Pas këtyre fotove, duket se të gjitha teoritë e konspiracionit për zhdukjen e princeshës së Uellsit bien poshtë. Ditën e djeshme ajo është shfaqur në makinë me të ëmën, Carole Middleton, pranë kështjellës Windsor.
E ulur si pasagjere, Kate u fotografua për herë të parë që pas ndërhyrjes kirurgjikale në janar. E veshur me një pallto në ngjyrë të zezë dhe syze dielli të rrumbullakëta, princesha dukej e qeshur dhe në formë të mirë.
Dalja e saj e fundit publike ishte gjatë Krishtlindjeve, ndërsa disa ditë më pas u shtrua në spitalin e Londrës, ndërsa në mes të janarit iu nënshtrua një operacioni të planifikuar abdominal.
Pallati mbretëror doli me një njoftim zyrtar, duke thënë se çdo angazhim i princeshës shtyhej në një moment të dytë deri në rikuperimin e plotë shëndetësor të saj, ndërsa ajo nuk do të shfaqej për çështje pune në publik deri në muajin e Pashkëve. “Shpresojmë që publiku ta kuptojë dëshirën e saj për ta ruajtur në kufijtë e normalitetit këtë situatë, për hir edhe të fëmijëve të saj. Dëshira e Kate është që informacioni personal në lidhje me problemin shëndetësor të mbetet privat. Pallati Kensington do të japë përditësime herë pas here në lidhje me gjendjen e princeshës,” thuhej në njoftim.
Disa javë më pas, pati shumë teori konspiracioni mbi zhdukjen dhe gjendjen e Kate. Por, pas spekulimeve pallati mbretëror u detyrua që të dilte me një tjetër njoftim zyrtar duke cilësuar se: “Ne ishim të qartë që në fillim që princesha e Uellsit nuk do të ishte në publik deri për Pashkë dhe do të ishte vetë pallati Kensington që do të jepte përditësime zyrtare,”.
Por, duket se vetëm një provë ka mjaftuar që njerëzit të hedhin poshtë këto teori, sidomos pas fotove të djeshme të Kate me të ëmën.