MENU
klinika

Të huajt pro, por qytetarët të shqetësuar!

Durrësi i kthen parkimet në rrugë me pagesë

29.06.2024 - 14:37

Vendimi, i miratuar nga Këshilli Bashkiak, për parkimin me pagesë në 15 rrugë kryesore të qytetit të Durrësit ka sjellë qëndrime të ndryshme mes qytetarëve durrsakë, të cilët nxjerrin në pah problematikën e një trafiku të ngarkuar e kaotik, si dhe zënien e padrejtë të rrugëve nga automjetet për ditë të tëra.

“Deri diku i drejtë pasi nuk do të parkohet vend e pa vend, po duhet të ketë dhe më shumë vendparkime. T’i jepet mundësia njerëzve që të parkojnë”, shprehet një qytetar.

“Jo, nuk do e zgjidhë situatën. Ka shumë makina dhe shumë pak vendparkime publike”, thotë një tjetër.

“Nuk e mendoj të drejtë, sepse shfaq probleme në trafik dhe ardhja e turistëve e shton atë”, shprehet një tjetër.

“Në Itali paguhet. Mendoj që është e drejtë pasi vetëm kështu lirohen vende. Në të kundërt nuk gjendet parkim”, thotë një turist italian.

Përtej qëndrimeve pro dhe kundër, qytetarët kërkojnë përgjegjshmëri në menaxhimin e të ardhurave të siguruara nga ky proces dhe respektimin e rregullave dhe hapësirave publike në qarkullim.

“Janë vonu biles, por puna është a ka rregull këtu tek ne?! Asgjësend s’ka për të funksionuar se janë të gjithë mbrapsht”, shprehet një qytetar.

“Nuk kam makinë e s’e di, po mirë do të ishte të respektohen stacionet e autobuzave që s’kanë vend ku të ndalojnë se i zenë veturat dhe s’pyet askush…Nuk jemi mësuar me rregulla dhe me gjëra”, pohon një qytetare.

“Unë vetë nuk e përdor shumë mjetin, por nëse ato lekë do të ndihmonin njerëzit pse jo. Për shërbime publike dhe njerëzit në nevojë, pra të përdoren për një qëllim të mirë”, thotë një tjetër.

Ndërkohë këtij procesi po i paraprin dhe vendimi i bashkisë për të ndaluar kalimin e automjeteve gjatë mbrëmjes në Rrugën Tregtare dhe parkimin vetëm në një krah të rrugës “Taulantia” përgjatë shëtitores bregdetare.

“Presim një fluks të madh dhe pedonalja do të jetë e shtrirë nga prefektura drejt bashkisë dhe bulevardit Epidamn, me orar të kufizuar nga ora 19.00-23.00. Kalimi do të jetë i detyruar nga rrugët…;’, deklaron Ervis Quku, nga Policia Bashkiake Durrës.

Sinjalistika horizontale për parkimet në këtë rrugë me qarkullim të dendur, në njërin krah të saj, atë nga ish-hotel Vollga drejt Currilave, është fshirë me shirita të zinj, për të treguar se është i ndaluar parkimi që nga kjo e shtunë deri më 15 shtator.