Kur sulmet e Rusisë në Ukrainë nisën në agimin e së enjtes më 24 shkurt, përtej sigurisë, shtetet kudo në botë filluan të përllogarisin kostot ekonomike të luftës. Tregjet globale që sapo kishin nisur rimëkëmbjen e brishtë pas pandemisë ranë në stres. Çmimet e mallrave, sidomos naftës dhe grurit, u rritën menjëherë nga 5-8% brenda ditës.
Siç ka treguar historia, krizat nuk i prekin njësoj të gjitha vendet. Në kohë lufte, zinxhirët e furnizimit dëmtohen, ndaj shtetet që kanë rezerva të mëdha me furnizime vuajnë më pak, pasi shpesh edhe fuqia monetare nuk mjafton nëse mallrat mungojnë. Nëse lufta zgjat dhe sanksionet gjithashtu, Shqipëria do të ndikohet prej saj me furnizimin e mallrave kryesore në vend, bukës dhe naftës. Përballja tjetër do të jetë me pamundësinë për të frenuar rritjen e çmimeve që do të sjellë lufta për të gjithë artikujt e importit në tërësi.
Ajo do ta ndikojë vendin tonë direkt, për shkak të varësisë së furnizimeve me naftë dhe grurë nga Rusia dhe indirekt, me rritjen e çmimeve të mallrave, pasi Ukraina është eksportues kryesor global për lëndë të para për industrinë ushqimore (drithëra, vaj luledielli etj.).
Shqipëria siguron nga tregu rus 47% të nevojave vjetore për grurë dhe nga Ukraina 3.3%, sipas INSTAT. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, rezervat e grurit në vendin tonë mjaftojnë për 45 ditë. Ai e përjashtoi mundësinë e mbetjes pa furnizim, por tha se çmimi i drithërave do të rritet më tej.
Luigj Aliaj, nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, pohoi se rezervat me karburante mjaftojnë për tre muaj, por shtoi se situata në furnizime dhe çmime do të evoluojë në varësi të situatës.
Izolimi ekonomik i Rusisë nga sanksionet që po vënë vendet perëndimore do të bllokojë ekonominë e 11-të më të madhe në botë, dobësimi i së cilës do të vërë në vështirësi furnizimin e botës me lëndë të para, sidomos me naftë.
Në skenarin më të keq, që nënkupton ndërprerje totale të gazit nga Rusia, ekonomia e Europës do të pësonte rënie me 3%, sipas një analize që bëri për këtë qëllim agjencia e lajmeve në SHBA, “Bloomberg”. Lufta do të ndikojë edhe në sektorin e turizmit në Shqipëri, pasi ukrainasit përbënin 22% të lëvizjeve me charter drejt Shqipërisë.
Shqipëria, 2,7% të tregtisë me zonat në konflikt
Gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë. Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit.
Volumi tregtar dominohet nga importet e mallrave prej këtyre dy vendeve. Në vitin 2021, Shqipëria importoi nga Rusia dhe Ukraina 19 miliardë lekë mallra, që përbën 99.5% të volumit tregtar dhe pjesa tjetër, 0.5%, përfaqësohet nga eksportet shqiptare në këto vende, kryesisht prodhime bujqësore.
Pavarësisht se volumi tregtar në këto vende është i ulët, Shqipëria ka varësi të lartë në importin e lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta nga Rusia. Nga këto vende importojmë 50% të sasive vjetore të drithërave dhe 12% të naftës.
Por varësia indirekte nga tregjet e Ukrainës dhe Rusisë është më e lartë. Ukraina është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i drithërave dhe vajit të lulediellit, të cilat grosistët shqiptarë i blejnë të përpunuara nga vende të tjera, kryesisht Italia.
50% e drithërave nga Rusia dhe Ukraina, rezervat vendase mjaftojnë për 45 ditë
Sulmet në Ukrainë ishin dita më e zezë për importuesit e grurit, të cilët e kanë të lidhur biznesin e tyre direkt nga furnizimet ruse. Adi Haxhiymeri, një nga importuesit kryesorë të grurit, tha se konflikti ndërmjet prodhuesve kryesorë të drithërave në botë, Rusisë dhe Ukrainës, do të vërë në vështirësi furnizimet në të gjithë botën.
Të dhënat nga doganat tregojnë se në vitin 2021 u importuan gjithsej 326 mijë tonë drithëra, 50% e të cilave ishin furnizime nga zonat në konflikt. Shqipëria importoi 47% të drithërave nga Rusia në vitin 2021, 36% nga Serbia, 4% nga Franca dhe 3% nga Ukraina. Burimet e importit të drithërave dominohen nga Rusia, Ukraina dhe Serbia në 86% të totalit të nevojës për konsum.
Grosistët pohojnë se rezervat nuk janë të mëdha, pasi një pjesë e tyre u zbrazën për shkak të pandemisë, ndërsa në dy vitet e fundit ka pasur probleme në furnizime nga rënia e prodhimit.
Adi Haxhiymeri tha se lufta në Ukrainë erdhi në një kohë krize të shumëfishtë, të krijuar nga rënia e prodhimit të grurit dhe çmimet e larta të energjisë. Ai tha se grosistët kanë rezerva të mjaftueshme në magazina, për të përballuar 1.5 muaj importe, por ndërkohë qeveria nuk ka asnjë rezervë me grurë, ashtu si shtetet e tjera kanë në këto situata.
Sipas z. Haxhiymeri, grosistët po mundohen të gjejnë burime të reja furnizimi si nga Franca, Argjentina, Rumania etj. Mundësia për të mos pasur furnizime, sipas tij, është shumë e ulët, por çmimi i importeve të reja do të jetë më i lartë. Ndërkohë, në këtë moment, importuesit kanë nevojë për likuiditete të mëdha, në mënyrë që të ndryshojnë burimet e furnizimit dhe të përballojnë çmimet e larta.
Aktorët e tregut të bukës pohojnë se, nëse konflikti zgjat dhe sanksionet gjithashtu, nuk do të bëhet më fjalë për çmime, por për ekzistencën e produktit. Rusia është furnizuesi më i madh në botë i grurit dhe, së bashku me Ukrainën, përbën gati një të katërtën e totalit të eksporteve globale. Në vende si Egjipti dhe Turqia, drithërat ruse plotësojnë 70% të nevojave vendase.
12% e naftës në Shqipëri, nga Rusia
Rusia është një nga furnitorët më të mëdhenj të botës me drithëra, gaz dhe naftë. Në vitin 2021, vendi ynë importoi 12% të sasive të naftës nga Rusia. Edhe nafta e importuar nga Italia ka origjinë nga Rusia, por thjesht përpunohet në rafineritë e saj. Në vitin 2021, importet e lëndëve djegëse dhe mineraleve (nafta, gazi) arritën në rreth 1 milion tonë, por gati 70% e sasisë dominohet nga nafta.
Importuesit tani nuk janë duke llogaritur çmimin, por janë të shqetësuar për sigurinë e furnizimit. Luigj Aliaj, nga Shoqata e Hidrokarbureve, pohoi se rezervat e sigurisë janë të mjaftueshme për 3 muaj, dhe shtoi se më tej furnizimet do të jenë në varësi të rrjedhës së luftës. Para 15 marsit, sipas tij, çmimi në tregjet ndërkombëtare mund të kalojë 135 USD për fuçi dhe rrjedhimisht, rritjet do të reflektohen edhe në tregjet vendase.
Shqipëria, së fundmi, shkatërroi të vetmen rafineri të përpunimit të naftës në vend, e cila me gjithë problematikën që kishte mund të amortizonte deri diku gjendjen akute nga mungesa e furnizimeve. Nafta e prodhuar dhe e përpunuar në vend, sipas përllogaritjeve më të hershme, plotësonte gati 30% të nevojave të tregut vendas.
Rafineria aktualisht është në proces çmontimi për skrap, ndërsa nafta që nxirret nga nëntoka e vendit po shitet bruto në tregjet e huaja.
Aktualisht, një litër naftë në vend ka arritur në nivelin e 192-194 lekëve, por me zhvillimet e fundit, çmimet do të fluturojnë drejt 250 lekëve shumë shpejt.
Efekte negative në turizëm
Vitin e fundit, pesha e turistëve ukrainas në turizmin vendas ishte rritur. Sipas të dhënave nga TIA, vitin e shkuar, në korrik – gusht fluturuan drejt Rinasit dhe anasjelltas, 38.5 mijë pasagjerë nga Ukraina, ose 65% më shumë se e njëjta periudhë e para pandemisë. Turistët nga Ukraina zunë 22% të lëvizjeve me charter dhe ishin grupi i dytë më i madh pas polakëve.
Shqipëria pritej të ishte një destinacion i rëndësishëm për turistët nga Rusia dhe Ukraina në vitin 2022. Ukrainasit prej disa vitesh kanë zbuluar në tokën shqiptare, me oferta turistike shumë tërheqëse, ndër të cilat natyra shqiptare e pazbuluar përbënte pikën më të fortë.
Besnik Vathi, drejtues i agjencisë turistike ATHS, me përvojë të gjatë në treg, thotë për Monitor se kjo luftë mendohet të ketë pasoja katastrofike, në të gjithë tregjet turistike që ukrainasit përbëjnë pjesën më të madhe.
Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, thotë se, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, efekti negativ nuk qëndron vetëm tek anulimi i prenotimeve, por te skema si funksionojnë.
“Partnerët ndërkombëtarë kanë disa kontrata garancie duke parapaguar 20- 40% të ofertës turistike, ky mendoj se është problemi kryesor. Ata janë të shqetësuar për paratë e tyre, vijimin e marrëdhënieve me klientët, si dhe për marrëdhëniet e partneritetit mes strukturave akomoduese, agjencive partnere etj.
Prenotimet anulohen atje dhe mund të ketë efekt zinxhir, pasi mund të kërkojnë paratë mbrapsht dhe strukturat turistike në vend do të viheshin në vështirësi. Kjo ka ndodhur në situata krizash, e ka treguar rasti i tërmetit apo edhe situata pandemike”- përfundon z. Kasa.
Çmimet e mallrave do të rriten
Për Rusinë, Ukraina njihet si baza industriale, që prodhon që nga makinat, anijet, helikopterët, armatimi, deri tek impiantet e termocentraleve bërthamore, ndërsa për Europën, Ukraina është furnizuesi kryesor i shportës së ushqimeve.
Vendi nën pushtim është një nga dhjetë prodhuesit kryesorë botërorë të disa kulturave të tilla si gruri dhe misri. Ukraina është prodhuesi më i madh në botë i vajit të lulediellit, një prodhues i madh global i drithërave dhe sheqerit, dhe lojtar global në tregjet e mishit dhe të qumështit. Është gjithashtu një nga prodhuesit më të mëdhenj të arrorëve, mjaltë natyral, etj.
Pesha e Ukrainës në furnizimin me ushqime të Europës është shumë e lartë. Për këtë arsye, zgjatja e konfliktit do të sjellë vështirësi në tregjet europiane, ose në rastin më të mirë, do të rrisë çmimin e artikujve bazë të shportës, pasi Europa do të përpiqet të gjejë burime të reja furnizimi në kontinente më të largëta dhe kjo do të rrisë koston.
Ato do të reflektohen edhe në Shqipëri, duke qenë se vendi ynë është importues neto i ushqimeve./Monitor