MENU
klinika

Një nga marrëveshjet më të çmendura

Si e bleu Twitter-in njeriu më i pasur në botë!

28.10.2022 - 09:41

Në fund të marsit në San Jose, u mbajt një takim i organizuar me nxitim në një Airbnb për të pritur personin më të pasur në botë.

Ishte takim i madh për Twitter. Elon Musk ishte bërë aksioneri më i madh i medias sociale. Më pas u përfol se ai donte të hynte në bordin e kompanisë. Kur kryetari i Twitter -it, Bret Taylor, mbërriti në takim, nuk ishte ashtu siç priste.

“Ky është vendi më i çuditshëm ku kam pasur një takim kohët e fundit”, thuhet se i ka dërguar mesazh Musk. Takimi shkoi mirë dhe disa ditë më vonë u njoftua se Musk do t’i bashkohej bordit të Twitter. Ky ishte vetëm fillimi. Gjashtë muajt e ardhshëm do të dëshmonin një nga marrëveshjet më të çmendura në historinë e Silicon Valley.

Në fillim të prillit, Musk dukej i kënaqur me pozicionin e tij në bordin në Twitter, duke postuar rregullisht në Twitter se si mund të ndryshojë kompania. Megjithatë, takimet private mes tij dhe CEO i Twitter, Parag Agrawal nuk kishin shkuar mirë. Të dy nuk binin dakord se si të rregullonin platformën. Musk u zhgënjye. “Rregullimi i Twitter duke biseduar me Parag nuk do të funksionojë”, thuhet se i ka dërguar mesazh Taylor. “Duhet veprim drastik”.

Më 14 prill, miliarderi deklaroi publikisht se donte të blinte Twitter dhe ofroi 44 miliardë dollarë për median sociale. Bordi i Twitter fillimisht e refuzoi ofertën, madje tentoi ta parandalojë Musk që të blinte me forcë kompaninë. Por më pas bordi i Twitter vendosi që të pranonte marrëveshjen dhe më 25 prill, Twitter njoftoi se e kishin pranuar ofertën.

“Yesssss” shkroi Musk në Twitter.

Musk argumentoi se Twitter kishte humbur rrugën dhe kishte kufizuar fjalën ndaj duhej të vendoste lirinë e fjalës mbi gjithçka tjetër. Ai tha se nuk i interesonte aspak “ekonomia” në një intervistë në konferencën TED2022 në Vankuver, Kanada. Javët dhe muajt pas marrëveshjes kishte rënie të aksioneve të teknologjisë. Vlera e Twitter gjithashtu u zbeh. Së shpejti, shumë analistë filluan të pyesin nëse Musk kishte paguar më shumë për Twitter.

Publikisht, ai filloi të bëjë një pyetje tjetër, “sa llogari reale kishte në Twitter”?

Miliarderi, i renditur nga Forbes dhe Bloomberg si personi më i pasur në botë, me një vlerë neto prej rreth 250 miliardë dollarë, ishte ankuar për vite me radhë për numrin e llogarive të rreme në platformë. Pasi u pranua oferta e tij, ai vazhdimisht i kërkoi Twitter -it të jepte të dhëna se sa përdorues të vërtetë kishte.

Drejtuesit e Twitter ndanë shifrën e tyre se më pak se 5% e përdoruesve aktivë të përditshëm, bazuar në vlerësimet nga llogaritë e përzgjedhura rastësisht, ishin të rreme. Dukej se kjo e zemëroi Musk. Marrëveshja po prishej. Jo krejt papritur, më 8 korrik, Musk njoftoi se donte të tërhiqej nga marrëveshja.

A po përpiqej të merrte një çmim më të mirë për kompaninë apo po largohej vërtet? Ishte e vështirë të thuhej.

Twitter argumentoi se marrëveshja e Musk për të blerë kompaninë ishte ligjërisht e detyrueshme dhe heqja dorë tani nuk ishte një opsion. Me avokatë shumë të shtrenjtë nga të dyja palët, një datë gjyqi u caktua në Delaware më 17 tetor për të vendosur nëse Musk do të detyrohej të blinte kompaninë. Në dokumentet e gjykatës, Twitter argumentoi se i kishte dhënë atij informacion të mjaftueshëm se sa përdorues të vërtetë kishte.

Musk argumentoi se Twitter mund të kishte shumë herë më shumë llogari të rreme sesa kishte pretenduar publikisht, dhe madje akuzoi kompaninë për mashtrim. Të gjitha këto po e dëmtonin Twitter -in. Shumica dërrmuese e të ardhurave të Twitter vijnë nga reklamat dhe reklamuesit kishin filluar të pyesnin se sa reklama po u shfaqeshin njerëzve të vërtetë. Procesi po bëhej jashtëzakonisht shpërqendrues edhe në selinë e Twitter. Disa punonjës u kënaqën me idenë që Musk të bëhej CEO i tyre.

Musk, Twitter, gjyqtari dhe gazetarët, të gjithë po përgatiteshin për atë që dukej si një çështje gjyqësore e pashmangshme kur ndodhi një kthesë tjetër e jashtëzakonshme. Nga askund, pasi bëri të gjitha llojet e akuzave kundër Twitter, Musk papritmas njoftoi se marrëveshja ishte rikthyer. “Blerja e Twitter është një përshpejtues për të krijuar X, aplikacionin për gjithçka”, tha ai.

Çfarë ia kishte ndryshuar mendjen? Ndoshta ai mendoi se do ta humbiste çështjen e tij gjyqësore. Disa ditë para se të shpallte ndryshimin e tij, ai do të përballej me një padi nga avokatët në Twitter. Ndoshta ai donte të shmangte atë që do të kishte qenë një gjyq rraskapitës.

Megjithatë Twitter reagoi në heshtje. Taylor shkroi në median sociale se kompania ishte “e përkushtuar të mbyllte transaksionin për çmimin dhe kushtet e dakorduara me Musk”. Twitter gjithashtu kërkoi që çështja gjyqësore të shtyhet, jo të anulohet. Avokatët e Musk u përgjigjën se Twitter “nuk do të marrë ‘po’ si përgjigje”.

Musk kishte kohë deri në orën lokale 17:00 më 28 tetor për të nxjerrë paratë. Një pjesë të të ardhurave Musk, i siguroi duke shitur disa nga aksionet e tij në Tesla. Një marrëveshje, e cila herë-herë dukej e pazgjidhshme, tani duket se më në fund është përfunduar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fillon shkarkimin e drejtorëve të kompanisë

Elon Musk blen “Twitter-in” për 44 miliardë dollarë!


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!