“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Doja të pyesja mjekun, sa i vërtetë është fakti që ushqimet me kalcium ndikojnë në shfaqjen e gurëve në veshka?
Mjeku: Jo. Më përpara ekzistonte idea që ushqimet me kalcium shtojnë sasinë e gurëve në veshka. Në të vërtetë studimet e viteve të fundit kanë treguar të kundërtën: ushqimet që janë të pasura me kalcium, kanë më pak shanse që të bëjnë gurë në veshka. Duket pak paradoksale, por kjo ka lidhje me problemin e oksalateve. Domethënë, ushqimet që janë të pasura me oksalate e favorizojnë formimin e gurëve në veshka. Kur merr ushqime me shumë oksalate dhe me pak kalcium, oksalatet përthithen shumë në zorrë dhe kalojnë me anë të gjakut në urinë dhe formojnë gurët nga oksalatet.
Gurët e oksalateve janë 80-90% e gurëve në veshka. Një i sëmurë që merr oksalate, por edhe ushqime me kalcium, kalciumi dhe oksalatet në zorrë lidhen bashkë dhe nuk i lë kalciumi që oksalatet të përthithen në zorrë. Dhe dalin me feçet jashtë. Në këtë rast, nuk përthithen oksalatet, nuk shtohen gurët në veshka.
Prandaj nuk këshillohet marrja e ushqimeve me pak kalcium. Bën përjashtim këtu vetëm kalciumi që merret në formë tabletash, të cilat merren jashtë momentit të ushqimit. Në këtë rast kalciumi mund të ndikojë në shtimin e gurëve në veshka.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.