MENU
klinika

NATO i tregon 'dhëmbët' Serbisë

‘Blindohet’ Kosova para zgjedhjeve në Veri

21.04.2023 - 12:08

Që nga tetori i kaluar, gjeneralmajori Angelo Michele Ristuccia ka qenë në krye të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, që siç e përshkruan “Il Giornale”, është një vend i vendosur përjetësisht në një zonë të Ballkanit, me tensione të vazhdueshme. Që nga nisja e misionit të NATO-s e ndryshimet ndër vite e deri tek tensionet aktuale dhe mundësia e largimit të trupave, Ristuccia ka folur gjerë e gjatë në një intervistë për median italiane. Nga mesazhet e tij të forta para zgjedhjeve në Veri, paralajmërohet se çdo skenar që presidenti serb Aleksandër Vuçiç me në prapavijë Vladimir Putinin merr fund, pasi NATO do të përfshihet nëse shpërthen ndonjë konflikt i armatosur dhe do të nisë bombardimin e Beogradit.

Qëllimi i KFOR
Ai e mori detyrën në tetor të vitit të kaluar në një periudhë shumë të tensionuar, kur kryetarët e komunave, anëtarët e këshillave të qytetit, policët, gjyqtarët, prokurorët dhe nëpunësit civilë dhanë dorëheqjen në katër komunave në veri të vendit me shumicë serbe. Sipas tij, situata u qetësua ndikuar edhe nga presioni i fortë diplomatik nga BE, SHBA dhe ndërhyrja e KFOR-it në koordinim të ngushtë me misionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në vend.KFOR-i është vendosur në Kosovë për më shumë se 23 vjet. Si një nga momentet e vështira gjatë këtyre viteve ai përmend marsin e vitit 2004, kur u shfaq dhuna e re mes shqiptarëve dhe serbëve. “Në atë kohë, njësitë e KFOR-it ishin nën sulm dhe 2,500 trupa shtesë u vendosën shpejt”, kujton gjeneralmajori.

Largimi i trupave
“Krizat e fundit që kanë lindur ende tregojnë rëndësinë e qëndrimit dhe pranisë sonë, që do të thotë se ka ende punë për të bërë për të krijuar kushtet për stabilitet të pakthyeshëm”, konfirmon Ristuccia. Ai argumenton se tensionet ndërmjet popullatës serbe dhe shqiptare ringjallen periodikisht, ndaj skenari i përshkallëzimit nuk përjashtohet asesi. “Besoj fort se konfrontimi i armatosur nuk është realisht në vullnetin dhe interesin e palëve”, thotë ai. I pyetur se cilat janë zonat më të rrezikuara, komandanti i KFOR përmend veriun. “Ne i kemi përqendruar përpjekjet e tij në atë zonë. Situata përkufizohet si e qetë, por në të njëjtën kohë e brishtë, e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme”, thotë ai, duke shtuar se një incident i vetëm mund t’i përkeqësojë gjërat.

Lufta në Ukrainë
I pyetur për luftën në Ukrainë, ai ka thënë se ka ndryshuar ekuilibrin botëror dhe ka prekur të gjithë Evropën, si edhe Kosovën, për shkak të pozitës së saj gjeografike, rrugës historike dhe rrjetit të dendur të marrëdhënieve ndërkombëtare që ekzistojnë në këtë zonë. “Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg e ka thënë se NATO ka kohë që i kërkon Rusisë të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor; edhe pse e kundërta ndodh rregullisht. Tani, është edhe më e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të angazhohen në mirëbesim dhe të gjejnë një marrëveshje të përbashkët që garanton stabilitetin”, thotë komandanti i KFOR.

Wagner në kufi
Nëntorin e kaluar disa raporte të inteligjencës folën për praninë e ushtrisë Wagner në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. I pyetur nëse është e vërtetë, ai ka thënë se nuk ka asnjë provë, megjithatë janë vigjilentë dhe në gatishmëri. “Në realitet nuk kemi asnjë provë që vërteton prani të tilla, edhe nëse mediat lokale dhe narrativat partiake i përmendin vazhdimisht ato, shpesh duke ia atribuar përkatësinë e tyre konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Ne po ndjekim me kujdes çdo zhvillim të situatës, duke u kujdesur mbi të gjitha të mos përjashtojmë sinjale të dobëta të rrezikshme që mund të jenë domethënëse për dekodimin e zhvillimeve të paparashikuara përsa i përket sigurisë, stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes”, thotë Ristuccia.

Marrëveshja Kosovë-Serbi
Lidhur me një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, ai thotë se “procesi i paqes aktualisht po kalon një fazë delikate”. “Unë dua të jem optimist dhe ju duhet të jeni. Në këtë kontekst, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij si ofruesi i sigurisë në perimetrin e kompetencës dhe legjitimitetit të shënuar nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 të vitit 1999”, përmbyll intervistën komandanti i KFOR.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


SHBA nis lëvizjet, Palmer urdhër të prerë

“Beogradi e Prishtina të kthehen në tavolinën e bisedave”

Kurti: Së shpejti dialogu Prishtinë-Beograd

“Dua që Shqipëria ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës”