MENU
klinika

Analiza e “The Athletic”

“Ky lojtar i Shqipërisë mund të bëjë diferencën në Euro 2024”

10.06.2024 - 21:54

Gjashtë muaj në Serie A ishin të mjaftueshme për të bindur Interin për të firmosur me Kristjan Asllanin. Organizatori kuqezi spikati e skuadrën e parë të Empolit dhe ekipet më të mëdha italiane u vunë pas tij.

Asllani e shfrytëzoi në maksimum mundësinë e tij në ‘’Carlo Castellani’’, duke rritur shumë entuziazëm me paraqitjet e tij të shkëlqyera në fushën e lojës. Një gol i shënuar ndaj Interit në ‘’San Siro’’, para se t’i bashkohej zikaltërve, konfirmoi vlerat e tij dhe se një transferim i madh ishte një çështje kohe.

Në verën e vitit 2022, Asllani kreu hapin e madh të karrierës, duke iu bashkuar Interit të Simone Inzaghit. 22-vjecari shihej si pasuesi ideal i Marcelo Brozovic, për të luajtur si një numër 6, para mbrojtjes me tre të zikaltërve.

I lindur në Shqipëri, por i rritur nën hijen e kullës së Pisës, Asllani nisi hapat e parë të futbollit me klubin e tij lokal të Buteses, një shkollë futbolli e udhëhequr nga Francesco Pratali, një ish-futbollist shumë i dashur nga tifozët tek Empoli. Më pas, Asllani lëvizi në një nga skuadrat më të mira në Toskanë për zhvillimin e talenteve, Tau Altopascio.

Normalisht, një lojtar me potencialin e Asllanit tërhoqi interesin e Fiorentinës, por mesfushori u udhëzua për të zgjedhur Empolin, një skuadër që në fokusin primar ka aktivizimin e futbollistëve të rinj.

Trasferimi 12 milionë euro tek Interi ndoshta erdhi shumë shpejt për të. Brozovic ishte shpesh i dëmtuar në sezonin e parë të Asllanit në San Siro, por shqiptari nuk ishte gati në atë kohë për të ‘’dirigjuar’’ mesfushën e Interit. Ishte dhe një nga arsyet përse Hakan Calhanoglu u detyrua të spostohej nga një rol ofensiv, si një mesfushor më i tërhequr. Dhe kjo lëvizje e Inzaghit rezultoi efikase, pasi Calhanoglu është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Interit në atë rol.

Por me kalimin e kohës, Asllani u automatizua me procesin e lojës së Interi dhe filloi të lërë impakt. Një nga momentet më të spikatura të tij në sezonin që lamë pas ishte aktivizimi i tij në ndeshjen Inter-Roma, kur rezultati ishte 0-0.

Asllani luajti një top të gjatë diagonal drejt Federico Dimarcos që depërtoi mbrojtjen e Romës, dhe Marcus Thuram finalizoi aksionin me gol.

Nëse shikojmë zonat ku Asllani përfshihet më shumë me topin që nga sezoni i kaluar, mund të vëreni që operon më së shumti në mesin e fushës, një zonë ku zotëron edhe 18% të prekjeve të topit, përqindja më e lartë e prekjeve krahasuar me zonat e tjera ku përfshihet.

Golin e parë me Interin e shënoi në ndeshjen e tij të 53-të me fanellën zikaltër, teksa shfrytëzoi maksimalisht një korridor të Lautaro Martinez ndaj Genoas.

Gjatë dy viteve, Asllani ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm në Itali, titullin kampion, Kupën e Italisë dhe Superkupën. Ai ishte gjithashtu në stol për finalen e Champions League ndaj Manchester City në vitin e kaluar.

Rrugëtimi i tij në Euro 2024 do të startojë në Dortmund, kundër një kombëtareje që e njeh mjaft mirë, siç është Italia. Do të jetë një ndeshje me vlera sentimentale për të, duke qenë se zotëron pasaportat e të dy shteteve, por në fund 22-vjecari do të shpresojë që në këtë turne të konfirmojë pritshmëritë e mëdha që janë ndërtuar për të dhe të prodhojë të tjera performanca pozitive në fushën e lojës./ Super Sport