MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Basha i dytë, një portret i paautorizuar i kryetarit të PD-së

31.01.2022 - 11:27
  1. Për tetë vite krijoi portretin e një politikani të butë, të dyzuar dhe që çdo vendim në PD e merrte i ndikuar nga Sali Berisha. Pas tetë vitesh po krijon profilin e një politikani të fortë, me vendime radikale dhe që nuk lëviz nga mendimet e tij duke bërë atë që askush nuk e kishte bërë në PD, të largonte dhe përjashtonte Berishën nga partia. Cili është në të vërtetë Lulzim Basha i dytë dhe ku ndryshon nga Lulzim Basha i parë. Përse mbështetet nga SHBA dhe a do ta fitojë këtë betejë edhe pse partinë e ka të përçarë? Një portret i paautorizuar i Lulzim Bashës që rastësisht ose jo, po ecën në rrugën e Edi Ramës.

Nga Roland Qafoku

Nuk është më ai i pari. Alla hollandez jo e jo, por as i butë, as modern, e as politikan normal nuk mund ti thuash më. Lulzim Basha ka bërë atë që nuk e bëri askush në këto 32 vjet; Ti tregojë dhëmbët Sali Berishës, ta largojë nga grupi parlamentar i PD dhe më e habitshmja e më të habitshmeve, ta përjashtojë fare nga radhët e Partisë Demokratike. Po, po. E dimë këtë, por rrallë e themi: Lulzim Basha ka përjashtuar nga Partia Demokratike Sali Berishën, atë që e themeloi, e ngriti, e ringriti dhe e identifikoi me emrin e vet gjithçka në këtë parti për më shumë se 3 dekada. Për tetë vjet e akuzuan se ishte bima e domates që rritej vetëm sepse mbahej i lidhur prej shkopit Berisha, se nuk bënte asgjë pa i marrë leje atij, se çdo vendim kalonte nga zyra në katin e 10-të te ABA Center, thjesht, se për çdo vendim në PD të dy ishin paketë.

Kundërshtarët konstantë e vizatonin Bashën si një marionetë në duart e Berishës që në çdo hap e vendim që merrte duhet të pyeste: Po Doktori çfarë mendon? Tani që është ndarë prej tij ka nisur të krijojë një profil krejt ndryshe. Vërtetë ka marrë etiketime Lul Brava, Lul Vula, Lul Gazi, Lul Diktatori, por ama në historinë e PD doli më i forti se të gjithë ata që guxuan dhe bënin betejë me Sali Berishën që nga viti 1990 deri më sot. Lulzim Basha doli më i fortë se Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Petrit Kalakula, Aleksandër Meksi, Eduard Selami, Azem Hajdari, Genc Pollo, Uran Butka, të cilët besuan se do ta largonin Berishën nga PD. Por të gjithë humbën dhe Berisha triumfoi. Sigurisht triumfoi me metoda jo shumë demokratike, por nuk mund ta mohojmë që ishte më këmbëngulës, më qendrestar dhe i lindur për të qenë lider. Ndërsa Basha pas 32 vjetësh nga themelimi i PD e ka lënë Sali Berishën pa fjalë. E ka përjashtuar nga grupi parlamentar dhe e ka përjashtuar fare nga partia dhe Berisha ndihet befas krejt i pafuqishëm teksa viziton oborrin e partisë që themeloi.

A imagjinohej kjo qoftë edhe nja gjashtë muaj më parë? As që bëhej fjalë. Me të drejtë pyesim si ka mundësi që Lulzim Basha arriti deri këtu dhe si ka mundësi që u bë i fortë? Në fakt dallimi midis një njeriu të fortë dhe një të dobëti është se i pari nuk dorëzohet pas një disfate. Të paktën deri tani Luzlim Basha, ai që linte çdo betejë në mes, përballë Berishës nuk është dorëzuar duke i habitur të gjithë dhe vërtetë është treguar i fortë. A është kjo normalja kur edhe ai ka përdorur metoda jodemokratike? Ka përdorur shulin, bravën, hekurat, gazin dhe në fund ndërhyrja e policisë për fatin e tij i dha një dorë. Por edhe ka larguar dhe përjashtuar figura të rëndësishme nga kjo parti që i përzgjodhi vetë. Genc Pollo, një nga ata që ka bërë beteja homerike me Berishën dhe i ka humbur të gjitha, e vizaton Lulzim Bashën në sjellje si kapobanda e Vlorës Zani Caushin. A është e saktë kjo? Sigurisht ky krahasim ekstrem nuk para shkon, por qëndresa e Lulzim Bashës në betejën me Sali Berishën është aq e vërtetë sa edhe vetë Pollo e admiron teksa i gjen një ngjasim prej të forti. Thjesht, Basha nuk është më ai pari.

BASHA I DYTË

Ku ndryshon Lulzim Basha i parë me Lulzim Bashën e dytë? Ka një rregull në politikë. Ai politikan që dominon, ngjason në formë por edhe në përmbajtje me një nga paraardhësit në një kohë tjetër. Shpesh e kemi krahasuar Lulzim Bashën me Ramiz Alinë. Ashtu butë-butë, shpesh i dyzuar, sa nga njëra anë te tjetra. Këpute këtu dhe mos këput atje, Ramiz Alia e shtyu momentin më të keq të nisjes së tranzicionit pothuajse në paqe pa arritur në luftë civile. Është një “meritë” që askush nuk ia heq dot Ramiz Alisë. Por ama vetëm kaq. A nuk ka funksionuar edhe Lulzim Basha në këtë stil që nga viti 2013 kur u zgjodh kryetar i PD e deri në maj 2021? Ashtu butë-butë, shpesh i dyzuar, sa nga njëra anë te tjetra. Këpute këtu dhe mos këput atje, Lulzim Basha shpesh ngjante si pasardhës i denjë i stilit të Ramiz Alisë. Ky ishte Lulzim Basha i parë. Por Jozefina Topallit përsëri duhet ti themi na fal zonjë. Për të disatën herë ajo parashikoi se Lul Basha nuk ngjan butësisë së Ramiz Alisë, por ashpërsisë së Enver Hoxhës. Sa të vërtetë ka kjo? Sigurisht që brenda kësaj ngjashmërie Topalli fut edhe shumë përplasje të veta personale deri mënjanimin e saj në një formë denigrimi të pamerituar. Por ama për fuqinë që tregoi Basha i dytë, Jozefinë duhet ti themi bravo. Por kjo zgjati derisa Sekretari i Shtetit Antony Blinken shpalli Berishën non grata. Këtu nis Lulzim Basha i dytë. I fortë, radikal, i qendrueshëm, i prerë aq sa na ka habitur të gjithëve. Basha i dytë nuk është i urtë e modern.

Nuk është alla hollandez, por me trajtë shumë shqiptare. Nuk është vizionar por shumë pragmatist. Basha i dytë është produkt tipik i atij grupi në PD që nuk mund të nxirrte dikë ndryshe. Sigurisht që habiti të gjithë, madje edhe veten e vete mund të ketë habitur. Por nuk ka habitur ata që e njohin mirë. A do arrijë fitore përfundimtare? Zgjedhjet e marsit do ti ketë testin e tij. Të jetës ndoshta. Nëse fiton qoftë edhe dy tre bashki do ketë arritur një fitore të madhe. Një fitore që i vlen më shumë për të forcuar pozitat në krye të PD. Kamarieri i Rinasit dikur kur ishte 16 vjeç dhe DJ i klubit studenti kur studionte në Utrecht të Holladës ka bërë aq hapa gjigandë në politikë saqë këto dy stacione zor se i sjell në kujtesë. Ai nuk është më as adoleshent e as student. Madje nuk është as Lulzim Basha i parë. Ai është Lulzim Basha i dytë një periudhë që ka bërë vrasjen politike më të madhe në historinë e PD, ka nisur të eliminojë Sali Berishën.

NË GJURMËT E EDI RAMËS, SA NGJAJNË BASHA ME RAMËN

Si Edi Rama dhe Lulzim Basha janë politikanë të brezit të dytë të tranzicionit shqiptar. Ata kanë zëvëndësuar Fatos Nanon në PS dhe Sali Berishën në PD që dominuan politikisht dhe zyrtarisht Shqipërinë politike nga vitit 1990 deri në vitin 2005 i pari dhe 2013 i dyti. Edi Rama zëvendësoi Fatos Nanon, i cili ishte 3 herë kryeministër dhe 14 vjet kryetar i PS që nga themelimi, ndërsa Lulzim Basha zëvendësoi Sali Berishën, 5 vjet president në dy mandate, 8 vjet kryeministër në dy mandate si dhe 17 vjet kryetar të PD. Rama ka lindur më 4 korrrik 1964, Basha ka lindur më 12 qershor 1974 dhe 10 vitet e diferencës në fakt kanë bërë që vërtetë të jenë brezi i dytë i politikanëve, por Basha ta ndjekë Ramën pothuajse këmba-këmbës. Karriera e Ramës dhe Bashës në nivele të larta ka nisur kur si Rama dhe Basha kanë qenë kryetarë të bashkisë së Tiranës duke punuar me kryeministrat e partisë së vet por edhe kundërshtarin politik, Edi Rama me Fatos Nanon dhe Sali Berishën, Basha me Sali Berishën dhe Edi Ramën.

Dhe ngjashmëritë e Lulzim Bashës me Edi Ramën vijojnë frikshëm dhe ndonëse duken rastësore nuk mund ti shpërfillësh. Ato bashkohen në disa pika që të habisin dhe të krijojnë përshtypjen se Lulzim Basha ecën në gjurmët e Edi Ramës. Ti marrim me radhë: E para, si Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë lindur në Tiranë, por me orgjinë nuk janë nga Tirana. Rama është me orgjinë nga Durrësi, Basha me orgjinë nga Drenica e Kosovës. E dyta është se si Edi Rama dhe Lulëzim Basha testin e parë në politikë e kanë si anëtarë të Partisë Demokratike. Dihet që Rama qendroi vetëm 48 orë në PD dhe më pas bëri pothuajse dy dekada teksa u bë anëtar i PS. E dyta, si Edi Rama dhe Lulëzim Basha kanë qenë kryetarë të bashkisë së Tiranës dhe ditën e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Tiranës kanë qenë pothuajse në të njëjtën moshë. Edi Rama ishte 36 vjeç, 2 muaj e 28 ditë në zgjedhjet lokale të 1 tetorit 2000, ndërsa Lulzim Basha ishte 36 vjeç, 10 muaj e 26 ditë në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. Por brenda ushtrimit të detyrë së kryetarit të bashkisë si Rama dhe Basha e kanë nisur punën si kryetar të bashkisë me një aksion të madh publik, Rama me prishjen e ndërtimeve në parkun “Rinia”, ndërsa Basha me ndërtimin e bulevardit të ri pavarësisht se kjo nuk pëfundoi.

Ndërkohë, Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë të përbashkët faktin që duke qenë kryetarë  të bashkisë kjo i ka ndihmuar të zgjidhen më pas kryetarë të partisë, Rama kryetar i PS dhe Basha kryetar i PD. Si Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë patur përkrahje të padiskutueshme nga personazhet kryesorë në zgjedhjen si kryetar. Rama ka patur mbështetjen direkte të Gramos Ruçit, ndërsa Basha mbështetjen direkte të Berishës. Ka të tjera ngjasime të jetës së tyre personale. Kështu, Edi Rama dhe Lulzim Basha janë dy politikanët më të gjatë mes lidershipit të PS dhe të PD, Rama 1.98 metër dhe Basha 1.89 metër. Si Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë ushtruar sporte të lojrave me dorë, Rama basketbollist, Basha volejbollist dhe që të dy kanë luajtur me skuadrën e Dinamos. Ka një domethënie në karrierën e tyre: Si Rama dhe Basha kanë një përvojë jashtë Shqipërisë. Rama ka jetuar në Francë, Basha në Hollandë. Si Rama dhe Basha kanë qenë ministra përpara se të bëheshin kryetarë të bashkisë. Si Rama dhe Basha nuk janë praktikantë të riteve fetare. Ndonëse Rama ka deklaruar se është pagëzuar katolik nuk është një ndjekës i rregullt i riteve fetare.

Edhe Lulzim Basha që i takon myslimanizmit suni nuk është gjithashtu një ndjekës i riteve fetare. Dhe ngjasimet vijojnë frikshëm: Edhe Rama edhe Lulzim Basha kur ishin kryetar të Bashkisë së Tiranës janë shprehur se nuk do garonin për të qenë kryetar i Partisë respektive. Si kryetar të Bashkisë si Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë patur si zëvendëse në periudha të ndryshme zonja: Vali Bizhga, Mimi Kodheli dhe Albana Dhimitri kanë qenë zëvendëse të Ramës, ndërsa Jorida Tabaku dhe Nevila Xhindi kanë qenë dhe janë zëvendëse të Bashës. Si Rama dhe Basha kanë fituar si kryetar të Bashkisë së Tiranës në koalicion me LSI, Rama në zgjedhjet si kryetar në 2007 dhe Basha në zgjedhjet e 2011 si kryetar i bashkisë. Si Rama dhe Basha kanë provuar të paktën  nga një herë koalicionin me LSI dhe të paktën nga një herë kanë provuar të jenë në opozitë me LSI- në. Dhe ajo më e rëndësishme që i bashkon aktualisht është se tashmë Lulzim Basha po bën betejën me parardhësin e tij Sali Berisha fiks ashtu si Edi Rama bëri betejën me Fatos Nano. Sigurisht që kjo që ajo që bëri Edi Rama me Fatos Nano në 2005 deri në 2009 nuk mund të quhet fare betejë me këtë që po bën Basha me Berishën por ndryshimi është se Rama u treguar më largpamës duke përdorur largimin dhe shpërfilljen ndaj Nanos që në momentin që mori drejtmin e PS, ndërsa Basha e nisi betejën me Berishën 8 vjet me vonesë.

E ARDHMJA E BASHËS SË DYTË

Lulzim Basha ka një armë të fortë në dorë në betejën me Sali Berishën. Është e sigurtë që ai ka mbështetjen personale të ambasadores Yuri Kim, të Departamentit të Shtetit dhe të gjithë zyrtarëve të SHBA. Dhe kjo nuk është pak. Dhe fakti që qendrimi zyrtar i SHBA është se nëse Sali Berisha zgjidhet drejtues i PD, ajo i ndërpret raportet me të, është dhuratë e çmuar nga qielli për Bashën. Lulzim Basha ka edhe mbështetjen e strukturave të larta të PD, të kryesisë, të Këshillit Kombëtar dhe të Grupit Parlamentar. Dhe në moshën që ai ka, 48 vjeç përballë Sali Berishës 78 vjeç, pra me një diferencë 30 vjetësh, nuk mund të thuhet se Berisha është e ardhmja e PD. Dhe ky është një avantazh jo i vogël për Bashën. Por a mjaftojnë të gjitha këto? Lulzim Basha ka një ngërç shumë të madh në të ardhmen e tij politike për ta drejtuar PD.

Ai nuk i ka fare mirë punët me bazën e partisë. Shikoni kur shkon nëpër qytete. Në hyrje të pothuajse çdo takimi është i shoqëruar me thirrjet “Basha ik”. Pothuajse çdo takim është i shoqëruar me vezë të hedhura ndërkohë që kundërshtarët mbajnë në duar pankartat për largimin e tij dhe këtë e shoqërojnë me sharje. Për ti shpërfillur këto situata nuk e ndihmojnë dot as shiringat e Agron Gjerkmarkajt, i cili, e tha, por dyshohet nëse e mendon, se Lulzim Bashës nuk i dridhet qerpiku. Që qerpiku i dridhet u duk kur e qëlluan me vezë. Apo që edhe intervistat kujdeset ti japë për gazetarët që i bëjnë pyetje siç ai do të donte ti bënin. Megjithatë, që Basha i dytë ndryshon nga Basha i parë kjo është e vërtetë. A do ta fitojë përfundimisht betejën? Kjo mund të arrihet nëse si fillim brenda tij Basha i dytë fiton me Bashën e parë. Rrugën e ka nisur.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!