Festivali Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut në Tiranë, vjen së shpejti me një program prej 41 filmash të përzgjedhur nga vende të ndryshme të botës.
Ceremonia hapëse do të kryhet më 16 shtator, në Marubi Film & Multimedia Academy në Kinostudio, një prej lokacioneve ku do të shfaqet një pjesë e filmave. Pjesa tjetër do të shfaqen në kinemanë e COD-it, në kryeministri si dhe në kinemanë “Maks Velo” në Laprakë.
Çdo ditë, nga 16-21 shtator 2024, filmat do të projektohen në prani të regjisorëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut, kineastëve etj, duke u pasuar nga një seancë pyetje-përgjigjesh mes tyre e publikut.
Motoja e edicionit të 19-të të këtij festivali është “Vepro gjelbër për tani dhe për të ardhmen”.
Filmat e përzgjedhur trajtojnë tema të ndjeshme për kohët të cilat jetojmë. Aktivitetet e këtij festivali do të jenë të lira për audiencën ndërsa filmat do të shfaqen të subtitruar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht./atsh