Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, më 5 mars ka deklaruar se asnjë armë, pajisje apo municion serb nuk i është shitur Rusisë apo Ukrainës dhe se ata që pretendojnë të kundërtën janë “gënjeshtarë, sinjalizues dhe duhet të kenë turp, sepse po i sjellin dëme Serbisë”.
“Për Serbinë, në përputhje me ligjet ndërkombëtare, ekzistojnë të ashtuquajturit përdorues të lejuar dhe Serbia mund të eksportojë vetëm në vende të tilla. Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me ligjin, jemi të pastër si loti”, tha Vuçiç në Doha, ku po merr pjesë në një konferencë të organizuar nga Kombet e Bashkuara.
Në fund të shkurtit, disa media ruse njoftuan se 3.500 raketa nga fabrika serbe “Krushik” iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës, përmes Turqisë dhe Sllovakisë, ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se ky informacion shkakton “shqetësim të thellë”, shkruan REL.
Më herët, demanti ka ardhur nga “Krushik” dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Lidhur me pretendimin se armët janë eksportuar në Ukrainë nga Serbia, përmes Turqisë, Vuçic tha se Serbia “e ka mbrojtur veten në mënyrë shtesë” duke ditur se ekziston mundësia që një pjesë e mallit të përfundojë diku tjetër.