Sipas të dhënave të ISSh-së, masa mesatare mujore e një pensioni pleqërie është 15,304 lekë.
Në një intervistë për gazetën “Panorama” ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, tregon se kjo masë pensioni së bashku me pensionet në Kosovë janë pensionet më të ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ekspertja më tej tregon mënyrat se si mund të rritet masa e pensionit. Sakaq, sipas ligjit të dekretuar në fund të 2023- shit, pensioni do të mund të tërhiqet në bankë. Nunaj thotë se ky proces parashikohet të pilotohet dhe më tej të ketë një shtrirje në të gjithë vendin.
Qeveria ka vendosur të mundësojë për të gjithë pensionistët marrjen e pensionit me kartë në bankë. Si do të realizohet kjo?
Në fund të vitit 2023, presidenti i Republikës dekretoi ligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i miratuar më parë nga Parlamenti dhe i hartuar nga Banka e Shqipërisë. Në këtë ligj janë përcaktuar rregullat e kushtet për hapjen e përdorimin e llogarisë së pagesave për shërbime bazike për individë rezidentë në Shqipëri të pa mbuluar me shërbime bankare. Për individët që përfitojnë pagesa nga buxheti i shtetit: për papunësinë, për skemën e ndihmës ekonomike; për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar; përfituesit e pensioneve urbane dhe rurale në skemën e sigurimeve shoqërore, etj., bankat do t’ju ofrojnë shërbime pas hapjes së një llogarie pagesash për shërbime bazike. Kjo do të thotë që këta individë, përfshi këtu edhe pensionistët, pasi të hapin një llogari bankare mund të tërheqin pensionin qoftë në sportelet e bankës, qoftë edhe në një bankomat përmes kartës së tyre për përdorim në ATM. Në zbatim të këtij ligji, që vjen edhe si kërkesë e BEsë për procesin e integrimit, kapitulli i nëntë për shërbimet financiare, por njëkohësisht edhe për zbatimin e strategjisë së qeverisë për realizimin e pagesave për individët që nuk kanë një llogari bankare, është e rëndësishme të theksohet se zbatimi i këtij ligji nuk është i kufizuar dhe nuk është bërë vetëm për pensionistët, por për të gjithë individët që nuk kanë një llogari bankare, të cilët pasi të hapin llogarinë e pagesave bazike, pagesat e tyre do i marrin pranë një banke që ushtron aktivitet në Shqipëri.
A do të paguhen komisione për hapjen e llogarisë apo për mirëmbajtjen e saj?
Ligji i sipërcituar parashikon që shërbimet që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, funksionimin dhe mbylljen e një llogarie pagesash për shërbim bazike, apo për shërbime që mundësojnë tërheqjen e fondeve nga një llogari pagesash për shërbim bazike brenda Shqipërisë, në sportele ose në ATM, etj., do të ofrohen pa pagesë për të gjithë përfituesit e pensioneve urbane dhe rurale në skemën e sigurimeve shoqërore.
Të gjithë përfituesit e pensionit do e tërheqin pensionin në bankë duke e hequr mundësinë e marrjes në postë përfundimisht?
Ligji nuk e parashikon heqjen përfundimtare të marrjes së pensionit përmes postës shqiptare. Procesi i tërheqjes së pensionit nga banka, parashikohet të pilotohet dhe më tej të shtrihet në të gjithë vendin. Vlerësoj se aktualisht jemi në fazën e parë të zbatimit të ligjit dhe problemet e terrenit ende nuk janë bërë të njohura plotësisht. Procesi i pilotimit do të jetë një ndihmë e madhe për identifikimin dhe fotografimin e situatës reale, në bazë të së cilës Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare do të vijojnë me hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e plotë të ligjit. Ndërkohë, një ndryshim i rëndësishëm do të jetë, nëse do të kemi një transformim të funksioneve e shërbimeve të Postës Shqiptare për ta kthyer në një institucion financiar, që do të përfshinte edhe shpërndarjen e pensioneve përmes një karte ATM-je të ofruar nga Posta Shqiptare. Por, kjo mbetet ende për t’u parë nëse do të realizohet në të ardhmen.
Po për ata që kanë zgjedhur ta marrin në shtëpi pensionin nëpërmjet postës, do të ketë ndonjë ndryshim?
Aktualisht tërheqja e pensionit zhvillohet në tre forma: përmes postës shqiptare; përmes bankave të nivelit të dytë, për të gjithë ata individë që e kanë zgjedhur këtë frmë shërbimi; dhe përmes dërgimit të pensionit në shtëpi, kundrejt një tarife shtesë për shërbimim e ofruar. Ndryshimet e reja ligjore janë ende në fazë pilotimi dhe është shpejt për rezultatet. Në bazë të hapësirave e mundësive fizike ose jofizike që kanë pensionistët, vlerësoj se kalimi nga marrja e pensioneve me para në dorë përmes Postës Shqiptare apo në shtëpi, në marrjen e pensioneve përmes sistemit bankar do të dojë një periudhë relativisht afatmesme. Vazhdimi i tërheqjes së pensioneve përmes sistemit ekzistues hibrid (tërheqja e pensionit në bankë dhe me para në dorë përmes Postës Shqipatre ose në shtëpi) do të vijojë të mbetet aktual. Krahas detyrimit të respektimit të bazës ligjore e rregullative për tërheqjen e pensioneve, ekziston edhe e drejta e qytetarëve për zgjedhjen e formës për të marrë pensionin e tyre. Unë vlerësoj, se një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve, veçanërisht në zonat rurale apo qytetet e vogla, që janë me mundësi të kufizuara, do të vijojnë ta marrin pensionin siç edhe bëjnë aktualisht, pëmes Postës Shqiptare ose përmes shërbimit me pagesë në shtëpi.
Si paraqitet masa e pensioneve për të moshuarit në vendin tonë? Nëse mundeni mund të na bëni një krahasim me rajonin?
Sipas të dhënave nga ISSh, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 (deri në këtë periudhë janë publikuar të dhënat) rezulton që për pensionet e reja, masa mesatare mujore e një pensioni pleqërie është 15,304 lekë ose rreth 150 Euro. Ndërkohë që pensioni mesatar në total është në një vlerë të përafërt 180 Euro. Kjo masë pensioni së bashku me pensionet në Kosovë janë pensionet më të ulta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pensionin mesatar më të lartë e ka Mali i Zi, për të vijuar me Bosnjën e Hercegovinën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
A është e mjaftueshme kjo masë pensioni për të përballuar jetesën?
Sigurisht që jo. Në Shqipëri nuk ka një minimum jetik zyrtar, që shërben si masë krahasuese për një jetesë në kushte minimale dhe për sa kohë do të kemi pension nën vlerën e minimumit jetik faktik, atëherë pensionet do të vijojnë të jenë të pamjaftueshme për një pensionist. Rritja e çmimeve kryesisht në produktet e shportës së pensionistëve në mënyrë të vazhdueshme, rritja e nevojave për shpenzime e kujdes shëndetësor si efekt i moshës, pamundësia për të patur alternativa për të ardhura shtesë, krahas pensionit dhe të paturit e pensioneve nga më të ulëtit në rajon e Europë, e ekspozon pensionistin shqiptar përpara vështirësive reale e të ndjeshme në përballimin e jetësës, e cila sa vjen e bëhet më e pakëparcyeshme dhe më e papërballushme për pensionistin shqiptar.
Si mund të realizohet rritja e masës së pensionit?
Mundësi për rritje pensioni, po, ka dhe gjithmonë do të ketë. Për lehtësi analize pensionistët i ndajmë në dy grupe. Grupi i parë përfshin pensionistët aktual në skemë, të cilët mund të përfitojnë rritje pensioni përmes një pensioni të 13-të, vendosjes së shpërbilimeve në mënyrë periodike dhe përmes kompensimeve, p.sh për enegjinë elektrike apo për rritjen e çmimeve. Në grupin e dytë janë pensionistët që dalin rishtazi dhe janë të rinj në skemë, mund të përfitojnë rritje pensioni përmes ndryshimit të koefiçentëve për përllogaritjen e pensioneve në favor të një pensioni më të lartë.
Cili është apeli juaj për qytetarët që janë në marrëdhënie pune aktualisht mbi pagesën e sigurimeve shoqërore?
Së fundi, do të doja të risillja në vëmendje për të gjithë qytetarët që janë apo jo në marrëdhënie pune që të mos e neglizhojnë pagesën e sigurimeve shoqërore, pasi kur koha e pensionit vjen, mundësitë për të bërë diçka për veten për një pension më të lartë thuajse zerohen. Pensionet e ulta i përballin me vështirësi të shumta e të bërurit e një jete normale bëhet gjithnjë e më e pamundur. Duhet menduar sot, për një jetë më të qetë nesër.