MENU
klinika

U angazhuan mbi 100 forca zjarrfikëse

Pas disa ditësh në flakë, izolohet vatra e zjarrit në Kukës

04.09.2024 - 14:27

Është izoluar dhe shuar plotësisht këtë të mërkurë vatra problematike në Kukës, në kullotat e Shishtavecit, në afërsi të Malit të Kallabakut.

Kjo falë ndërhyrjes së koordinuar të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Kukës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar mbi 100 forca zjarrfikëse, ushtarake, të Policisë së Shtetit, ADZM, forca bashkiake dhe vullnetarë të Shishtavecit e Novosejit. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan edhe forca të Repartit Ushtarak Zall herr me 2 automjete transporti të kalueshmërisë së lartë dhe 1 autoambulancë.

Institucionet përkatëse do të vazhdojnë monitorimin dhe janë të gatshme të veprojnë në rast të riaktivizimit të vatrës. Shkak i zjarrit mendohet të jetë i qëllimshëm. Policia e Kukësit është në proces hetimin për gjetje e autorit. Ndikuar nga thatësira dhe era zjarri u konstatua tre ditë më parë. Pavarësisht përpjekjeve të para për shuarjen nga banorët e zonës dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Kukës e ndërhyrjes nga ajri, flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme bari (kullote), shkurre, dëllinje e zezë dhe e kuqe. Situata në terren të martën ishte me kritike pasi pati riaktivizim të vatrës në orët e para të mbrëmjes. Ky masiv pyjor, kullotat e Shishtavecit është pjesë e parkut natyror Kombëtar-Korab-Koretnik, ku rriten edhe bimësi me vlera të veçanta kurative. Ndërsa vatra e zjarrit të rëna në zonë pyjore në Njësia Administrative Surroj është izoluar dhe po mbahet në monitorim. Prefektura dhe Bashkia Kukës, njoftoi qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë çdo incident. Dëmtimi i pronës me zjarr ndëshkohet sipas ligjit.