MENU
klinika

DASH “shuplakë” Vuçiçit, reagon ashpër Vulin

Kushtet për Kosovën “ndajnë” Beogradin nga Uashingotni

18.09.2024 - 13:02

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ditë më parë prezantoi pesë masa dhe shtatë kërkesa për Kosovën si parakushte për “kthim në dialog të mirëfilltë”. Ndër masat ai paralajmëroi shpalljen e Kosovës përmes ligjit “zonë të posaçme sociale”, rezistencë të institucioneve paralele e hapje të zyrave afër kufirit me Kosovën për t’u ofruar shërbime qytetarëve serbë të veriut. Teksa, Serbia duket se e mori një “dritë jeshilë” nga BE, e cila reagoi, duke thënë se i mirëpriti deklaratat e presidentit, nuk është e njëjta qasje e ngrohtë edhe përtej oqeanit, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përmbahen nga retorika nxitëse, veprimet e pakoordinuara dhe aktet legjislative që bien ndesh me përpjekjet për normalizim, kur është pyetur për t’i komentuar masat.

Reagimi i SHBA

Ambasada e SHBA-së në Kosovë e ka përsëritur qëndrimin pro dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, teksa ka kujtuar se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe të cilin dëshiron ta shohë në strukturat ndërkombëtare. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të përkrahin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në mes të Kosovës dhe Serbisë si rrugën për të arritur raporte paqësore dhe produktive mes dy shteteve. E ardhmja e të dyja shteteve është në institucionet evropiane; procesi i lehtësuar nga BE-ja është rruga e vetme përpara. U bëjmë thirrje sërish Serbisë e Kosovës të përmbahen nga retorika e mëtejme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e raporteve apo rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”, thuhet në përgjigje. “Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe multietnik, të cilin ne duam ta shohim tërësisht të integruar në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”, shtohet më tej aty.

Masat e Serbisë

Komunat në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, aktualisht, udhëhiqen nga shqiptarë, pasi banorët lokalë i bojkotuan zgjedhjet. Kryetarët serbë, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të komunitetit në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, kur tensionet ishin të larta për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i komentoi kërkesat e Vuçiçit, por kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit, tha se ato janë antikushtetuese. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit u bëri po ashtu thirrje Kosovës dhe Serbisë që “të përmbahen nga retorika e mëtejshme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e marrëdhënieve të tyre ose që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”.

“Sundimi” i Serbisë

Mirëpo, Aleksandër Vulin ka reaguar ndaj deklaratës së Departamentit të Shtetit, duke thënë se do të ishte mirë që “SHBA të përmbahet nga përpjekjet për të sunduar Serbinë”. “E vetmja rrugë për përparim në Kosovë dhe Metohi është zbatimi i pakushtëzuar i Marrëveshjes së Brukselit dhe formimi i Unionit të Komunave Serbe, i cili është pritur për njëmbëdhjetë vjet”, tha Vulin, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Serbisë raportuar nga media pro-qeveritare në Beograd. Aleksandër Vulin është në listën e personave të sanksionuar nga SHBA që nga vera e vitit 2023, ndër të tjera për “korrupsion, përfshirje në trafik droge dhe lidhje me Rusinë”. Së fundmi ai ka qëndruar në Federatën Ruse dhe është zyrtari i parë shtetëror serb që takohet me presidentin rus Vladimir Putin që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase. Edëard Ferguson, ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, ka reaguar ndaj shkrimit të gazetës “Politika”, në të cilën portalet ruse pretendojnë se synohet të akuzohet Vulin si organizator i incidentit të armatosur në Banjska nga shtatori i vitit 2023, pasi ai atëherë ishte kreu i BIA-s.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat