Përfaqësuesit ligjor të “Bashkë Fitojmë” kanë depozituar sot në KAS disa pretendime lidhur me procesin e votimit dhe numërimit për Belshin.
Sipas tyre rreth 60 fletë votimi rezultojnë se janë konsideruar të vlefshme, ndërkohë që shënimet kanë qenë ndryshe nga ato që lejohen nga KQZ. Ata thonë se disa janë shënuar me pikëpyetje, e disa të tjera janë shkarravitur, ndërkohë që pasi janë shpallur të vlefshme i kanë kaluar si vota PS.
Po ashtu kanë depozituar dhe një video ku sipas tyre rezultojnë se në kuti ka dy fletë votimi më shumë sesa shkruhet në kuti. Një tjetër problematikë që ata kanë evidentuar është dhe shtimi i dy fletëve të votimit, dy më shumë sesa janë shënuar në kuti.
Pas mbledhjes, u vendos se ditën e nesërme do të kryhet rinumërimi i kutive të votimit për kryetar të bashkisë Belsh. Vendimi u mor pas kërkesës së dy anëtareve të KAS Lediu Braho dhe Elvis Çefa.
Ndërkohë nga ana e përfaqësuesit ligjor të PS, ankesat e BF për shënimet në fletët e votimit janë të pavend, sepse sipas tyre, edhe pse nuk janë shënuar sipas rregullores së KQZ, nuk mund të quhen të pavlefshme.
“Pavlefshmëritë janë konstatuar vetëm në atë qendër votimi. Nga fletët e konstatuara nga PD, në vlerësimin tonë nuk janë të tilla aspak. Të kufizosh këtë moment dhe ta detyrosh apo t’ia bësh të pavlefshme vullnetin e qytetarit sepse s’ka bërë me X apo me një + sipas referimit nga KQZ, e vlerësojmë totalisht të pavend. Ky është momenti kur qytetari përcjell pushtetin për kryetarin e Bashkisë. Që këto tregojnë presion, janë pretendime që nuk korrespondojnë me kërkimin. Në vlerësimin tonë provat duhet të pranohen dhe ia lemë KAS për të vendosur nëse do hapen apo jo”, u shpreh përfaqësuesi i PS.