MENU
klinika

Dinamika e krimit të 8 viteve më parë

Qëlloi për vdekje klientin, arrestohet biznesmeni!

27.03.2024 - 12:31

Është arrestuar nga uniformat blu, biznesmeni Gëzim Kajno, i cili 8 vite më parë qëlloi për vdekje Asllan Kërtushën, klient në lokalin e tij.

39-vjeçari ishte dënuar nga Gjykata me 10 vite burg dhe i kishin mbetur për të vuajtuar edhe 4 vite burg për vrasjen e Asllan Kërtushës në qytetin e Durrësit, krim i ndodhur më 2016-ën.

“Ai është dënuar me 10 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet”, njoftoi policia.

Njoftimi i policisë:

Autor i një vrasjeje me armë zjarri, të kryer në vitin 2016, ndalohet 39-vjeçari i shpallur në kërkim, i dënuar me 10 vjet burgim.

Nga ky dënim, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet burgim.

Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, dhënë më datë 17.10.2023, për ndalimin e shtetasit Gëzim Kajno, 39 vjeç.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet.

Më datë 01.03.2016, në lagjen nr. 17, Durrës, 39-vjeçari ka vrarë me armë zjarri, shtetasin A. K..

Shtetasi Gëzim Kajno iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.

NGJARJA

Ngjarja ka ndodhur pasditen e datës 1 Mars 2016 në lagjen 17 të qytetit, e njohur ndryshe si hyrja e Durrësit.

Viktima Kërtusha, mesditën e datës 01.03.2016, ka qenë duke konsumuar pije alkolike në lokalin e shtetasit Gëzim Kajno. Rreth pasdites, në gjendje të rënduar për shkak të alkolit, ai ka nisur të fyejë dhe ofendojë kamarierët e lokalit, të cilët kanë njoftuar pronarin, Gëzim Kajno.

Ky i fundit është afruar në lokal, së bashku me nipin e tij, Bledar Kajno dhe kanë tentuar ta qetësojmë shtetasin Kërtusha, i cili gjendej në ambjentet e brendshme të lokalit.

Pasi kanë diskutuar së bashku në tavolinë, Kërtusha dhe pronari i lokalit, Gëzim Kajno, kanë dalë në ambjentet e jashtme të lokalit, ku kanë filluar të grinden fizikisht. Kjo situatë është fiksuar edhe në kamerat e sigurisë së lokalit.

Nga kqyrja e pamjeve filmike duket shtetasi Gëzim Kajno që, pas konfilktit fizik, ka një armë tip pistoletë në dorë, me qytën e së cilës godet në kokë dhe në fytyrë Kërtushën.

Nga goditja me qytë, pistoleta ka kryer qitje, nga e cila ka mbetur i plagosur në krah nipi i Gëzimit, Bledar Hajno.

Më pas, konflikti shmangen nga objektivi i kamerës. Në një moment të dytë, personat në konflikt shfaqen sërish në kameran e sigurisë, kësaj radhe pranë një taksie, ku Kërtusha po tentonte të hipte dhe duket që ishte i plagosur.

Tek dera e taksisë, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno e arrijnë sërish dhe e godasin sërish, duke tentuar ta nxjerrin nga taksia.

Megjithatë, taksia është nisur së bashku me Kërtushën drejt spitalit të Durrësit, ku ka mbërritur i vdekur me një plumb në pjesën e kraharorit.

Letra e nënës së Asllan Kërtushës në tetor 2016 drejtuar institucioneve shtetërore dhe drejtësisë:

Presidentit të Republikës së Shqipërisë

Kryeprokurorit të Republikës së Shqipërisë

Gjykatës së Rrethit Durrës

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë

Ministrit të Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë

Më një 1 mars të këtij viti, në Durrës u vra një 29-vjeçar pas një sherri banal me dy vrasësit Gëzim Kajno dhe Bledar Kajno. Shkurtimisht ngjarja vijoi si më poshtë: Pas një debati verbal në lokal mes Asllan Kërtushës dhe kamerierit, pronari i lokalit Gëzim Kajno me kushëririn e tij Bledar Kajno, dolën në një tavolinë të lokalit përjashta. Pasi ndenjën të ulur për disa minuta, Gëzim Kajno nxori pistoletën dhe me qytën e saj e goditi Asllan Kërtushën në kokë. Arma qëlloi aksidentalisht duke plagosur kushëririn e Gëzim Kajnos, Bledar Kajnon. Pas kësaj Asllan Kërtusha u qëllua me plumb në këmbë. Ai tentoi të largohej me taksi, por vrasësit e ndoqën dhe pasi e goditën me grushte e shqelma, e qëlluan me plumb në kraharor. Asllan Kërtusha dha shpirt në spital. Të gjitha këto janë në videon e kamerave të lokalit, e cila u transmetua në të gjitha televizionet publike dhe është akoma e disponueshme në “Youtube”.

Ne, familjarët e viktimës po shkruajmë këtë letër të hapur sepse akuza fillestare e mbështetur në filmime në kohë reale: “vrasje me paramendim, në bashkëpunim”, “armëmbajtje pa leje” dhe “fshehje e krimit”, është ndryshuar. Gjatë 6 muajve të hetimit u ndërruan tre prokurorë! Aktualisht prokurori i çështjes, Drini Pali (i pushuar nga puna për parregullsi në 2010-ën dhe i kthyer në punë në 2013-ën), ka ndërruar akuzën fillestare, nga “vrasje me paramendim” në “vrasje në gjendje të rënduar depresive”. Kjo me qëllimin e vetëm për të lehtësuar vrasësit me një dënim kalimtar.

Pasi lexuam akuzën e hartuar nga prokurori në fjalë, na u duk sikur kishim lexuar aktin e mbrojtjes nga avokati i vrasësve, ndërkohë që sipas ligjeve në Republikën e Shqipërisë, prokurori akuzon vrasësit në mbrojtje të viktimës. Në momentin historik të miratimit të reformës në drejtësi, ne jemi të shqetësuar për këto dy arsye:

Në faqen e parë të akuzës, ku duhet të bëhet prezantimi i vrasësit dhe bashkëpunëtorit të tij, çuditërisht ekziston vetëm akuza e këtij të fundit, ndërkohë që akuza (e mëparshme apo aktuale) e vrasësit mungon.

Arsyeja tjetër e shqetësimit tonë janë parashtrimet e pasakta dhe kontradiktore të prokurorit të çështjes në aktakuzë. Po citojmë si më poshtë aktakuzën:

1) “I gjendur para kësaj situate, i pandehuri Gëzim Kajno është ndjerë shumë i fyer dhe në këtë gjendje të rëndë shpirtërore, tronditur psiqikisht pas thënieve të këtyre fjalëve fyese si dhe veprimeve të dhunshme të kryera nga Asllani në drejtim të tij dhe stafit të lokalit, menjëherë aty për aty, ai ka qëlluar me një pistoletë të tip ‘TT’ në drejtim të Asllan Kërtushës duke e lënë të vrarë atë”.

Ky është një informacion që nuk qëndron, sepse Asllan Kërtusha nuk ka mbetur i vrarë aty për aty siç përpiqet ta shesë prokurori, por pasi arriti të hipte i plagosur në taksi u ndoq nga vrasësi, u qëllua me shqelma dhe grushte në tentativë për ta nxjerrë nga taksia dhe u qëllua për të dytën herë në kraharor. Asllani sipas raportit mjeko-ligjor ka vdekur në spital dhe jo aty për aty siç thotë prokurori.

