MENU
klinika

Nga Ilir Yzeiri

Dy aktivistë të Arlind Qorrit në portën e shtëpisë sime

09.05.2023 - 18:47

Kishte kohë, që në portën time nuk trokisnin aktivistë, ndoshta që nga ajo periudha kur « Dëshmitarët e Jehovait », të paktën deri para nja dhjetë vjetësh, të vinin në derën e shtëpisë dhe nuk pyesnin se çfarë vakti ishte, trokisnin, ti hapje derën dhe ato nisnin bisedën për Jehovain sipas librushkave që mbanin në dorë ku flitej për një formë të re të besimit. Edhe sot kur dal në rrugën e shtëpisë sime, sidomos pasditeve, shoh grupe të mëdha vajzash, djemsh e grash të mbajtura shumë mirë, që tani mblidhen nëpër salla të marra me qira dhe praktikojnë besimin sipas asaj që quhet « Dëshmitarët e Jehovait ».

Ato i gjen edhe në hyrje të parkut të madh të Liqenit pranë një valixheje të ngritur në formë vitrine. E kështu, duhet të ketë qenë e shtunë ose e diel kur trokitën në portën time një djalë dhe një vajzë që mbanin në dorë një poster të vogël të kandidatit Arlind Qorri, drejtues i Lëvizjes « Bashkë ». E them që në fillim se e çmoj Arlind Qorrin si personazh publik për ndershmërinë dhe koherencën politike që shfaq. Megjithëse e kam të vështirë ta kuptoj llojin e lëvizjes së tij, e çmoj për frymën anti establishment dhe për ndjenjën e së majtës që ka ajo lëvizje dhe për prioritetin që politikën ta vërë në shërbim të një shtrese sa më të madhe dhe kundër « oligarkëve » apo të pasurve. Me këtë ndjenjë doja ta vazhdoja bisedën edhe duke i provokuar aktivistët e Arlindit, kur vajza që mbante posterin me foton e Arlindit m’u drejtua duke më thënë se ky është posteri i Lëvizjes « Bashkë » etj., etj. Mirë, u thashë, mund të ma thoni me dy fjalë se cili është thelbi i programit tuaj, fjala vjen çfarë do të bëni nëse vini në krye të Bashkisë së Tiranës?

Do të çojmë në gjyq Kullat, më tha vajza që drejtonte bisedën me një ton luftarak. Po ç’punë keni me Kullat, u thashë ? Po ato i kanë zënë frymën qytetit, kanë shkatërruar ambientin, i kanë prishur pamjen qytetit dhe aty pastrohen paratë. Po kjo është filozofia e Berishës u thashë. Ky është berishizmi. Ç’punë kini ju me berishizmin. Vajza nuk ndalonte, por vijonte me ton edhe më luftarak. Këta kanë shkatërruar vendin. Kanë shkatërruar qendrën. Ja u hodh djali që ishte nga Gjirokastra. E kini parë Gjirokastrën ? Po, i thashë. Atë qytet nuk e prishi as Enver Hoxha, As Berisha as Rama sepse ishte i strukturuar si një muze në natyre ashtu si Berati, u thashë unë. Po Tirana e dini ju si ka qenë në vitin 1930, vazhdova. Ishin italianët që ndërtuan qendrën dhe ideuan Tiranën dhe institucionet. Çfarë kanë prishur kullat ? Ja, më tha vajza që më kujtonte ato militantet e rinisë në kohën e komunizmit. Kini qenë në Pragë ? Po, i thashë. Pse nuk ka Kulla atje në qendër. Këtu, thashë me vete duhet mbyllur biseda. Dhe ashtu bëra.

Është e çuditshme se sa shpejt ngjit filozofia e destruktivizmit. Është e njohur ajo biseda e Zef Valentinit që e kujton në një nga numrat e « Hyllit të Dritës » kur një oficer malsor, aty nga viti 1800, kishte zbritur në Milano dhe kishte parë D’Uomon e famshme dhe kishte pyetur sa dinamit duhet me e hedh në erë kët bina. Është e çuditshme se si trashëgohet ky shpirt desktruktiv apo deviza për ta ndërtuar idealin tënd mbi shkatërrimin. Mesa mbaj mend, vetë Arlind Qorri është shprehur se nuk ka gjë me Kullat, por nuk do të lejojë që të ndërtohen më të tilla dhe se do të kërkojë hetim për to. Kjo është korrekte. Kurse ligjërimi i atyre dy aktivistëvë që ulërinin nëpër shkallë se do të çojnë në burg ata që kanë ndërtuar kullat është pak të thuash naiv dhe i përciptë, është më së shumti një keqkuptim fatal edhe me ligjërimin dhe narrativën politike. Ka një thënie që thotë : nganjëherë diktatura ia kalon edhe diktatorit.

Edhe në këtë rast, aktivistët e Arlindit ia kanë kaluar atij. Në Shqipëri është krijuar një ambient politik qesharak dhe ligjërimi apo narrativa që ndërtohet përsërit papushim një autor : Berishën dhe berishizmin. Berisha ndërtoi ligjërimin konspirativ që mbështetet te shpifja dhe denigrimi i kundështarit duke e akuzuar atë për një mijë e një të zeza. Pra sulmi ad hominem ka mënjanuar nga ligjërimi publik debatin mbi të dhënat. Unë do të prisja nga Lëvizja « Bashkë » që ata të kishin ose të ndërtonin një sistem të dhënash për ekonominë, problemet sociale, e të rendit. Duke qenë se më së shumti vijnë nga bota universitare dhe nga fakulteti i shkencave sociale, politike e filozofike, platforma e tyre duhet të ishte ky sistem të dhënash që mungojnë në ligjërimin publik.

Një lëvizje, në fillim, i stërvit anëtarët e vet në mbledhjen e të dhënave, në sondazhe, në punën vullnetare për të njohur çdo qelizë të Tiranës me që jemi në TIranë dhe në debatet televizive apo në takimet me zgjedhësit të mos vinin në derën e shtëpisë e të recitojnë tekstin e pështirë të Berishës, por të sjellin fletushka me të dhëna nga aksionet që ata kanë bërë vetë. Ky dembelizëm dhe kjo frymë për të bërë prokurorin dhe gjykatësin që në moshë të re, na kthen prapa në kohë dhe na kujton ato aktivitet e LRI-së në Jalë apo gjuhën agresive të tyre nëpër studiot televizive.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!