MENU
klinika

“BE dhe SHBA nuk mund të jenë ndërmjetësues…”

Rusia mbështet planin me 7 pika të Vuçiç për Kosovën

21.09.2024 - 09:52

Një javë më parë Aleksandër Vuçiç në një fjalim të jashtëzakonshëm shpalli një plan me 7 pika për Kosovën, ku e klasifikoi si zonë të mbrojtjes së veçantë sociale dhe kërkoi krijimin e një prokurorie special.

Ky plan i Vuçiç ka marrë këtë të premte mbështetjen e pakushtëzuar të Rusisë, me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova që tha se nisma e Beogradit për zgjidhjen e situatës në Kosovë është hapi i vetëm i mundshëm që duhet ndjekur.

“Iniciativa e presidentit Vuçiç sugjeron se ky është hapi i vetëm i mundshëm që Beogradi sheh tani. Ne mbështesim plotësisht kërkesat e parashtruara, mirëpresim synimin për të riparaqitur një kërkesë për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Zakharova në një konferencë në margjinat e Forumit të Grave Euroaziatike, siç citon A2.

Për Moskën vetëm vendosja e status quo-së, duke u kthyer në thelbin e Marrëveshjeve të Brukselit, mund të ofrojë bazë për dialog të mëtejshëm të frytshëm. Zakharova insiston se duhet të shfuqizohen vendimet e qeverisë së Prishtinës, të cilat i cilëson si të njëanshme dhe të kundërligjshme.

Këtu ajo përfshin mbylljen e administratave serbe, bankave, postave, zëvendësimin e serbëve me shqiptarë në organet e vetëqeverisjes lokale dhe ndalimin e përdorimit të dinarit.

“Parakushti kryesor për normalizimin është që shqiptarët e Kosovës t’i përmbushin obligimet e tyre në përputhje me dokumentet që i kanë nënshkruar, para së gjithash për formimin e Unionit të Komunave Serbe në Kosovë”, tha më tej Zaharova.

Sipas saj, Brukseli dhe Uashingtoni nuk mund të veprojnë si “ndërmjetësues të ndershëm” në kontekstin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Duke qenë se SHBA-të nuk janë në gjendje të luajnë rolin e një ndërmjetësi të ndershëm, duke siguruar përmbushjen e marrëveshjeve kryesore nga Brukseli, ato ashtu siç e krijuan atë kuazi komunitet, po i nënshtrohen atij, duke mos lënë asnjë shans për një përfundim të drejtë të situatës. E gjithë kjo është në dëm të paqes dhe stabilitetit”, deklaroi Zakharova.

Duke e konsideruar Kosovën si “territor origjinal serb”, Zakharova akuzon NATO-n dhe Perëndimin se për 25 vite u bënë sponsorët e projektit të Kosovës dhe punuan për legalizimin e kapjes së atij territori. Sipas saj ky proces kulmoi me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit, për të cilin zëdhënësja e Kremlinit pretendon se ka bërë që “shqiptarizimi të marrë përmasa kërcënuese”.

“Serbët po dëbohen nga territori i krahinës, duke u përpjekur të fshijnë gjurmët e trashëgimisë së tyre historike shekullore. Nuk do të flas as për korrupsion dhe krime në territorin e Kosovës. Vetëm kur ka shtet, institucionet mund ta menaxhojnë atë, të vendosin rendin dhe ligjin. Por ky është një kuazi shtet, e kanë formuar me mashtrim, kështu që sot ekziston me mashtrim”, theksoi Zakharova.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat