Edi Rama ka shumë kohë që është më shumë në ajër sesa në tokë. Më shumë në avion se në makinë dhe më shumë në makinë se në këmbë. I shijon më tepër të bëjë batuta për atletet e tij të bardha sesa të merret me ujërat e zeza në bregdet dhe qyngjet e partisë së tij që derdhin urrejtje reciproke, por që ai vetë refuzon t’i shohë. Kritikët dhe mbështetësit e tij pretendojnë se Rama ka filluar të shohë gjithmonë e më larg, por nuk dallon çfarë i ndodh përpara syve. Ai vetë refuzon edhe inatin e të parëve dhe nuk duket i interesuar për servilizmin e të dytëve. I përkedhelet sedra që e konsiderojnë të paparashikueshëm, por vetë sedra nuk e le të shpjegojë se kërkojnë të gjejnë përgjigje aty ku ai vetë nuk ka fshehur gjë. E gjëmojnë pas detajeve, por ai thelbin e ka kyçur gjetkë.
I dashur dhe i urryer si vetëm tre apo katër shqiptarë të tjerë në këto njëqind e kusur vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar, Rama ka luksin të argëtohet me frymëmbajtjen deri në mbytje me të cilën ndëshkon miqtë dhe kundërshtarët. Çdo të bëjë në kongres, çdo të bëjë në asamble, kush ikën, kush vjen, kush ngrihet, kush bie, kush ka ftesë për në kopshtin e frutave dhe kujt do t’i radiografohet stomaku për fruta të ngrëna?
Të gjitha këto janë vetëm detaje. Janë thërrimet që ushqejnë kureshtjen e përditshme dhe urinë e shqiptarëve për të parë ndryshimin që nuk ndryshon asgjë. Janë pjesëza të kanavacës, ndërkohë që vetë piktura është krejt tjetër.
“Shqipëria është atdhe i Njëshit, Fisit dhe Prijësit!”, thoshte dikur privatisht Sali Berisha. Pavarësisht se Kushtetuta sot thotë ndryshe, Shqipëria është gati njëlloj me kohën kur Ahmet Zogu, i shtoi një numër mbiemrit dhe u shndërrua në Lartmadhëri. Eshtë e tillë jo vetëm për shkak të traditës, siç e ka provuar dikur vetë Berisha, paraardhësit e tij, por dhe pasardhësi në pushtet Edi Rama. Dhe kjo ndoshta është dilema më e madhe e vetë Edi Ramës. Të ndryshojë traditën e ta përshtasë atë me kushtetutën apo të ndryshojë kushtetutën që ta bëjë paralele me traditën?
I shndërruar në sfinks të heshtur, me humor të palexueshëm dhe gjithmonë e më i vetmuar, llogaria e ftohtë e Ramës ka të bëjnë gjithmonë e më pak me të përditshmen e lajmeve të portaleve. Ajo i drejtohet kryesisht një të nesërmeje të lidhur me trashëgiminë e tij dhe me çfarë do të shkruhet në libra. Dhe për këtë, ashtu si gjithë politikanët seriozë, edhe ai i nënshtrohet një rregulli të ashpër: pak rëndësi ka si vjen në skenë dhe çfarë bën; rëndësi ka si ikën! Dhe Rama nuk ka ndërmend të ulë perden e tij, siç urojnë edhe miqtë që i shtyp si armiq, edhe kundërshtarët e tij që nuk e mundin dot.
Me të gjitha gjasat, me një palë zgjedhje formale vitin tjetër dhe me një shumicë të garantuar afër shumicës kushtetuese, Rama do të inicojë një reformë përfshirëse kushtetuese. Një reformë që synimin kryesor e ka në kontrollin dhe ekuilibrin e pushteteve, që sot realisht është një frymë e deformuar dhe ndoshta deri në ndryshimin e natyrës së republikës. Shqipëria ka vite që nuk është më republikë parlamentare. Parlamenti është nën kontrollin e kryeministrit, siç ndodhi në kohën e Berishës dhe siç po ndodh sot me Ramën. Ai është shnderruar prej kohesh ne një noter here te zhurmshëm e herë naiv, por gjithëherë pa këllqe që të rrëzojë vullnetin e kryeministrave. Sepse Shqipëria është realisht republikë kryeministrore.
Ky ndryshim do të ishte pa dyshim operacioni më i rëndësishëm politik që do të duhej të bëhej: Shqipëria me president të zgjedhur nga populli, që emëron dhe shkarkon kryeministrin dhe mandat të kufizuar me jo më shumë se dy herë zgjedhje. Jo si modeli amerikan, por si modele shumë më pranë Shqipërisë. Si ati Erdogan në Turqi apo vëllau Vuçiç në Serbi që e kanë bërë më herët kapërcimin nga kryeministra në presidentë.
Natyrisht Edi Rama nuk e ka ndarë me askënd këtë projekt e ndoshta ai nuk ekziston as në planet e tij. Por mundësitë që ky operacion kushtetues hap për gjithë shoqërinë apo dhe mëkimi i interesit të tij personal, mund ta lejojnë lehtësisht kryeministrin të persiatet mbi këtë udhë. Parë në këtë dritë, makthi “kush ikën e kush vjen” i socialistëve në asamblenë e të dielës dhe kureshtja e publikut, ka të bëjë vetëm me ca pak fate individësh, ndryshimi i të cilëve, nuk sjell asnjë ndryshim. Lëvizjet e mundshme në qeveri me ndoshta më shumë se tre ministra që mund të ikin, përkëmbimet e drejtuesve politikë në qarqe, ndarja e Tiranës qytet e qark apo ikje-ardhjet e disa emrave e deri dhe ndryshimi pothuaj total i listës së deputetëve nesër, janë vetëm detaje portalesh, por jo tekë e librit që synon të shkruajë Rama. Ato janë ditar betejash të përditshme vaniteti, por jo lufta finale për të!
Kryeministri nuk ka sot në krah pothuajse asnjë nga njerëzit me të cilët nisi të qeverisë Shqipërinë në 2013-ën. Një pjesë e miqve të dikurshëm i janë shndërruar në armiqtë e tij më të egër, një pjesë shohin makthe për të ardhmen për ato që kanë bërë në të shkuarën e një pjesë kanë patur fatin e gjurmës së pulës në shkretëtirë: lagën e thanë, erdhën e ikën, por gjë nuk bënë!
Edi Rama sot ka bastin për të zgjidhur aksiomën e djeshme të Sali Berishës: “Shqipëria është Atdhe i Njëshit, Fisit dhe Prijësit!”. Dhe mund ta zgjidhë këtë aksiomë qoftë duke i shërbyer Atdheut që ka nevojë për një Prijës të përkohshëm kur nuk e mundin dot ndryshe, qoftë duke i blatuar vetes një dhuratë që në një të nesërme më të largët, do t’i vlejë shumë më shumë! Jo vetëm për të shpëlarë shijen e helmët që jep mërzia nga pushteti i gjatë, jo vetëm për t’i shkarë ngutit për të hapur qyngjet socialiste të bllokuara me urrejtje reciproke, por dhe për të shuar helmin e vetmisë së vetëkërkuar duke ndenjur më pak në tokë sesa në ajër! Aty nga ku kundron plot pezm sesi “miqtë” e rinj pa thelb e kockë, rendin mbas detajeve mishtore dhe i brohorasin atletet për t’u dukur të dobishëm për Fisin në sytë e Njëshit dhe Prijësit.