Kurum International, kompani e përpunimit të metaleve dhe prodhimit të energjisë, është eksportuesi më i madh në vend dhe sipërmarrja e tretë për të ardhurat, me 42 miliardë lekë në vitin 2021. Ndërsa në vitin 2021, të ardhurat u rritën me 76% pas rikuperimit nga pandemia dhe në 2022, energjia kompensoi rënien e metaleve, për vitin 2023, drejtuesit e Kurum nuk janë optimistë.
“Si kompani, vlerësojmë se viti 2023 do të jetë më i vështirë se 2022. Në vijim priten rënie të bursave dhe tregjeve të metaleve, ndërkohë që çmimet e energjisë parashikohen të mbeten të larta, duke lënë shumë pak hapësira për industrinë vendase të përballojë kostot dhe të dalë në tregje”, thotë Arif Shkalla, drejtor ekonomik i Kurum.
“Prodhimi i çelikut pritet me rënie, dhe kompania parashikon të kombinojë prodhimin vendas në periudhat ku kostoja e energjisë do të jetë e përballueshme, me import të gjysmëprodukteve dhe produkteve finale për tregtim.
Konkretisht, parashikohet të punohet me kapacitete pothuajse të plota në fabrikën e petëzimit, duke përdorur si lëndë të parë edhe lingotat të prodhuara në fabrikën e çelikut, edhe lingota importi. Në rast se do të ndodhë rritje kërkese tregu gjatë sezonit janë parashikuar dhe importe të shufrave të çelikut direkt për treg”.
Në sektorin e energjisë, kompania shpreson në një vit me më shumë reshje se viti 2022, për sasinë e prodhimit të energjisë. Kompania pret të ndikohet në përfitueshmëri (fitimi do të jetë ndjeshëm më i ulët) pasi edhe taksa e kontributit të solidaritetit (50% e të ardhurave mbi 8.5 lekë në energji) do të ketë efekt mjaft negativ, duke marrë fitimin e parashikuar.
“Kundërshtimi i shoqërisë Kurum International në lidhje me këtë taksë është se ajo aplikohet për vitin 2023, por duke u llogaritur mbi të dhënat e prodhimit dhe shitjes së vitit 2022, pra me fuqi prapavepruese, kur në Kushtetutë e në praktikën botërore, taksat nuk kanë fuqi prapavepruese. Edhe norma 50% është mjaft e lartë për nivelin e ekonomisë së Shqipërisë”, thotë z. Shkalla.
Si në volum, ashtu dhe në xhiro, kompania pret rënie me të paktën 10-15% në vitin 2023. Fabrika e çelikut pritet të punojë me ndërprerje, me rreth 50% të kapacitetit.
Në fillim të gushtit 2022, Kurum mbylli përkohësisht fabrikën e çelikut dhe të petëzimit, si rrjedhojë e çmimit të shtrenjtë të energjisë, që arriti në atë kohë deri në 750 euro MWH dhe pothuajse përgjysmimit të një toni çelik në 700 euro. Nga 1 tetori 2022, fabrika e petëzimit është hapur dhe nga 1 nëntori, ndërmarrja e çelikut po punon me gjysmë kapacitet.
Ndërsa 6-mujori i parë ishte pozitiv për prodhimin e çelikut, i ndihmuar dhe nga shtrenjtimi i çmimeve, pjesa e dytë shënoi rënie, duke bërë që i gjithë viti të mbyllet me minus.
Por, z. Shkalla thotë se rënia e të ardhurave nga përpunimi i metaleve është kompensuar nga shitja e energjisë, që në vitin 2022 shënoi rekord në të ardhura, jo në sasi të prodhuar, sepse ishte vit relativisht i thatë, por për shkak të shtrenjtimit të ndjeshëm të energjisë.
Si rrjedhojë, në vitin 2022, Kurum ka rezultuar me rritje të ardhurash, si rrjedhojë e çmimeve të larta (sasitë e shitura ishin me rënie). Edhe fitimet u rritën ndjeshëm, falë energjisë, ndonëse një pjesë e tyre do të paguhet si tatimfitim shtesë.
Ndryshimet në Paketën Fiskale 2023 parashikojnë një kontribut solidariteti për prodhuesit e energjisë, që do të llogaritet mbi të ardhurat shtesë të krijuara nga shitja në treg të lirë e energjisë elektrike të prodhuar me çmim më të lartë se 8.5 lekë/kWh, duke i tatuar të ardhurat shtesë me 50%.
Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos marinzës dhe është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend ka pritshmëri pozitive këtë vit.
CEO i Bankers Petroleum Albania, Huanqin Xiao pohon se Bankers do të vazhdojë të rrisë prodhimin (planifikohet të rritet gradualisht në 1 milion ton për tre vitet në vijim).
“Në vitin 2021, prodhimi i naftës ishte 610,000 tonë krahasuar me 670,000 tonë të prodhuar në vitin 2020. Prodhimi pësoi rënie të lehtë, për shkak të sfidave me të cilat ne u përballëm në vitin 2020, kur u detyruam të reduktonim në minimum operimet në Patos-Marinëz.
Pavarësisht rritjes së çmimit të naftës, situata financiare nuk na lejoi t’i riktheheshim shpimit të puseve të reja të naftës dhe kështu të rrisnim më tej prodhimin”, pohon CEO i Bankers Petroleum Albania.
Kompania është më optimiste për periudhën në vijim.
“Do të shpojmë më shumë puse (45 puse të tjera do të shpohen në 2023-n). Nëse do të mund të kemi një mjedis pozitiv për investime, ne do të vazhdojmë të investojmë më shumë dhe do të vazhdojmë të japim kontribute më të mëdha për Shqipërinë.
Një vendburim si Patos-Marinza duhet të prodhojë të paktën 1 milion ton në vit. Me optimizimin e teknologjisë dhe ndryshimet e favorshme të politikave nga qeveria, ne shpresojmë ta arrijmë këtë objektiv”, pohon ai.
Në vitin 2021 kompania raportoi të ardhura rreth 22.3 miliardë lekë, me rritje prej 50% me bazë vjetore, sipas burimeve të saj zyrtare (bilanci në QKB nuk është dorëzuar ende). Kompania u rikuperua me shpejtësi, pas përgjysmimit të të ardhurave në 2020-n, si rrjedhojë e pandemisë dhe mbylljes së përkohshme të aktivitetit për disa javë në momentin e fillimit të karantinës.
Industria fason nuk është entuziaste për vitin 2023, për shkak se kriza ekonomike do të frenojë konsumin dhe porositë, kurse moti i ngrohtë këtë dimër ka krijuar stoqe në magazina, gjë që do të ndikojë në kërkesa më të pakta për dimrin e ardhshëm.
Sfidat e fuqisë punëtore janë bërë më të mprehta nga emigracioni dhe ndryshimi i vizionit për punën pas pandemisë Covid-19. Nënçmimi i Euros dhe rritja e kostove të lëndëve të para kanë gërryer fitimet e industrisë këtë vit.
Lufta në Ukrainë rriti porositë, por dhe kostot
Lufta në Ukrainë, përtej efekteve negative në të gjitha fushat, në sektorin fason solli shtimin e porosive për veshje dhe këpucë, që deri në fillim të luftës bëheshin atje, thotë Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës ProEksport, që përfaqëson interesat e prodhuesve të këpucës dhe tekstilit.
Përveç rritjes së porosive, ngjarjet post-Covid-19 dhe lufta në Ukrainë kanë ndikuar në rritjen e kostove. Eva Laro, e cila drejton kompaninë e prodhimit të këpucës Prodyn, shprehet se me luftën, janë rritur ndjeshëm kostot nga rritja e çmimeve të energjisë, por edhe të materialeve dhe lëndëve të para.
Gjergj Leqejza, i cili zotëron fabrikën e prodhimit të tekstileve “Madish” në Shkodër, thotë se kostot e prodhimit janë rritur njëzëri, duke filluar nga 25 deri mbi 100%, të cilat sipas tij janë pengesa kryesore për qëndrueshmërinë e sektorit në të ardhmen.
Sipas z. Prençe, efekti negativ i kursit të këmbimit (Euro/Lek) vetëm në muajin dhjetor 2022 ka sjellë humbje për të gjithë sektorin, që llogaritet në 450.000 euro. Shpresojmë që të ketë përmirësim (rritje të euros kundrejt lekut), shtoi ai.
Si po transferohen kostot në fason
Sektori i prodhimit të tekstileve dhe këpucëve po e amortizon një pjesë të kostove, duke gjetur kontraktorë që ofrojnë çmime më të larta.
Rritja e kostove dhe kërkesës për porosi në Shqipëri, po i çon fabrikat shqiptare drejt segmentit për prodhim që targetojnë produkte për nivelin mesatar.
“Rritjet e kostove po përballohen nga rritja e çmimeve të produktit në treg, por mendoj se pas disa muajsh, kur të nisë stabilizimi i çmimeve të tregut të jashtëm, biznesi shqiptar do ta gjejë veten në vështirësi”, shprehet z. Leqejza.
Edvin Prençe, nga Shoqata ProEksport, tha se rritja e kostove ka ulur normën e fitimit, pasi me klientin final është e vështirë të rishikohen çmimet, sepse do të favorizonte konkurrentët tanë (Serbi-Maqedoni e Veriut) të tërheqin markat europiane që prodhojnë aktualisht në Shqipëri.
Sipas Eva Laros, nga fabrika Prodyn, një pjesë e kostove po përballohen duke rritur çmimet ndaj klientëve dhe një pjesë po absorbohet nga rritja e produktivitetit apo gjetja e furnitorëve me çmim më konkurrues.
Viti 2023, rritja e ngurtë, do të ngadalësohen porositë
Kriza ekonomike pas luftës në Ukrainë do të mbajë të ngurta porositë për industrinë në vitin 2023. Sektori fason nuk është shumë optimist për vitin që vjen, pasi moti i ngrohtë ka mbajtur stok një pjesë të veshjeve dhe këpucëve për sezonin dimëror. Ndërkohë situata do të ulë porositë për dimrin e ardhshëm, të cilat nisin të prodhohen në muajt e parë të vitit 2023.
Znj. Laro thotë se numri i porosive në botë ka rënë për të gjithë klientët. Ajo pret që kjo gjë të reflektohet edhe në porositë e kompanive në Shqipëri.
“Parashikimet janë që në 3-mujorin e parë do këtë ngurtësim të lehtë të porosive, pasi magazinat finale janë të mbushura nga prodhimet dimërore (nuk ka bërë një stinë normale dimri), në vendet europiane ka pasur ulje të shitjeve. Mbetet të shpresojmë që prilli 2023 ta përmirësojë situatën me afrimin e pranverës”, – tha z. Prençe.
Mungesa e fuqisë punëtore, sfida e fasonit edhe në vitin 2023
Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin fason është më e mprehtë se në çdo sektor tjetër, pasi aktiviteti në fabrikat shqiptare varet thuajse tërësisht nga krahu i lirë i punës.
“Mungesa e punonjësve po sjell rënie të prodhimeve dhe ulje të faturimit të bizneseve. Këto janë një pjesë e problematikave që po mbartim nga 2022 dhe sigurisht që do të jetë e mprehtë edhe në vitin 2023”, tha z. Prençe.
“Situata pas Covid-19, bashkë me luftën në Ukrainë, vazhdojnë të kenë efekt shumë të madh në të gjitha drejtimet, po sidomos duke filluar nga një ndryshim i dukshëm i sjelljes karshi punës nga të punësuarit”, – thotë z. Leqejza nga Madish. Vetëdija e njerëzve se për një moment gjithçka mund të ndryshojë është rritur, ndaj kjo ka ndryshuar sjelljen e tyre ndaj punës shpjegoi ai.
“Jemi në një situatë të çuditshme ku njerëzit, përveçse nuk duan të punojnë për arsye të ndryshme, si tendenca për të emigruar, ka lëvizje të palogjikshme të punëtorëve nga një sektor në tjetrin pa asnjë kriter”, – shtoi z. Leqejza.
Znj. Laro shprehet se gjetja e punonjësve mbetet sfidë për të gjitha kompanitë dhe i takon biznesit rishpikë mënyrën si të krijohet vlera e shtuar për punonjësit, duke rritur automatizimin dhe duke përmirësuar efektivitetin, eficiencën në çdo drejtim.
Pagat në fason, në rritje edhe më 2023
Në sektorin fason, rritja e pagave do të vijojë edhe vitin që vjen, pasi kërkesa e lartë për punonjës do të orientojnë tregun e punës drejt këtij trendi, tha z. Prençe, por kjo, sipas tij, është me rrezik, nëse nuk shoqërohet në mënyrë paralele me rritje të produktivitetit/cilësisë të punonjësve.
Znj. Laro thotë se në vitin 2022 ka aplikuar dy herë rritje pagash, në prill dhe në shtator, por sipas saj do të jetë e paqartë dhe e paparashikueshme për vitin 2023.
Sipas Gjergj Leqejza, pagat edhe në vitin 2023 do të rregullohen nga kërkesa dhe oferta në tregun e punës. Ai theksoi se është rritur presioni nga qeveria nëpërmjet rritjes së pagës minimale.
“Rritja pa asnjë logjikë e pagave, e sidomos ndërhyrja e institucioneve të shtetit për të ndikuar në rritjen e tyre me ligje, ka ndikuar negativisht në mënyrën e sjelljes së fuqisë punëtore dhe për mendimin tim, bie ndesh me rregullat e tregut të lirë”, tha ai.
Sektori i Call Center do të hasë vështirësi për rekrutime të reja edhe në vitin 2023.
Operatorët pohojnë se arsyeja kryesore e mungesës së fuqisë punëtore është largimi i të rinjve në emigracion.
Për të rikuperuar humbjet nga mungesa e të rinjve që janë njohës të gjuhës italiane, disa prej kompanive Call Center kanë nisur ofrimet e kurseve të gjuhës italiane falas. Por kurset bashkë me promocionet e marketingut për gjetjen e punonjësve kanë rritur tepërmi kostot e kompanive.
“Në vitin 2023 e shoh shumë të vështirë rritjen e numrit të punonjësve, pasi tashmë, të rinjtë e konsiderojnë provizore punën në Call Center. 80% e të rinjve që ne intervistojnë për rekrutime janë shprehur që kërkojnë të punojnë me orar të kufizuar deri në 4 orë.
Në sektorin Call Center nuk ekziston më brezi i të rinjve që punonin 8 orë dhe kishin produktivitet të lartë. Shumë prej atyre që punojnë në Call Center synojnë të largohen në Gjermani. Pagat e larta dhe lehtësimi në nxjerrjen e dokumentacionit janë motivet kryesore të largimit të të rinjve jashtë Shqipërisë.
Prej kohësh ofrojmë kurse të gjuhës italiane falas, me qëllim përgatitjen e vetë të tregut të punës. Por kjo na ka rritur shpenzimet, pasi paguajmë mësuesit, sallat për mësim, si dhe marketingun në rrjetet sociale për rekrutimet. Kostot për kualifikimet e punonjësve dhe marketingu llogariten sa pagat e 10 deri në 15 punonjësve në muaj”, pohon Alketion Cali, administrator i kompanisë “Icon Albania”.
Z.Cali thotë se kompanitë e vogla Call Center nuk i përballojnë dot pagat e punonjësve 1,000 euro. Sipas tij, kriza e fuqisë punëtore do të vërë në rrezik kompanitë e vogla.
“Pagat në këto tre vitet e fundit janë rritur 50%. Sektori Call Center, veçanërisht të vegjlit, nuk mund t’i përballojnë pagat mbi 1,000 euro në muaj. Vetëm platformat Forex ofrojnë paga mbi 2,000 euro në muaj. Kjo i ka demotivuar punonjësit. Të gjithë kërkojnë të punojnë pak orë me më shumë para.
Nga ana tjetër, fushatat e reja me Italinë për shërbimet e klientit në telekomunikacion na janë refuzuar, për shkak të problematikës që është krijuar në Shqipëri me daljen e të dhënave sensitive”.
Edhe Ervin Gogo, administrator i “Albacontact”, e konsideroi më herët për “Monitor” gjetjen e fuqisë punëtore, si sfidën më të madhe në 18 muajt e fundit për sektorin Call Center.
Z. Gogo pohoi se oferta për punë është e lartë dhe kompanitë kanë kontrata dhe orë pune për rekrutime të reja, por për shkak të largimit të të rinjve nga Shqipëria janë duke luftuar për të qëndruar në treg. Sipas tij, kërkesa për punë është tkurrur 10 herë më shumë se rreth dy vite më parë. Z. Gogo parashikoi se në terma afatshkurtër, problemi duket i pazgjidhshëm për sektorin.
Sipas të dhënave të Tatimeve, deri në muajin shtator 2022, në Call Center ishin të punësuar 12,404 punonjës. Krahasuar me vitin 2021, numri i të punësuarve ka rënë 18%.
Numri i ndërmarrjeve Call Center, sipas të dhënave të DPT deri në shtator 2022 ishte 543 biznese. Sektori Call Center mori zhvillim pas vitit 2010.
Në 11 vitet e fundit (periudha nga viti 2011 deri shtator 2022) tendenca rënëse e kompanive që ushtrojnë aktivitet në Call Center nisi nga 2018. Në këtë periudhë, numri i bizneseve është ulur 19% në raport me 2017. Në vitin 2021, në vend vepronin 591 kompani. Krahasuar me 2020-n, numri i tyre është rritur 4%.
Çmimi i kafesë në bare dhe ushqimit në restorante në vitin 2023 do të jenë më të shtrenjta se viti që lamë pas.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, z. Enri Jahja, thotë se në 2023, rritja e çmimeve do të jetë deri në 20% më shumë se në vitin 2022.
Shtrenjtimi do të ndikohet nga mungesa e fuqisë punëtore, ku përballë presionit të largimit në emigracion të punëtorëve, bizneset e shërbimeve kanë qenë të detyruar të rrisin pagat.
Ndërsa kostot e shtuara nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe lëndëve të tjera që ofrohen në bare dhe restorante do të lokalizohen te konsumatori, ndryshe nga sa ndodhi në 2022, ku kostot e shtuara u amortizuan nga fitimet e bizneseve.
“Në vitin 2023, në tregjet globale parashikohet vijimi i krizës së çmimeve energjetike, që do të ndikojnë në shtrenjtimin e lëndëve të para që do të shiten nga furnitorët.
Në vendin tonë, konsumi pritet të ketë trend negativ, ose të njëjtë me vitin 2022, si pasojë e injektimit të parave të zgjedhjeve të ardhshme vendore që do të mbahen në pranverë. Për këto arsye parashikimi nuk është pozitiv në vitin 2023.
Në anën tjetër, pas vitit të ri do të kemi rritje të çmimeve për të gjitha produktet që ofrohen nga strukturat e shërbimit, pasi deri tani, rritja e çmimeve është mbuluar nga baret dhe restorantet, si dhe nga distributorët.
Nga janari 2023, kostoja e shtuar do t’i ngarkohet konsumatorit. Lëvizja e çmimeve do të jetë nga 10 deri në 20%. Do të rritet kafeja, si dhe produktet ushqimore në restorante, si: mishi, pastat, orizi etj.
Kriza e mungesës së punonjësve do të vazhdojë për të paktën tre deri në pesë vjet, pasi bizneset shqiptare duhet të ndryshojnë qasjen për kushtet e punës dhe marrëdhëniet me punonjësit e tyre. Ka një thënie që po qarkullon tashmë kudo nëpër botë: “The new boss is the employer” (Punonjësi është bosi i ri)”.
Emigracioni i lartë i moshave të reja shkaktoi mungesë të theksuar të fuqisë punëtore në vitin 2022, veçanërisht në muajt e verës, edhe për sektorin e shërbimit në bare dhe restorante. Në muajt e verës, drejtuesit e bareve dhe restoranteve punësuan punëtorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi me paga të larta.
Në vitin 2022, sektori vuajti edhe rënien e konsumit në restorante, ku sipas z. Jahja, faktorët kryesorë ishin pasiguria e krijuar nga rritja e çmimeve dhe mungesa e qarkullimit të parasë në ekonomi.
Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës./monitor