MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Kur do të ndërtohet autostrada e Shkodrës?

09.10.2023 - 17:31

Në vitin 2004, Banka Botërore financoi një studim për masterplanin e zhvillimit të rrjetit rrugor të Shqipërisë në 50 vjetët e ardhëshme. Në atë masterplan të autostradave dhe superstradave të ndryshme që duheshin ndërtuar (hartuar nga një kompani amerikane), i jepej përparësi autostradës Shkodër-Vlorë, si një arter që do t’i shërbente zhvillimit të turizmit në gjithë bregdetin Adriatik. Si fazë e parë e asaj autostrade, shihej segmenti Thumanë-Kashar-Rrogozhinë, që do të pasohej me segmentet Thumanë-Lezhë-Shkodër dhe Rrogozhinë-Fier-Vlorë (si dhe një degëzim autostrade Rrogozhinë-Elbasan). Në këtë mënyrë, do të krijohej një rrjet autostradash që do të ndërlidhte Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin me Shkodrën, Vlorën, Lezhën, Lushnjen dhe Fierin.

Me ardhjen në pushtet të PD-së, qeveria Berisha kreu studimin e fizibilitetit për autostradën Thumanë-Kashar-Rrogozhinë dhe filloi negociatat me një kompani kroate për ndërtimin e saj me koncension të mbrojtur me garanci financiare nga buxheti i shtetit. Por kontrata për atë koncension u la në mes të rrugës, sepse në horizont u shfaq kompania turko-amerikane Bechtel-Enka, që propozoi ndërtimin e autostradës Rrëshen-Kalimash, me një kosto 810 milionë euro (të mbuluar krejtësisht nga buxheti i shtetit). Përveç asaj autostrade të marrë përsipër nga Bechetel-Enka, qeveria Berisha pagoi një kompani shqiptare për autostradën Kalimash-Morinë dhe Banka Botërore financoi superstradën Milot-Rrëshen.

Në katër vitet e para të qeverisë Berisha, nga autostrada prioritare Shkodër-Vlorë, u ndërtua vetëm një segment 10-kilometërsh Thumanë-Milot dhe një segment 20-kilometërsh Lushnje-Fier.

Në katër vitet e dyta të qeverisë Berisha, Shkodra u harrua përsëri. Vetëm një segment 30-kilometërsh Fier-Vlorë u ndërtua (por jo bypassi i Fierit, që do të lejonte vazhdimësinë e autostradës). Ndërkohë autostrada Rrogozhinë-Elbasan u harrua dhe filloi ndërtimi i një autostrade që do të lidhte TEG-un me Elbasanin përmes një tuneli të kushtueshëm poshtë malit të Krrabës. Gjithashtu, filloi ndërtimi i superstradës Qukës-Qafë Plloçë, që do ta shkurtonte kohën e vajtjes për në Korçë, si dhe Rruga e Arbërit, që do ta shkurtonte kohën e vajtjes për në Peshkopi. Kurse vajtja për në Shkodër mbeti përsëri një kalvar i vërtetë automobilistik…

Në dhjetë vjetët e para të qeverisë Rama, ende nuk është hapur ndonjë segment i ri autostrade në drejtim të Shkodrës – vetëm ka filluar puna për segmentin Thumanë-Kashar, me koncension të mbrojtur me garanci financiare nga buxheti i shtetit (që nuk dihet se kur do të përfundojë). Ndërkohë, janë përfunduar plotësisht segmentet e autostradës që lidh Tiranën e Durrësin më Vlorën, si dhe TEG-un me Elbasanin.

Teksa vazhdon puna për përfundimin e superstradës Qukës-Qafë Plloçë dhe Rrugës së Arbërit, qeveria Rama ka hapur një front të ri pune për superstradën që do të lidhë Orikumin me Rezortin e Palasës përmes një tuneli poshtë malit të Llogarasë (të finacuar krejtësisht nga buxheti i shtetit). Kurse vajtja për në Shkodër mbetet përsëri një kalvar i vërtetë automobilistik…

Dhe lind pyetja, edhe sa vjet do t’i duhen Shkodrës që të lidhet me autostradë me Lezhën, Laçin, Tiranën, Rinasin, Durrësin, Lushnjën, Fierin e Vlorën, në mënyrë që të bëhet edhe ajo pjesë e bumit turistik që po përjeton Shqipëria perëndimore?

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!