Tensionet diplomatike po rriten mes Moskës dhe Berlinit. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova njoftoi në TV dëbimin e më shumë se 20 diplomatëve gjermanë. “Një hakmarrje”, tha ajo, kundër vendimit të mëparshëm të Gjermanisë për të dëbuar diplomatët rusë. Sipas gazetës gjermane Bild, 34 diplomatë duhet të largohen nga Rusia. Moska ka akuzuar Berlinin se ka nisur një proces të shkatërrimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe ka raportuar se do të “kufizojë ndjeshëm numrin maksimal të punonjësve të misioneve diplomatike gjermane”. Lajmi erdhi pas përplasjeve midis Zakharova-s dhe ministrit gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius. Zëdhënësja ruse akuzoi këtë të fundit se i kishte cilësuar sulmet ndaj Rusisë si “të pranueshme”. “A ju kujtohet gjithçka që thatë? Mos harroni fjalët tuaja”, tha Zakharova. Më herët, Pistorius tha se Ukraina mund të sulmojë territoret ruse. Si përgjigje, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse Dmitry Medvedev në Twitter e këshilloi Pistorius të kujtonte historinë dhe vuri në dukje se “një gjerman që dëshiron të sulmojë Rusinë” duhet të jetë gati për paradën ruse në Berlin.
Nord Stream 2
Zëdhënësja pyeti gjithashtu nëse Ministria Gjermane e Mbrojtjes i gjeti autorët e sabotimit të tubacioneve Nord Stream dhe nëse shkatërrimi i projektit të infrastrukturës kritike të Gjermanisë ishte gjithashtu “i pranueshëm”. Ajo kërkoi gjithashtu më shumë transparencë në këtë çështje. Tubacionet e gazit Nord Stream, të ndërtuara për të transportuar gaz nën Detin Baltik nga Rusia në Gjermani, u goditën nga shpërthime shtatorin e kaluar. Operatori i Nord Stream, Nord Stream AG, tha se dëmi ishte i paprecedentë dhe ishte e pamundur të vlerësohej koha që mund të kërkonin riparimet. Rusia i konsideron shpërthimet në dy tubacionet një akt terrorizmi ndërkombëtar. Nuk ka ende rezultate zyrtare, megjithëse gazetari amerikan Seymour Hersh, pretendon se shpërthimet ishin organizuar nga SHBA me mbështetjen e Norvegjisë.
Koalicioni i fshehtë
Tensionet duket se janë agravuar edhe nga një raport se Kremlini u përpoq të nxiste politikanët gjermanë për të formuar një koalicion kundër luftës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar mbështetjen evropiane për Ukrainën. “The Washington Post” duke cituar dokumente midis korrikut dhe nëntorit të vitit të kaluar që u morën nga një shërbim i paidentifikuar evropian i inteligjencës, shkroi se zëvendësshefi i shtabit të Kremlinit Sergei Kiriyenko kishte urdhëruar strategët politikë rusë në një takim të 13 korrikut që të “përqendroheshin” në Gjermani. Një dokument i 9 shtatorit përcaktoi planet për bashkimin e ligjvënëses së majtë gjermane Sahra Wagenknecht dhe partisë së ekstremit të djathtë Alternativa für Deutschland (AfD) nën një flamur të përbashkët kundër luftës. Sipas dokumenteve, koalicioni i ri synonte të fitonte “një shumicë në zgjedhje në çdo nivel”. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i mohoi pretendimet për ndërhyrje ruse në çështjet gjermane dhe përpjekjet për të minuar unitetin perëndimor në Ukrainë. “Ne kurrë nuk kemi ndërhyrë më parë dhe tani vërtet nuk kemi kohë për këtë,” tha ai.
Prishja e marrëdhënieve
Gjermania për vite me radhë ka mbajtur lidhje të thella ekonomike me Moskën, veçanërisht në sektorin e energjisë ku është e varur nga gazi rus. Marrëdhëniet megjithatë u përkeqësuan që kur Presidenti rus Vladimir Putin filloi një operacion ushtarak në Ukrainë dhe ndërsa Berlini rriti mbështetjen e tij financiare dhe ushtarake për Kievin, madje duke i dërguar edhe tanke. Lufta shkatërroi gradualisht marrëdhëniet jashtëzakonisht të ngushta ndër dekada, të mishëruara në të ashtuquajturën “Ostpolitikë”. Megjithatë, duket se kancelari gjerman Olaf Scholz, tani duhet të pranojë, sado me ngurrim, që roli i Berlinit si ndërmjetës dhe marrëdhënia e tij e veçantë me Moskën për momentin kanë përfunduar. Ndoshta fundi i këtij kapitulli është një shans për Scholz që të zhvendosë fokusin e vendit të tij në Evropë dhe marrëdhëniet e saj transatlantike në këtë peizazh të ri global.