MENU
klinika

Aleksandër Çipa

‘Cari’ që gremis Rusinë dhe po shkatërron Europën

04.03.2022 - 14:16

Ajo që po bën sot Putini mbi Ukrainën është njëjtësisht ajo që bëri Hitleri në fillimin e vet nga urrejtja që pati për kapitalizmin perëndimor. Impulsi shpërthyes i luftës putiniste është hise pësuese me pasoja të pallogaritshme, për të sotmen dhe sidomos të ardhmen e Rusisë. Ndryshojnë nga njeri-tjetri, jo nga katil-llëku antinjeri, por nga strategjia. I pari, pra Hitleri, do të ngrinte një perandori të së keqes. I dyti, pra i sotmi Putin, duke dashur të bëjë karshillëk perandorak, po gremis vetë perandorinë në një hon me fund të pallogaritshëm.

Mësymja ushtarake pa arsye të vetme provokimi mbi Ukrainën, është hapja e një dere pa mbyllje pas, për vetë caristin e sotëm të Kremlinit, pra për diabolikun më të madh të shekullit tonë.

Kjo nuk është luftë e Rusisë mbi Ukrainën, kjo është luftë e Putinit me Botën. Ukraina është fillimi dhe ky fillim përfshin dhe të tjerë.

Në këtë fillim të pacak, shumëkush në Europë e krejt Perëndim ripërsërit pikëllueshëm pyetjen: Cilat përvoja janë vendimtare mbi ndërgjegjen agresive të Putinit?

Natyrshëm, shumë prej studiuesve kanë përcaktuar si përvoja të ngjashme, gati shëmbëllane me ato të Hitlerit, në fillimet e tij, në vitet 1914-1918. Paraprirësi gjëmëmadh i Putinit pra Hitleri, adhuroi përvojat gjakuese të Luftës së Parë Botërore. I shihte këmbënguljet e Perëndimit, sidomos të britanikëve, si modelin ushqyes për keqësinë që do të mbështillte ortekshëm e për ta hedhur mbi popujt dhe Botën. Hitleri e pa konkurencën me syrin politik të lakmisë dhe të madhimit negativ mbi të tjerët, pa llogaritur kurrë dhimbjen e njerëzve, popujve, kombeve dhe krejt njerëzimit.

Putini mbi gjithçka, me të njëjtën logjikë hitleriane, u mbyt nga miti i konkurimit me Perëndimin dhe sidomos NATO-n, forcën në aleancë ushtarake të Perëndimit dhe popujve që vetëpërfshihen të Europës.

Në këtë qasje, ukrainasit përballë urrejtjes putiniane, janë si hebrenjtë në sytë e Hitlerit që u urryen edhe për shkakun se ishin në levat e pushtetit perëndimor në kohën e mësymjes së parë të tij. Por ukrainasit janë shumë më ndryshe sot. Ukrainasit kanë vetëm ambicien e administrimit të sovranitetit të tyre si europianë në aleancë me Perëndimin dhe nuk kanë asnjë levë ndikimi apo qeverisjeje në Perëndim.

Për këtë po ndëshkohen kaq egër prej Putinit, për këtë nuk e morën në kohë dhe ende nuk po e marrin aleancën e meritueshme nga Perëndimi. Në pushtimin gjakues të këtyre dy javëve të para, ata nuk e kanë ende ndihmën potenciale dhe po përfitojnë vetëm mbështetjen morale. Fatkeqësia mbi Ukrainën dhe banorët e saj sapo ka nisur. Shumëkush shprehet se është projektuar një fat katastrofik. Presidenti i vendit, komediani Zelensky po lartësohet në fatin tragjik si politikani-qytetar që eklipson shkrumbin e gjithëfarësoj armëve që hedh Rusia mbi vendin e tij dhe duke fituar simpatinë e botës së trembur.

Ukraina sot është heroikja e vetvetes që do të mbetet në piedestalin e historisë njerëzore si model i heroizmit masiv kombëtar të viteve 2020 e në vazhdim.

