MENU
klinika

Analiza

‘Bombat’ e pista dhe një këmbanë alarmi

28.10.2022 - 17:20

Rusia po flet sërish për armët bërthamore. Madje po flet shumë.

Më 24 tetor, kreu i forcave ruse të mbrojtjes nga rrezatim kimike dhe biologjik, Igor Kirilov, tha se Ministria ruse e Mbrojtjes kishte informacion në lidhje me planin e pretenduar të Ukrainës për të shpërthyer një të ashtuquajtur “bombë të pistë” (një pajisje shpërthyese që përmban material radioaktiv), me synimin për ta fajësuar Rusinë për këtë gjë.

Natyrisht, kjo është e pavërtetë, ashtu siç ishin të pavërteta edhe pretendimet e mëparshme. Rusia e ka akuzuar më parë fqinjin e saj më të vogël për shumë gjëra: se ka planifikuar të prodhojë armë bërthamore dhe sistemet e tyre të shpërndarjes; se ka prodhuar armë  biologjike me synim përdorimin e tyre ndaj Rusisë; apo se kishte planifikuar sulme mbi termocentralet e saj bërthamore dhe magazinat e mbetjeve radioaktive.

Në fakt asnjë nga këto ngjarje nuk ka ndodhur, sepse ato nuk ishin planifikuar ndonjëherë.

Atëherë, pse Kremlini vazhdon që ta flasë  mbi këtë çështje (sërish më 26 tetor, në komentet e vetë Vladimir Putin), kur mbi to ka një skepticizëm shumë të madh në nivel global?

Akuza me “bombat e pista”/ Çfarë loje po luan Rusia?

Në këtë rast synimi i vërtetë i Rusisë është ta kërcënojë Perëndimin, duke përdorur taktikat që ajo beson se kanë funksionuar në avantazhin e saj në të kaluarën. Moska mendon se kërcënimet e saj e dekurajuan SHBA-në dhe pjesën tjetër të Perëndimit nga vendosja e një zone ndalim-fluturimi në qiejt e Ukrainës.

Po ashtu beson se në një mënyrë të ngjashme, e dekurajoi Gjermaninë nga dërgimi i tankeve moderne në Ukrainë, dhe e inkurajoi Zvicrën, Hungarinë dhe Izraelin që të refuzojnë plotësisht kërkesat e Kievit për armë.

Këto konsiderohen si suksese nga Kremlini, që përmes kërcënimeve të reja shpreson të ndërpresë kanalet ekzistuese të furnizimit me armë, të pengojë ofrimin e aftësive të reja, dhe të demonstrojë se vazhdimi i rezistencës së Ukrainës do të jetë i rrezikshëm për Europën.

Deklaratat e tij bazohen në idenë se autoritetet në Kiev po planifikojnë aktivitete shumë të rrezikshme, dhe se do të përpiqen të fajësojnë për qëllime keqdashëse një Kremlin të “pafajshëm”. Sapo të ndodhte kjo, vijon argumenti në Moskë, Rusia do të fajësohej, duke siguruar një fitore të rëndësishme për Ukrainën dhe një përgjigje shumë domethënëse të Perëndimit.

Nga pikëpamja faktike kjo është absurde. Pasi Rusia nuk do të fajësohej për një “bombë të pistë” pa prova të forta, vetëm për të mbështetur pretendimin. Çdo armë bërthamore taktike që mund të përdorë Moska, është lehtësisht e dallueshme nga një “bombë e pistë”. (Dhe SHBA-ja vazhdon të shqetësohet se deklarata e Kremlinit mund të jetë pararendësja e një sulmi me armë bërthamore taktike).

Akuza me “bombat e pista”/ Çfarë loje po luan Rusia?

Megjithatë narrativa e Kremlinit na jep një lloj orientimi mbi synimet që ka. Nëse do të përdorte një armë bërthamore në ose afër Ukrainës, pasojat politike do të ishin shkatërrimtare për të. Dhe kjo e shqetëson shumë më tepër Rusinë sesa precedenti i përdorimit të armëve bërthamore ose viktimat që mund të shkaktohen.

