MENU
klinika

Lista me 28 emra

Mitsotakis shpall Pirro Dhimën kandidat për eurodeputet

22.03.2024 - 12:00

Partia Demokracia e Re e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis ka shpallur 28 emrat e parë të kandidatëve për zgjedhjet europiane të 9 qershorit.

Një ndër ta është edhe kampioni olimpik Pirro Dhima, Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes. Gjithashtu në orët e ardhshme priten edhe emra të tjerë të kandidatëve për eurodeputet.

Dhima është zv.president i Federatës Botërore të peshëngritjes. Ka disa ditë që kryeministri Mitsotakis pranon sugjerime që përveç Pirro Dhimës të vendosë në listë edhe Fredi Belerin, pasi sipas këshilltarëve të tij do të mund të përqendrojë më shumë vota nga ekstremi i djathtë.

Por nga ana tjetër ka edhe sugjerime të kundërta.

Ish-peshëngritësi Pirro Dhima dikur ka bërë bujë me deklaratat për origjinën e tij. Në një intervistë të mëhershme shkaktoi reagime të shumta nga të dyja anët e kufirit. “Unë jam një grek i lindur në Shqipëri”. Ishte kjo përgjigja që Pirro Dhima i dha gazetares greke Elena Akrita, e cila e cilësonte me origjinë shqiptare.

Për të sqaruar debatin, por edhe periudhën që kaloi në Shqipëri derisa u largua për në Greqi, Pirro Dhima foli në një intervistë të gjatë për një nga mediat e vendit fqinj.

“Unë jam grek i lindur në Shqipëri, në Himarë nga gjyshi te gjyshi nga nëna dhe babai”, sqaron ai. “Kjo është nderi im dhe krenaria ime”, vijoi më tej ai duke u ndaluar më pas te intervista që bëri bujë.

“Zonja Akrita shkroi një artikull në favorin tim dhe e falënderoj për fjalët e saj të mira. Por jo me origjinë shqiptare! Unë jam grek nga gjyshi te gjyshi. Unë nuk kam asnjë lidhje me shqiptarët”, u shpreh ai në atë kohë.