MENU
klinika

Përfituesit e skemës vullnetare

Çfarë duhet të bëni për të siguruar një masë më të lartë pensioni?

18.05.2023 - 11:04

Për të siguruar pensione më të larta, çdo person, krahas skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore, mund të përfshihet edhe në skemën vullnetare. Nëpërmjet kësaj skeme, do të mund të mbulohet jo vetëm vjetërsia e munguar e punës që ju duhet për plotësimin e kushteve të daljes në pension, por do të mund të siguroni edhe pensione më të larta se sa ato që rrjedhin nga skema e detyrueshme.

Autoritetet e Sigurimeve shoqërore sqarojnë se pjesë e skemës vullnetare për të siguruar masa më të larta pensioni mund të bëhen të gjithë individët që janë të punësuar, apo të vetëpunësuar, si dhe punëdhënësit. Ndryshe nga sa ndodh me fushat e tjera, sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura mund të bëhet vetëm për vitin korent. Sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, derdhja e kontributeve vullnetare për pensione më të larta mund të bëhet në kufijtë e pagës minimale që aktualisht është 40,000, si dhe deri në 4-fishin e saj. Se sa do jetë kufiri i pagës mbi të cilën do të shlyhen kontributet vullnetare brenda kufirit të përcaktuar, e zgjedh vetë aplikuesi.

“Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura përfshijnë pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar, sipas kontributit të paguar. Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 40,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në 4-fishin e saj, ndërsa punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin, deri në 4-fishin e saj”, bëjnë me dije autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërorë.

Për të bërë sigurimin vullnetar për më shumë të ardhura, personi i interesuar, paraqitet në drejtorinë rajonale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tij, ku dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Për të finalizuar këtë procedurë ju duhet të keni me vete këto dokumente: Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon, fotokopje të kartës së identitetit ose pasaportës biometrike. Periudhat e siguruara pasqyrohen në Regjistrin elektronik të kontribuesve të sigurimit vullnetar, dhe qytetari ka mundësi t’i shohë dhe të pajiset me vërtetim për periudhat e siguruara nëpërmjet portalit zyrtar e-albania.

Kështu, për të marrë këtë vërtetim si fillim duhet të logoheni në portalin qeveritar në adresën www.e-albania.al dhe të identifikoheni si qytetar. Më pas duhet të zgjidhni shërbimin e listuar si: “Vërtetim i pagesës së kontributeve vullnetare” dhe të klikoni në butonin që thotë “Përdor” dhe të plotësoni të dhënat e kërkuara. Në vijim mund të bëni lehtësisht shkarkimin e dokumentit përkatës. Dokumenti i kërkuar do t’ju shkarkohet menjëherë i vulosur elektronikisht. Vërtetimin e gjeneruar online me vulë elektronike mund ta gjeni në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” te hapësira juaj që ndodhet në këtë portal. Koha e marrjes së këtij shërbimi është e menjëhershme, teksa vlefshmëria është pa afat.

Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, personat që kanë të drejtë për më shumë se 1 lloj pensioni, mund të zgjedhin vetëm një prej tyre, kjo e drejtë mund të ushtrohet jo më shumë se tre herë. E drejta e pensionit nuk parashkruhet. Personi, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për pension. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre. Pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.

Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë:
Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent, në kufijtë e pagave minimale 40,000 lekë deri në 4-fishin e saj (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri).
Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 40,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në 4-fishin e saj.
Punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin, deri në 4-fishin e saj.

Përfituesit e skemës vullnetare
Në skemën e sigurimeve vullnetare mund të përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që: kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.
Personat që për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e detyrueshme.
Po ashtu mund të përfshihen edhe të gjithë personat që janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre, si dhe ata që nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.
Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 01.01.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

Periudhat që mund të blihen:
Tre janë periudhat që mbulon sigurimi vullnetar, ku bëhet fjalë për: sigurim vullnetar për vitin korent, për periudha të kaluara, si dhe sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Rritja e borxhit, pa produktivitet"

Cikli i rrezikshëm i borxhit