MENU
klinika

Ekspozitë e përbashkët Shqipëri-Kosovë

“Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve (1863-1944)”

23.10.2022 - 14:08

Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022 çelën ekspozitën me titull “Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve (1863-1944)”.

Ekspozita “Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve (1863-1944)”, e ideuar dhe kuruar nga Muzeu Historik Kombëtar, përmban foto dhe skica të realizuara nga vetë Edith Durham-i gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare.

Po ashtu, duhet theksuar se Mbretëresha e Maleve shqiptare njohu nga afër dhe ka pasur letërkëmbime me shumë prej personaliteteve të shquara të vendit tonë, si me Ismail Qemalin, Kristo Dakon, Dervish Himën, Mit’hat Frashërin, Pandeli Evangjelin, Faik Konicën, Lef Nosin, Mehmet Konicën, motrat Qiriazi, Aqif Pashë Elbasanin, Hil Mosin, Hoxhë Kadrinë, Bajram Curin etj.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, dhe drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci.

Ata theksuan rëndësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit mes dy institucioneve më të mëdha muzeore të dy vendeve.

Edith Durham-i e kishte origjinën prej një familjeje të madhe dhe të pasur nga veriu i Londrës. Ajo ishte më e madhja prej tre vëllezërve dhe gjashtë motrave, të cilët qenë të suksesshëm në karrierat e tyre. Vetë Edith-i përfundoi “Bedford College” në Londër (1878-1882) dhe më pas studioi për pikturë dhe vizatim në Akademinë Mbretërore të Arteve.

Udhëtimi i parë (1900-1901). Pas vdekjes së të atit, Durham-it iu desh që, për vite me radhë, të kujdesej për nënën e sëmurë. Në moshën 37-vjeçare, me këshillën e mjekut, ajo shkoi për pushime jashtë vendit, për t’u qetësuar. Me anë të rrugëve detare, u nis nga Anglia për në brigjet e Dalmacisë dhe e vazhdoi udhëtimin për në Trieste e Kotor, ndërsa në fund shkoi në Cetinjë, kryeqyteti i Malit të Zi. Kjo pjesë e vogël dhe e harruar e botës do t’i linte mbresa të thella.

Udhëtimi i dytë (1902-1903). Pasi kishte mësuar pak serbisht dhe shumë më tepër për historinë e Ballkanit, Durham-i bëri një udhëtim në Serbi, për të mbledhur të dhëna për librin e saj të parë, Përmes trevave të Serbit (Through the Lands of the Serb), Londër 1904. Në libër përfshihen edhe rrëfimet për vizitat e saj në Shkodër dhe në Kosovë. Duhet theksuar se ato udhëtime kërkonin guxim dhe këmbëngulje të madhe, sidomos për një femër që udhëtonte vetëm.

Udhëtimi i tretë (1904). Në fund të vitit 1904 ajo u kthye për një qëndrim pesëmujor në Ballkan, ku punoi për Komitetin Humanitar Maqedonas. Mbresat e këtij udhëtimi përshkruhen në librin Brenga e Ballkanit (The Burden of the Balkans), Londër 1905. Në libër përfshihen edhe rrëfimet e udhëtimit të saj të parë në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme – nga Manastiri në Korçë, Leskovik, Përmet, Pojan, Berat, Mirditë, Tepelenë, Elbasan e Shkodër.

Udhëtimi i katërt (1906-1907). Në vitet 1906-1907 udhëtoi në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë për të mbledhur materialin etnografik që u botua shumë më vonë në librin e saj Disa prejardhje fisnore, ligje dhe zakone të Ballkanit (Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans), Londër 1928.

Udhëtimi i pestë (1908). Në verën e vitit 1908, ajo ndërmori një udhëtim tjetër në Malin e Zi dhe prej aty shkoi në Shkodër dhe pastaj, përmes Malësisë së Veriut, shkoi në Kosovë. Këtë udhëtim e ka përshkruar në librin e saj më të njohur, Shqipëria e Epërme (High Albania), Londër, 1909.

Udhëtimi i gjashtë (1911-1913). Ngaqë u sëmur rëndë nga malaria, Edith Durham-i e kaloi dimrin e vitit 1910 në Egjipt, ndërsa një vit më vonë u kthye në Shkodër dhe u strehua në familjen Shantoja. Libri Lufta për Shkodrën: turq, sllavë e shqiptarë (The Struggle for Scutari: Turk, Slav and Albanian), Londër 1914, përqendrohej në rrethimin e përgjakshëm malazez të Shkodrës, në kohën e pavarësisë së Shqipërisë.

Udhëtimi i shtatë (1921). Për herë të fundit erdhi në Shqipëri në vitin 1921, ku u takua me Fan Nolin.

Mary Edith Durham-i do të mbetet përgjithmonë si një grua e rrallë dhe një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe e dashur. Nga dita që ajo shkeli në tokën shqiptare, u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti dhe vlerat morale të shqiptarëve. Madje edhe vetë u tregua shqiptare me zemër e me shpirt. Kjo është arsyeja pse të gjithë shqiptarët e nderojnë, e respektojnë dhe e kujtojnë si bijën e tyre. Dhe jo më kot i kanë dhënë titullin e lartë Mbretëresha e Maleve. Prej kohësh ajo është pjesë e historisë së Shqipërisë.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB