Nga muaji tetor qeveria ka premtuar se do të indeksojë pensionet, një detyrim ky ligjor që zbatohet çdo vit. Por sa do të jetë norma e indeksimit? Për këto dhe të tjera detaje ka folur drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, në një intervistë për “Vizion Plus”. Këtë vit indeksimi nis në muajin tetor, por sipas kreut të ISSH-së, qeveria po mendon që për vitin e ardhshëm ky proces të ndodhë në mes të vitit. Ndërkohë qeveria ka premtuar se edhe bonusi i fundvitit do të jetë edhe më i madh se 5 mijë lekë.
-Zoti Hado, flitet prej kohësh se indeksimi do të nis në muajin tetor por a kemi një shifër konkrete sa është inflacioni i shportës për kategorinë e pensionistëve?
Sigurisht, është detyrim ligjor i INSTAT-it që të llogarisin çdo muaj deri në 10 tetor të llogarisin indeksin e çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët, i cili është një raport i çmimeve të një viti krahas vitit të mëparshëm për të treguar ndryshimin e çmimeve për një kategori të caktuar mallrash dhe shërbimesh që konsumojnë pensionistët. Në llogaritë që ka bërë INSTAT-i rezulton që indeksi i çmimeve të konsumit për tërë popullatën është 2.9%, ndërsa për pensionistët ky indeks është 4.1%, që do të thotë se çmimet janë 4.1% më të larta se një vit më parë. Bazuar në ligjin e sigurimeve shoqërore 7703, është sanksionuar që pensionet indeksohen çdo vit bazuar në normën që del nga INSTAT-i për indeksin e çmimit të konsumit dhe me datë 1 tetor do të bëjmë indeksimin e të gjithë përfitimeve që trajton Instituti i Sigurimeve Shoqërore me këtë masë.
-Të dhënat më të fundit të 2023 flasin se janë gati 705.000 pensionistë në total. Të gjithë janë përfitues të këtij 4.1%-shi apo shifra është më e madhe në 2024-ën?
Sigurisht që shifra është më e madhe në 2024-ën sepse kemi një rritje neto rreth 15000-18000 pensionistë në vit. Vjet numri i pensionistëve ka qenë më i lartë se viti 2022 dhe deri në fund të këtij viti pretendohen të jenë 720.000 më shumë pensionistë pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Në këtë kategori nuk përfshihen vetëm këto pasi indeksimin do ta përfitojnë edhe pensionet suplementare, si njësitë e shërbimit, trajtimet e veçanta që janë për kategori të ndryshme, si punonjësit e shërbimeve ushtarake, ish-minatorët dhe të gjithë gama e përfitimeve që paguan ISSH-ja me përjashtim të kompensimeve të ndryshme me të cilat janë me masë fikse dhe ato nuk indeksohen ndonjëherë.
-Bashkë me këtë kategori, totali i përfituesve 4.1%, arrin deri në sa pothuajse?
Nuk po them totali i përfituesve pasi ka një ngatërrim por është totali i përfitimeve. Shkon deri në 791.000 përfitime, por jo domosdoshmërisht janë 791.000 persona pasi ka persona të cilët marrin edhe pension pleqërie ose invaliditet ose marrin dhe pension suplementar si ish-ushtarak ose si nëpunës i lartë i shtetit ose si ish-minator. Kemi gati rreth 30.000 ish-minator, ish-metalurg dhe ish-naftëtar të cilët krahas pensionit të pleqërisë kanë marrin edhe pension suplementar sipas ligjit 29. Janë 30.000 përfitime më shumë, por jo domosdoshmërisht janë 30.000 mijë persona më shumë.
-Është folur edhe më herët që pensionet të ketë mundësi të kalojnë në bankë dhe jo nëpërmjet postës, ka ndonjë gjë më konkrete?
Kjo ka të bëj me politikat që ka të bëj qeveria që të reduktoj me të drejtë cash-in në qarkullim dhe shumica e pagesave të realizohet nëpërmjet sistemit bankar. Ndaj në këtë kuadër ka dalë dhe ligji që ka miratuar Banka e Shqipërisë që hapja e llogarive utilitare, kategori të caktuara të cilat me kosto 0 ose komisione shumë të ulta. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka vite tashmë që ka dy mënyra pagese pensioni, një nëpërmjet Postës Shqiptare dhe një nëpërmjet sistemit bankar. Ajo çka vihet re, vitet e fundit kemi një rritje të personave të cilët duan të marrin pensionin në bankë, sidomos personat që dalin rishtas në pension, janë të edukuar pasi kanë marrë pagën në bankë dhe janë të familjarizuar e të edukuar me atë lloj pagese. Ne kishim marrëveshje me nëntë banka e para dy javësh nënshkruam marrëveshje dhe me bankën ‘Procredit’, që do të thotë se i kemi të gjitha mundësitë dhe opsionet që qytetarët ta marrin pensionin në bankë. Jemi duke punuar dhe me Postën Shqiptare për një formatizim të pagesave, pasi ISSH është gati totalisht i formatizuar sa i përket pagesave nëpërmjet një sistemi informatik ku çdo gjë mund ta lidhin online.
-Indeksimi përse lihet në fund të vitit dhe vetëm tre muaj përfitojnë pensionistët kompesim nga çmimet e rritura ndërkohë që viti ka 12 muaj?
Më parë indeksimet bëheshin në muajin prill por prej vitit 2022 kaloi në muajin tetor pasi pati dy indeksime për shkak të rritjes së çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë, bëmë dy indeksime brenda vitit pasi pati një rritje të menjëhershme të çmimeve dhe bëmë indeksimin prej 3.3% në 1 Prill e nuk pritëm të kishte një tjetër rritje të çmimeve të ushqimeve e bëmë dhe një tjetër indeksim në tetor me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë pensionistëve. Ajo që po mendojnë ne është të afrojmë datën e indeksimit dhe të mos e lëmë 1 Tetor. Problemi tjetër është rënia e inflacionit dhe indeksi i çmimeve në këto muajt e fundit shumë sepse ka filluar në Janar me 5.8% dhe ka arritur 4.1%.
-Buxheti i vitit 2024, ka ndryshuar dy herë brenda vitit, njëherë në shkurt dhe tani në gusht, me qëllim se janë mbledhur disa para më shumë në arkën e shtetit dhe janë rishpërndarë në projekte që janë më të avancuara. Kryeminstri premtoi se do të ketë një bonus apo një paketë më të madhe që ka qenë ndonjëherë. Kur paratë janë, pse të mos shkrihen këto para të shkrira në formën e indeksimit por në paketa ndihme?
ISSH ka një buxhet më vete dhe funksionon si entitet financiar më vete dhe përfitimet që jep i ka mbi bazën e kontributeve që paguan dhe ka një formulë si llogaritet pension. Është një formulë e cila llogaritet në mënyrë të drejtpërdrejtë masën e pensionit me kohëzgjatjen e periudhës kontributive dhe me sasinë e parave që ke kontribuar. Detyrimi ligjor i skemës së sigurimeve shoqërore është që pensionet të indeksohen dhe të ruhet fuqia blerëse e parasë, gjë që ne po e bëjmë nëpërmjet indeksimit.
-Në një deklaratë që mbajti në Asamble, kryeministri njoftoi për një plan kombëtar për të garantuar sigurimet shoqërore apo dhe skemën e pensioneve në tërësi ku fokusi do të ishte tregu i punës. A është kjo rruga e duhur për të rritur pensionet duke ndërmarrë aksionet e radhës?
Kjo jo vetëm është rruga e duhur por dhe e vetme që të rriten të ardhurat për fondet në Sigurime Shoqërore e për rrjedhojë të rritet edhe pensioni. Ka dhe një rrugë tjetër që qeveria të marrë para borxh, që do të thotë se do i paguajmë po ne e si e tillë kjo na rëndon. Sistemi i pensioneve nuk është shkaku por pasojë e drejtpërdrejtë e marrëdhënieve të punës dhe ecurisë së tregut të punës. Nëse ne kemi një treg pune me paga të ulta apo me paga të deklaruar në mënyrë fiktive, do të thotë që ne kemi më pak para për të paguar pensionet, personat që do të dalin në pension sigurisht që do iu dalë pensioni më i ulët dhe e vetmja rrugë është zhvillimi i tregut të punës, shtimi i numrit të kontribuuesve dhe deklarimi real i pagës.
-Si mund të realizohet kjo?
Unë nuk di kush është qasja e si do të realizohet por sigurisht që është rruga e vetme. Sot një ndër problemet më të mëdha që mbetet është nën deklarimi i pagës, ka ende kompani dhe biznese e sidomos në fushën e ndërtimit që i deklarojnë pagat e punonjësve të tyre me pagë minimale. Publiku duhet të kuptoj e deklarimi i pagës reale nuk i bën nder ISSH-së por vetes së tyre pasi deklarimi real i pagës d.t.th një pension më i lartë pasi përfitimi do iu llogaritet në bazë të pagës që kanë marrë, pasi një person që paguhet me pagë minimale, sigurisht që do iu dal pensioni i ulët.