MENU
klinika

Pas pushtimit rus të Ukrainës

Bota në pasiguri ushqimore

15.03.2022 - 12:31

FMN ka lëshuar paralajmërimin, sipas të cilit furnizimet ushqimore në gjithë botën janë në rrezik, shkruan DW.

Pushtimi rus i Ukrainës nuk është faktori i vetëm që nxit pasigurinë ushqimore globale, por është shumë i rëndësishëm.

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha dje se pushtimi rus i Ukrainës mund të fusë në kaos furnizimin me ushqime në botë, me rritjen e çmimeve dhe paaftësinë e fermerëve ukrainas për të mbjellë drithëra, përfshirë grurin.

Duke paralajmëruar për pasiguri masive si edhe pasiguri globale ushqimore nëse lufta vazhdon, drejtori i FMN-së për Ukrainën, Vladyslav Rashkovan deklaroi se ngjarjet që nga pushtimi i 24 shkurtit nënkuptonin se “ekonomia në Ukrainë ka ndryshuar në mënyrë dramatike”.

“Që nga 6 marsi, 202 shkolla, 34 spitale, më shumë se 1 500 shtëpi banimi përfshirë pallate, dhjetëra kilometra rrugë dhe objekte të panumërta të infrastrukturës së rëndësishme në disa qytete të Ukrainës janë plotësisht ose pjesërisht të shkatërruara nga trupat ruse”, tha ai.

OKB ofron parashikime të ngjashme

Nga Lindja e Mesme në Amerikën Latine, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi se lufta po prek njerëzit më të rrezikuar në botë për shkak të përçarjes në një vend të njohur si ”shporta” e bukës së botës.

Guterres tha dje se “shpata e Demokleut varet mbi ekonominë globale, veçanërisht në botën në zhvillim”.

Javën e kaluar, Oleg Ustenko, këshilltar ekonomik i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, vlerësoi dëmin në infrastrukturën e vendit në 100 miliardë dollarë (91 miliardë euro).

Rusia kufizon eksportet

Për shkak të rritjes së çmimeve që rezultojnë nga sanksionet ekonomike pas pushtimit të Rusisë, Kremlini do të kufizojë eksportet e elbit, thekës, grurit, misrit, drithërave të përziera, sheqerit dhe sheqerit kafe në mënyrë që të sigurojë furnizime për popullsinë vendase.

Kufizimet e eksportit do të fillojnë nesër dhe janë aktualisht në fuqi deri më 30 qershor.

Përjashtimet do të zbatohen për vendet në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik si dhe rajonet Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës, ku Rusia ka shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë në emër të përfaqësuesve të saj.

Edhe Jemeni ndjen valët e pushtimit të Ukrainës

Në Jemen, ku një nga konfliktet më të rënda në botë ka shkatërruar një popullsi të varfër, njerëzit besojnë në ndihma ushqimore për të shmangur urinë. Një e treta e furnizimeve me grurë vijnë nga Ukraina.

Shefi i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley paralajmëroi se “këto shifra rrëqethëse konfirmojnë se ne jemi në një numërim mbrapsht për katastrofën në Jemen dhe nuk kemi pothuajse kohë për ta shmangur atë”.

Beasley shkroi në Twitter se “realiteti nuk janë vetëm familjet në Ukrainë të ndikuara nga kjo luftë”.

Një deklaratë e përbashkët UNICEF-i dhe Programi Botëror i Ushqimit e quajnë rritjen e numrit të njerëzve që pritet të vdesin nga kushtet e urisë këtë vit “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Më shumë se 150 000 njerëz në Jemenin e shkatërruar nga lufta përballen me urinë. Gjysma e vajit të lulediellit në botë vjen nga Rusia dhe Ukraina dhe gati një e treta e grurit në botë.

OKB-ja ka plane të ndajë 40 milionë dollarë shtesë nga Fondi Qendror i Përgjigjes së Emergjencave për ndihmën humanitare për Ukrainën.

Argjentina pezullon eksportet e miellit të sojës dhe vajit

Dje, Argjentina tha se po pezullonte eksportet e miellit të sojës dhe vajit, pas indikacioneve në rritje për shtimin e taksave dhe të kostove të lëndëve të para, që po rriten në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.

Argjentina është furnizuesi më i madh në botë i të dy produkteve.

Në një deklaratë, zëvendësministri argjentinas për tregjet bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë tha se eksportet u pezulluan “deri në një njoftim të dytë”.

Buenos Aires po shqyrton rritjen e tarifave të eksportit me 2%, thënë ndryshe nga 31% në 33%.

Vitin e kaluar, mielli i sojës ishte eksporti më i madh i Argjentinës dhe vaji i sojës ishte eksporti i tretë më i rëndësishëm.