Biografët e Hitlerit kohë pas kohe u rikthehen shqyrtesave të marrëdhënieve të tij me gjermanët. Kjo shqyrtesë dhe gjykimi shumëformësh bëhet aktualisht, ndërsa gjëma e madhe e Putinit sa ka nisur.

Putini nuk ka bashkërendim me popullin, por ka mundësinë e autoritetit shëmbëllan carist me segmentet e mëdha të stereotipisë diktatoriale ku përfshihet ushtria dhe shërbimi inteligjent, të cilat po i shet dhe përdor sikur kryen shërbim për rusët dhe hegjemoninë federatiste të tyre.

Putini sot nuk punon më për rusët. Në kohën ardhëshme ai do të shenjohet dhe gjykohet se po kryen vetëm veprën më dëm-madhe për Rusinë.

Biografët e Hitlerit vijueshmërisht kanë konstatuar se: “… ai ka patur për kohë të gjatë ndërmend “vetëm” krijimin e një superfuqie gjermane në Evropë, më shumë nuk ka kërkuar. Ai dëshironte një kundërpeshë ndaj fuqisë botërore SHBA: “Qëllimi i Hitlerit nuk ishte zotërimi i Botës, por mbijetesa kombëtare.”

Në këtë këndpamje, ngjashëm edhe Putini pas kësaj logjike është kapur për të hyrë në veprimin e vet katastrofik, ku si kapitull të pare, ka projektuar Ukrainën. Por pa Rusinë me vete!

I përdori rastet e pjesëve të kafshuara nga Ukraina (së pari Krimenë dhe më pas krejtësisht më ndryshe, Donnjeck dhe Luhansk), njëjtësisht siç përdori Hitleri zjarrin e rajshtagut për të shfuqizuar të drejtat themelore elementare me dekretin e emergjencës. Dhe përkon rastësisht në të njëjtin muaj kalendarik; mars, si për Hitlerin ashtu dhe për Putinin mbi Ukrainën.

Putini ka nisur të artikulojë doktrinën e vet të hegjemonisë atipike cariste. Në datën 22 shkurt të 2022 ai pohoi se: “Kush thotë se e mira duhet të jetë përherë e padhunshme?” Sofizëm i huazuar nga teoricienët pranë tij, kopjet e librave të të cilëve ua dhuron nëpër mbrëmjet e Kremlinit të ftuarve të nderit të cilët kanë qenë përherë e më të paktë e më të vrenjtur.

Historia e zezë që ka nisur të gjenerojë presidenti ala carist I Rusisë është ajo që intelektuali I famshëm bullgar Ivan Krastev e karakterizon si “fillim I një historie të re. “Koha e fuqisë së butë po mbaron. Të fuqishme janë ato shoqëri që mund të durojnë dhimbjen. Në shtëpitë e shkatërruara të Kievit dhe Harkivit, po merr fund një histori”.

Ukraina nën predha dhe shkrumb është prova e parë poetenciale dhe e mjaftueshme që Putini po e konfirmon Rusinë si fuqi të tërbuar dhe të pamëshirshme revizioniste. Putini duke shembur djegshëm dhe shkatërrueshëm Ukrainën dhe tjetërkënd, ndjek udhën e vendimit të vet për shkatërrimin e rendit europian.

Përballë këtij vendimi, Europa është e përgjumur, e ngathët. Krastev e çon më tej konstatimin: ”Kjo Europë tani po fundoset. Presidenti rus po shkatërron jo vetëm qytetet ukrainase dhe infrastrukturën ushtarake dhe energjetike, por edhe infrastrukturën morale dhe intelektuale”.

Ukraina sot dhe këto ditë që vijnë, është imazhi real i së shkuarës mesjetare të Europës. Janë pamje barletiane në Kiev, Kharkiv, Kherson, Konotop, Mariupol etj. Putini po gremis Rusinë duke shkatërruar sot Ukrainën dhe kushedi deri ku…, edhe Europën.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!