2) Citojmë prokurorin:

“Siç rezulton edhe nga kryerja e pamjeve filmike pas momentit të plagosjes së shtetasit Bledar Kajno, palët në konflikt dalin jashtë kuadrit të fokusimit të pamjes filmike. Në këto rrethana, siç rezulton nga deklarimet e personave të pranishëm, si dhe dëshmitarëve të ngjarjes, viktima Asllan Kërtusha ka qenë shumë i dhunshëm ndaj Gëzimit dhe stafit të lokalit. Nga pronari i lokalit si dhe nga stafi i tij nuk është bërë asnjë veprim provokues ose nxitës ndaj shtetasit Asllan Kërtusha, përkundrazi, gjatë gjithë kohës është bërë përpjekje për të shmangur konfliktin me të. Ka qenë Asllani që ka ushtruar dhunë fizike ndaj pronarit dhe stafit të lokalit”.

Prokurori vazhdon të bjerë në kundërshtim me veten, sepse gjatë gjithë kohës thotë se pas plagosjes së kushëririt, Gëzim Kajno ka qenë në gjendje të rënduar psikike dhe kjo ka qenë arsyeja qe ka qëlluar mbi Asllan Kërtushën. Ndërkohë që, më sipër thotë që pas plagosjes së Bledarit, Gëzimi nuk ka ushtruar dhunë mbi Asllanin, por ky i fundit i plagosur ka qenë në gjendje të ushtrojë dhunë ndaj pesë vetëve (!), dy bashkëpunëtorëve në vrasje dhe stafit.

3) Citojmë prokurorin:

“Gëzim Kajno ka deklaruar se ishte e vërtetë se është afruar te mjeti pasi ka parë se shtetasi Asllan Kërtusha qëndronte te dera e pasagjerit dhe është afruar duke e shtyrë për t’u ulur në sedilje të pasagjerit, ndërkohë që ka urdhëruar drejtuesin e mjetit që të merrte makinën dhe ta largonte prej aty, pa e ditur që Asllani të ishte dëmtuar me plagë me armë zjarri, pasi gjer në ato momente nuk i kishte parë dëmtime apo plagë në trup këtij shtetasi”.

Prokurori këtu jo vetëm që bie në kundërshti me atë që tha më sipër, se Asllan Kërtusha u qëllua aty për aty dhe mbeti i vdekur, por nuk është në gjendje të kuptojë që vrasësi po gënjen, edhe pse kamera tregon më së miri që vrasësi nuk ka qenë aty për të ndihmuar Asllanin, por për t’u siguruar që e vrau atë duke e qëlluar për herë të dytë.

4) Citojmë prokurorin:

“Në rrugë automobilistike (rrugica e lagjes) mbi asfalt është gjendur gëzhojë metalike që nga ekspertimet e kryera ka rezultuar modeli i kalibrit 7.62 mm, është fiksuar në tabelë nr.1 në vendngjarje”.

Kjo vërteton që vrasësi më sipër ka gënjyer dhe prokurori çuditërisht nuk e ka kuptuar që gënjen as nga videoja, as nga fakti (i shkruar nga vetë prokurori) që gëzhoja është gjetur në vendin ku ka qenë taksia.

5) Citojmë prokurorin:

“Nga këqyrja ka rezultuar se viktima ka pasur edhe dëmtime të tjera të shkaktuara me sende të forta që kanë rezultuar në formë dermishje dhe një plagë lacero-kontuzive në pjesën e sipërme të kokës”.

Gjatë gjithë aktakuzës prokurori, i cili nuk meriton të quhet më i tillë por “avokat” i vrasësit, aludon se Asllani ka ushtruar dhunë fizike mbi vrasësin. Ekziston një raport mjeko-ligjor që pohon se në trupin e Asllanit përveç plumbave janë gjetur edhe shenja dhune nga vrasësit. Ndërkohë që nuk ekziston një raport mjeko-ligjor për dhunë fizike të ushtruar ndaj vrasësit apo stafit, siç pohon prokurori më sipër.

6) Citojmë prokurorin:

“Për sa më sipër, sjellja e shtetasit Gëzim Kajno në rastin konkret ka qenë e tillë (impulsive)”.

Prokurori ka pohuar më sipër se Gëzimi është lajmëruar nga stafi dhe ka ardhur i përgatitur për sherr me armë pa leje, kur fare mirë mund të lajmëronte policinë; gjithashtu ai dhe Asllani kanë qëndruar 30 minuta duke diskutuar në tavolinë, gjë që nuk e bën impulsiv veprimin, të pavullnetshëm. Përsërisim që ai erdhi i përgatitur me armë, doli jashtë lokalit me vullnetin e tij të plotë i shoqëruar me kushëririn duke e ditur që Asllani ishte i paarmatosur, e pa mundur për t’u kontrolluar apo për të vlerësuar pasojat. Përsërisim që sherri nuk nisi ndërmjet Asllanit dhe Gëzimit. Ai mund ta kishte kontrolluar shumë mirë duke mos shkuar si i fortë (forcë që ia jep armëmbajtja pa leje) po të kishte thirrur organet përkatëse. Ai e ka pasur shumë të mundur shmangien e konfliktit. Sa për pasojat, një person që bredh me armë nëpër qytet i di pasojat që mund të ketë përdorimi i tyre. Asnjë nga arsyet që shtron prokurori nuk qëndron: “Nga ana psikiatrike ligjore prezanton ulje të përgjegjshmërisë për veprën penale në momentin e kryerjes së saj”.

7) Prokurori nënvizon: “Ky fakt tregon më së miri se i pandehuri Gëzim Kajno e ka kryer veprën penale të vrasjes së shtetasit Asllan Kërtusha në gjendje të tronditjes së fortë psikike të shkaktuar nga fyerja e rëndë dhe dhuna fizike e këtij të fundit ndaj tij dhe stafit të lokalit”.

Ky nuk është fakt, por interpretim i pabazë nga ana e prokurorit. Fakte janë që Gëzim Kajno nuk ishte në sherr po erdhi të futej në sherr; fakt është që Gëzim Kajno erdhi i armatosur dhe i përgatitur për sherr; fakt është që Gëzim Kajno kishte me vete armën, kushëririn dhe komplet stafin kundër një personi të paarmatosur që paska ushtruar kaq shumë dhunë fizike kundër 5 vetëve sa të arrijë t’i trondisë këta të fundit psiqikisht; fakt është videoja që e ka parë publiku mbarë, që Asllani është ndjekur duke e dhunuar me grushte e shqelma dhe i është shtirë për të dytën herë në kraharor për t’u siguruar që është vrarë; fakt është që në trupin e Asllanit janë gjetur shenja dhune përveç plumbave; fakt është që në trupin e asnjërit prej vrasësve apo të stafit nuk është gjetur shenjë dhune.

Të gjitha faqet e shkruara nga ky prokuror janë interpretime të shëmtuara të ngjarjeve dhe një kopje shabllone e së drejtës penale për të mbushur faqet, në mungesë të fakteve që kundërshtojnë akuzën fillestare “vrasje me paramendim”. Natyrshëm ju shtrojmë pyetjen: Prej kujt duhet të mbrohemi më shumë, prej vrasësit apo prej sistemit të Drejtësisë?

I lutemi Trupit Gjykues të lexojë me vëmendje çdo fjali të kësaj aktakuze, ku është e dhimbshme të gjesh kaq shumë kontradikta e fshehje faktesh. Në një shkresë aktakuzë si kjo, kur lehtë të bien në sy injoranca dhe mungesa e profesionalizmit, është e dhimbshme të zbulosh, që si rrjedhojë kemi të bëjmë edhe me një faj moral dhe penal, një faj, që ngatërron pozicionin e prokurorit në mbrojtje të ligjit dhe të së drejtës me atë të avokatit të vrasësve. Lutemi të lexoni dhe të hetoni këtë çështje!

U lutemi instancave qeveritare që mund të veprojnë për të nxitur drejtësinë në këtë çështje. Nuk bëhet më fjalë vetëm për jetën e një të riu, por edhe shumë të rinjve të tjerë që janë në rrezik nga mosveprimi i ligjit për drejtësi.

Irma Kërtusha, nëna e Asllan Kërtushës.