MENU
klinika

Katër të vdekur dhe pesë të zhdukur brenda pak ditëve

Çfarë po ndodh me turistët në Greqi?!

17.06.2024 - 14:47

Katër turistë të vdekur dhe pesë të zhdukur brenda disa ditëve në Greqi, janë shifra shqetësuese për vendin që gjatë sezonin pret mijëra turistë çdo ditë.

Fenomeni i turistëve që humbasin në zona të ndryshme të Greqisë, disa prej tyre me fund tragjik, po kthehet në një shqetësim të madh ditët e fundit. Nga fillimi i muajit qershor e deri më sot janë zhdukur 9 persona, 4 prej të cilëve janë gjetur të vdekur.

Javën e fundit u kryen tre operacione të mëdha kërkim-shpëtimi për turistët që u zhdukën gjatë ecjeve të tyre në shtigje malore në ishujt Symi, Samos dhe Amorgos. Në mesin e të zhdukurve ishte edhe prezantuesi televiziv britanik Michael Mosley, trupi i të cilit u gjet pas pesë ditësh kërkime.

Në ishullin Samos, trupi i një 74-vjeçari holandez, i zhdukur që prej 9 qershorit u gjet pardje në një përrua nga zjarrfikësit, ku thuhet se ka rënë prej shkëmbinjve nga një lartësi jo shumë e madhe.

Edhe në Korfuz, një 70-vjeçar amerikan, i cili u zhduk në mënyrë misterioze të enjten e kaluar ku ndodhej me pushime, u gjet i vdekur të dielën në det pranë portit të vjetër, Kontrakas.

Në Kretë, një 80-vjeçar belg, i cili po pushonte në një hotel në Malia dhe u zhduk më 13 qershor, u gjet i vdekur në anë të rrugës, pranë zonës arkeologjike të Latousit të Lashtë, një ditë më vonë.

Sa u përket të humburve që ende nuk janë gjetur, organet greke po kërkojnë prej 11 qershorit në Amorgos gjurmët e 59-vjeçarit Eric Kalibet, polic në pension nga Los Anxhelosi, një çift izraelitësh në Vytina të zhdukur prej datës 14 të këtij muaji, si dhe dy franceze të moshës 73 dhe 64 vjeç në Sikinos.

Tri ditë më parë, e përditshmja britanika “Guardian”, në një artikull për këtë fenomen, thekson paralajmërimin e ekipeve greke të shpëtimit se vizitorët në Greqi nuk kanë njohuri ose duken të keqinformuar për rrezikun e aktiviteteve fizike në mes të valës së të nxehtit.

Gjithashtu, organet vendore në shumë ishuj kanë bërë thirrje për një mbështetje më të mirë financiare dhe teknologjike nga qeveria, në mënyrë që të ketë një informacion dhe sinjalistikë të shtigjeve malore të rrezikshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ujëra të pastër kristal dhe resorte mahnitëse"

‘Mirror’: Turistët dynden në Shqipëri