kalojnë aktualisht përmes Ukrainës. Por për shkak të presionit gjerman mbi administratën Biden, dhe nga ana e demokratëve në Senat, “Nord Stream 2” dhe Putin përfituan një kamerdare shpëtimi.

Një shumicë demokratësh, hodhën poshtë javën e kaluar një projekt-ligj të senatorit republikan Ted Cruz për të rivendosur sanksionet mbi gazsjellësin, duke i mohuar atij 60 votat që i nevojiteshin për ta miratuar nismën. Kështu,Gjermania shënoi një fitore të madhe në kurriz të SHBA-së.

Duke pasur parasysh parimi e reciprocitetit, nuk është e qartë se çfarë ka marrë në këmbim presidenti Joe Biden. Demokratët thonë se sanksionet ndaj “Nord Stream 2” nuk janë të nevojshme, pasi Gjermania nuk do ta përdorë gazsjellësin në rast se Rusia e pushton Ukrainën.

Por Gjermania nuk ndan këtë qasje. I pyetur në lidhje me pezullimin e mundshëm të “Nord Stream 2”, ministri i mbrojtjes i kancelarit Scholz u përgjigj:“Ne nuk duhet ta përfshijmë gazsjellësin në këtë konflikt!”. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock mund ta kundërshtojë vënien në punë të gazsjellësit, por ajo është një zë i izoluar në kabinetin qeveritar.

Për më tepër, Scholz ka bërë thirrje për një “fillim të ri të kualifikuar” me Vladimir Putin.

Ndërkohë, Gjermania ka braktisur edhe objektivin e NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në nivelin 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shpenzuar vetëm 1.5 për qind të PBB-së.

Po aq problematik është edhe qëndrimi i Gjermanisë ndaj Kinës. Pak para se të merrte detyrën, administrata Biden kërkoi që kancelarja e atëhershme Angela Merkel të vononte nënshkrimin e një marrëveshje tregtare Bashkimi Evropian-Kinë.

Merkel reagoi duke përshpejtuar negociatat për të arritur një marrëveshje, përpara se Biden të merrte detyrën janarin e vitit të kaluar. Ndërkohë i pyetur së fundmi nëse ai do të mbështeste një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit që nisin në fillim të shkurtit, Scholz tha:“Ne mendojmë se është e rëndësishme të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë botën të punojë së bashku, dhe çdo veprim që ndërmerret në secilin rast duhet të peshohet me shumë kujdes”.

“Jo” do të ishte një përgjigje më e thjeshtë. Por zoti Scholz duket i angazhuar të ruajë me çdo kusht eksportet e Gjermanisë prej 150 miliardë dollarësh në vit drejt Kinës. Kjo iu bë e qartë kohët e fundit edhe Lituanisë, vend anëtar i BE-së që po vuan pasojat e një luftë tregtare nga ana e Kinës, për shkak të lejimi të hapjes në Vilnius të një zyre përfaqësuese të Tajvanit.

Në vend se të mbështesin fqinjin e tyre demokratik, bizneset gjermane po e paralajmërojnë Lituaninë të dorëzohet ndaj kërkesave të Kinës, ose do të përballet me pezullimin e investimeve gjermane. Edhe kur Gjermania pretendon se shqetësohet vërtet për rendin ndërkombëtar demokratik, mungesa e interesit të saj real bëhet e dukshme shumë shpejt. Kohët e fundit Gjermania vendosi një anije luftarake në Detin e Kinës Jugore, zonë të cilën Kina e pretendon si territorin e saj kombëtar.

Por njëkohësisht, Berlini iu lut Pekinit që ta linte anijen e tij të bënte një udhëtim në portin e Shangait. Kina e refuzoi kërkesën. Krahasoni sjelljen e Gjermanisë në Detin e Kinës Jugore me atë të Francës, e cila ka dërguar nëndetëset e saj bërthamore, për t’u stërvitur me homologët e marinës amerikane.

Biden po na thotë se Gjermania është një nga aleatët më të rëndësishëm të Amerikës. Por duke pasur parasysh politikat e Berlinit ndaj dy kundërshtarëve kryesorë të vendit, ky pretendim vështirë se mund të cilësohet i besueshëm.