MENU
klinika

Sa do të jetë indeksimi për çdo kategori

Nga 1 tetori rriten pensionet, zbardhet dokumenti

19.09.2024 - 11:23

Më shumë se 791 mijë pensionistë do të përfitojnë nga indeksimi i pensioneve prej 4.1%. Vendimi u miratua dje nga Këshilli i Ministrave, dhe do të hyjë në fuqi nga 1 tetori 2024. Lajmin e dha ministri Blendi Gonxhe. “Nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë vendim do të përfitojnë rreth 791,257 përfitues që marrin pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara dhe pensione të parakohshme të pleqërisë, pensione të invaliditetit, pensione familjare si dhe pensione që rrjedhin nga skema suplementare dhe trajtimet e veçanta”, tha Gonxhja. Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë. Ndërsa masa e pensionit social rritet nga 9,327 lekë në muaj në 9,710 lekë në muaj. do t’i kushtojë buxhetit 1.6 miliardë lekë për këtë vit. “Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 1,6 miliardë lekë vetëm për tre muajit e vitit”, tha ministri.

Përtej indeksimit, pa dhënë ende shifra, Gonxhja tha se bonusi i fundvitit do jetë më shumë se 5 mijë lekë. “Bonusi do të jetë i rishikuar dhe me rritje”, tha ministri. Institucionet tha ministri po punojnë edhe për skemën e re të pensioneve, që në fokus do të ketë kategoritë që kanë pensionin më të ulët dhe pensionet e pjesshme. “Do të përqendrohemi më shumë tek barazia mes të ardhurave, pra për profesione të njëjta të dala nga llogaritja e pensionit në vite të ndryshme. këtë synojmë ta zgjidhim. Do të shohim pensionet e pjesshme, të invaliditetit që janë në nivel të ulët për shkak të kontributeve të tyre. Do përpiqemi për ato kategori që kanë një nivel të ardhurash nën minimumin jetik, apo që i vë ata në vështirësi për të përballuar jetesës”, tha Gonxhja. Në Shqipëri janë mbi 294 mijë qytetarë që marrin pension të pjesshëm, për shkak të viteve të pakta të punës dhe kontributeve të ulëta. “Ka shumë rëndësi tregu i punës. Ka shumë rëndësi deklarimi, paga reale. Ka rëndësi formalizimi i tregut të punës që ndikon në rritjen e kontributeve”, tha ministri.

Si do të bëhet shpërndarja?

Nga ana tjetër, kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado dha detaje për mënyrën se si do të shpërndahen pensionet. “Shpërndarja do të kryhet përmes bankave të nivelit të dytë dhe postës, po rritet numri i pensionistëve që kërkojnë pensionet në bankë. Nuk i detyrojmë ta tërheqin në bankë, mund t’i tërheqin në postë, t’ua çojë posta në shtëpi, apo në bankë. Pensionistët e rinj, ata urban kryesisht e kërkojnë ta marrin pensionin në bankë. Ne kemi bërë marrëveshjet, llogaritë për tërheqjen e pensioneve në bankë nuk mbahen komision, është marrëveshje e kryer me bankat dhe institucionit. Pensionisti e merr pensionin neto nga banka. Pensionet tashmë i kemi të gjithë të dixhitalizuar, pagesat i kryejmë përmes sistemeve elektronike, edhe indeksimi kryhet automatik, më 1 tetor gjithçka do të jetë gati.

Pensionistët do të marrin pensione të rritura më 1 tetor, nuk ka asnjë problem, pasi procesi kryhet në punë orësh, dhe jo më manualisht”, u shpreh Hado. Sa i përket periudhës së indeksimit të pensioneve, Hado u shpreh se nga viti i ardhshëm do të shihet mundësia e përafrimit të saj, duke mos e lënë atë për fundvit. “Detyrimi ligjor është të bëhet një herë në vit. Si datë kemi patur çdo vit më 1 korrik për indeksimin e pensioneve, në atë kohë rritej edhe paga minimale në shkallë vendi. Paga për punësim është edhe për sigurimet shoqërore, për shkak të krizës së çmimeve në 2022 bëmë dy indeksime. Edhe në 2022 e bëmë indeksimin në prill dhe më vonë për shkak të rritjes së çmimeve bëmë një indeksim të dytë më 1 tetor dhe kështu mbeti data 1 tetor. Vitin e ardhshëm do shohim mundësinë ta afrojmë,” shtoi Hado.

Skemë e re edhe për fermerët

Përveç ndryshimeve te pensionet do të ketë edhe një skemë të re te bujqësia. Detajet i dha dje, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, e cila do të nisë në 1 tetor dhe aplikuesit mund të kenë përfitim brenda vitit. Ministra bëri të ditur se vetëm për këtë vit në funksion të kësaj skeme janë dhënë 500 milionë lek nga buxheti, sipas ndryshimeve të fundit të aktit normativ. Denaj theksoi se prioritet është investimi në zgjerimin e hektarëve në sera, mbarshtimin e kafshëve nga blegtorët dhe rritja e peshkimit në 30 mijë tonë brenda 2030 nga 9600 ton që është aktualisht. “Sapo kemi miratuar në Këshillin e Ministrave “Skemën Kombëtare të Investimeve në Ferma” një instrument për të rritur, fuqizuar dhe modernizuar aktivitetin bujqësor të fermerëve, blegtorëve dhe mbi të gjitha sektorin e peshkimit nëpërmjet Akua-kulturës.

Si Ministre e Bujqësisë duhet të ketë rëndësi promovimi i kësaj skeme në ditën në vijim. Cilët do të jenë përfituesit kryesor të përfimit 50 % grant? Investimet në sera të cilat sot kanë rritur sipërfaqe në hektar deri në mbi dy mijë hektarë në vit nga një mijë hektar që ishte pesë viteve. Shumë i rëndësishëm është sektori i blegtorisë ku gjatë këtij viti ka pasur një vëmendje të shtuar ku do të rrisim investimin e mbarshtimit të kafshëve. Dhe masa e përfitimit në raport me një investim shumë të rëndësishëm për të zgjidhur dëmin e breshërit që ka sjellë jo pak dëme. Kështu do të kemi një investim për rrjetat anti-breshër. Ndërsa për Akukulturën synimi i kësaj qeverie nëpërmjet këtij investimi që morëm vendimin sot është që brenda 2030 ne të kemi 30 mijë ton peshk për tregjet ndërkombëtare ndërkohë që sot është 9600. “, tha Denaj.

Skema

Nga ana tjetër ministrja bëri të ditur dhe sesi do të funksionojë skema. Denaj shpjegoi se shpërblimi për marrjen e grantit do të ketë disa kritere të cilat do të publikohen në faqen zyrtare të AZHBR-s. “Si do të funksionojë skema? Këtij vit kemi një buxhet prej 500 mln lekësh që u miratua në Aktin e fundit normativ. Shpresojmë që data 1 Tetor të jetë data e lançimit të kësaj skeme. Do të ketë një aplikim për marrjen e përfitimit sipas kushteve dhe brenda këtij vitit mund të ketë një shpërblim deri në 30 përqind. Sipas kësaj VKM-je,”, përfundoi Denaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN