MENU
klinika

“Si ushtroi presion për mbylljen e procedurës..."

Akuzat për ish-kryeministrin Sali Berisha jehonë në mediat ndërkombëtare

22.10.2023 - 18:33

Lajmi se Prokuroria e Posaçme shqiptarë ka akuzuar ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe dhëndrin e tij për korrupsion dhe pastrim parash është pasqyruara edhe në mediat ndërkombëtare.

Pas mbrëmjes së të shtunës së 21 Tetorit, agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters”, në një artikull të publikuar shkruan:

“Prokurorët shqiptarë kanë akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij për akuza korrupsioni për një marrëveshje toke që përfshinte terrenet e një klubi sportiv, thanë hetuesit të dielën. Në aktakuzën e saj, Prokuroria e Posaçme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, e njohur si SPAK, tha se Berisha përdori ndikimin e tij si kryeministër nga viti 2005 deri në 2009 për të ushtruar presion “për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor të të tjerëve, përfshirë burrin e vajzës së tij”

“Procedimi penal”, shkruan agjencia- “filloi në vitin 2020 kur ministri aktual i Brendshëm Taulant Balla akuzoi Berishën si të përfshirë në privatizimin e terreneve dhe objekteve të tjera sportive që i përkisnin FC Partizani në kryeqytetin Tiranë, të cilat më pas u zëvendësuan me ndërtesa shumëkatëshe. Berisha ka akuzuar kryeministrin aktual Edi Rama se ka orkestruar të gjithë çështjen.”

“Ai urdhëroi prokurorët e tij mercenarë… Akuzat janë të pabaza dhe janë sulme të drejtpërdrejta politike të Edi Ramës kundër meje”, u tha Berisha gazetarëve të shtunën vonë. Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara ndaluan hyrjen e Berishës dhe familjes së tij duke thënë se si kryeministër ishte përfshirë në “akte korruptive si shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimin e tij dhe për të pasuruar politikën e tij, aleatët dhe anëtarët e familjes së tij”.

Edhe Associated Press,në artikullin e saj përmend faktin se zyra e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pretendon se dhëndri i Berishës ka shfrytëzuar pozicionin e Berishës si kryeministër për të privatizuar tokën në Tiranë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes të vendit dhe ia ktheu pronarëve të saj të mëparshëm, të cilët e shitën menjëherë me një çmim të ulët. Në këtë truall, Malltezi ndërtoi pallate.

Edhe kjo agjenci kujton se akuzat vijnë tre vjet pasi ministri i Brendshëm Taulant Balla, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, dërgoi në prokurori një dosje me akuza kundër Malltezit dhe Berishës.

Që pas shpalljes non grata nga SHBA-të, agjencia thekson se Partia Demokratike kryesore e opozitës së Berishës është e përfshirë në konflikte të brendshme dhe me fraksione të ndryshme që luftojnë për udhëheqjen e partisë dhe regjistrimin ligjor.

“Lufta kundër korrupsionit ka qenë thembra e Akilit e Shqipërisë postkomuniste, duke ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit. Berisha ishte zyrtari i katërt i lartë shqiptar që iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion”, thekson agjencia.

Akuzat për Berishën ka zgjedhur t’i pasqyrojë dhe e përditshmja amerikane Abc News. Ndërsa ka zgjedhur të ndajë artikullin e Associated Press në faqen e saj.