“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si ta dalloj nëse vajza ka bulimi?
Mjeku: Bulimia prek kryesisht moshat e reja, por nuk mund të përjashtojmë edhe personat e rritur, pasi është një çrregullim ku ndikon shumë faktori social, mjetet e komunikimit dhe profesioni i personit, për shembull personat publikë (një aktor, një model, këngëtar, etj.) mund të jenë personat më të prirur për t’u prekur nga një çrregullim i tillë. Prek më tepër femrat se meshkujt dhe shpeshherë është e shoqëruar edhe me simptoma të ndonjë çrregullimi psikiatrik, si: depresioni dhe çrregullimet e ankthit, përdorimi i drogave apo alkoolit. Por mund të vërehen pasoja të tjera nga bulimia, të cilat shpesh janë të parat që bien në sy për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Shkaqet apo faktorët që e çojnë një person drejt bulimisë nuk janë fort të mirëpërcaktuara, por është një çrregullim që ka lidhje të drejtpërdrejtë me temperamentin individual. Janë personat me vetëbesim të ulët të cilët kanë krijuar një skemë të gabuar në trurin e tyre mbi pamjen që nga fëmijëria. Në moshën e adoleshencës, kur njeriu fillon e krijon një lloj vetëpëlqimi, tek këta persona fillon e dallohet një vetëvlerësim i ulët për pamjen, ndikuar kjo dhe nga shoqëria, mjedisi, puna që bëjnë. Faktori gjenetik luan një rol të rëndësishëm, gjithashtu.
Zakonisht prindërit janë të parët që e kuptojnë, por dhe të parët që duhen sqaruar. Ne si mjekë gjatë trajtimit të këtyre pacientëve aplikojmë seanca psikoterapeutike këshilluese të kombinuara (ndaj prindërve dhe fëmijës bulimikë) për shkak se është një problem ku prindërit luajnë një rol të rëndësishëm ndikues. Ne i këshillojmë vazhdimisht prindërit që kjo është një moshë ku fëmijët dinë ta keqshohin veten e tyre para pasqyrës, ndaj nuk duhet t’u bëjmë vërejtje vend e pavend lidhur me pamjen e trupit të tyre. Është mirë që zonja të konsultohet me një mjek specialist për rastin e së bijës.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.