Pasi nëse do të humbiste mbështetjen e Kinës, Indisë, Turqisë dhe shteteve të tjera mike, mund të shkaktonte një reagim të ashpër që do të dëmtonte të gjithë projektin e pushtimit. Miqtë e Rusisë, pasivë dhe aktivë, po e ndihmojnë në kompensimin e tregtisë së humbur me Perëndimin.

Buxheti i saj – dhe për rrjedhojë edhe lufta – varen jashtëzakonisht shumë  nga eksportet në këto vende. Nëse edhe ata distancohen nga Rusia, kjo e fundit do të zhytet në një izolim absolut, e paaftë për të kompensuar humbjet e veta. Prandaj është një plus i madh për botën që Rusia i kupton rreziqet e përdorimit të armëve bërthamore dhe ka frikë.

Po ashtu Moska ka frikë nga armët e reja dhe ato me rreze më të gjatë dhe aftësi më të mirë që zotërojnë tani forcat e armatosura ukrainase, dhe përdorimin e tyre të mundshëm kundër territorit rus në zona si Belgorod. (Ndërsa Ukraina po bombardon tashmë rajonin e Belgorodit më afër kufirit, sulmet e saj janë të kufizuar në shtrirje dhe shkallë).

Si mund të reagojë Kremlini, nëse forcat ukrainase do të ishin në gjendje të godisnin më tej qytete të tjera të mëdha në Rusi? Ajo përballet tashmë me kërkesa për sulme shtesë dhe më të rënda, pavarësisht bombardimeve aktuale të qyteteve të Ukrainës, nga një ithtar i madh luftës, udhëheqësi çeçen Ramzan Kadirov.

Ai argumenton se Rusia është treguar shumë e dobët, dhe se qytetet ukrainase duhet të zhduken nga faqja e dheut. Ukraina do të marrë nga SHBA raketa balistike ATACMS, me një rreze deri në 300 kilometra, dhe në atë moment shumë më tepër infrastrukturë ushtarake ruse do të ishte brenda rrezes të veprimit, duke i dhënë një goditje serioze përpjekjeve logjistike ruse për të furnizuar makinerinë e saj të luftës.

Për shembull, ura e rëndësishme e Kerçit, tashmë e dëmtuar rëndë nga sulmi i 8 tetorit, mund të përballet me sulme të përditshme. Po ashtu edhe objektiva të tjerë në Krime. Duke pasur parasysh kërcënimin, është logjike që Rusia të  mund të bëjë gjithçka që ka në dorë për ta portretizuar Ukrainën si një fuqi të rrezikshme e të pa balancuar.

Akuza me “bombat e pista”/ Çfarë loje po luan Rusia?

Nëse ka ndonjë gjë që e shqetëson Kremlinin më shumë sesa Ukraina, që furnizohet ende me teknologji ushtarake shtesë të nivelit të lartë nga SHBA-ja, është frika se vendimi për të përdorur armët bërthamore – ose se ai qëndron pas shpërthimit të një bombe ‘të pistë’ – do të shkaktonte ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe NATO-s në luftë.

Ky ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia që nisi më 24 shkurt. Sigurisht që një hap i tillë do t’i afronte kundërshtarët më afër një angazhimi bërthamor. Është e qartë se këtu ka vend për keqkuptime dhe përshkallëzim.

Gjithsesi Perëndimi nuk është i detyruar të ndjekë logjikën e Rusisë, sipas së cilës çdo veprim i fortë çon në një reagim ekstrem. Ukraina duhet të marrë mbështetje ushtarake shtesë. Dhe sa për zërat në Rusi që argumentojnë se ajo mund përdorë sulme edhe më të forta ndaj Ukrainës, dhe se as SHBA dhe as Perëndimi nuk do të kundërpërgjigjen në ndonjë lloj mënyre, ka vetëm një përgjigje: Rusia nuk mund të lejohet që të diktojë përgjigjet e Perëndimit përmes shantazhit të saj bërthamor.

Burimi: Center of European Policy Analysis