“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Cila është mosha e fillimit të edukimit seksual?
Mjeku: Fillon që në moshë të vogël në familje e vazhdon e programuar në kopshte (në shumë vende, këto institucione kanë personel të këtij profili) duke filluar prej moshës 3 vjeç e diku mbas 4. Për njohjen e pjesëve të trupit, si për shembull: ç’është vagina, penisi, mitra, si krijohen, etj. nuk mjaftojnë fjalë, prandaj ilustrohen me mjete të ndryshme.
Po prindërit që nuk e kanë dhe aq të lehtë t’u përgjigjen disa pyetjeve “delikate”, si të veprojnë?
Kush pret ose ka fëmijë, ashtu si merr njohuri bazë për ushqyerjen, higjienën, masat parandaluese etj, me të njëjtin përkushtim të marrë njohuri dhe në këtë fushë. Sot edhe në vendin tonë, tabutë gradualisht po ia lënë vendin shkencës; me pak interesim gjen jo vetëm mjaft burime literature, por dhe konsulentë kompetentë të kësaj fushe. Nëse këtë nuk e keni bërë, për të dalë nga situata, në vend që të gënjeni, me marifet shmangiuni pyetjeve dhe përgjigjuni pasi të jeni konsultuar për ato që duhen thënë.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.