MENU
klinika

Rënie drastike e ujit në liqenin e Fierzës

Asnjë turbinë në punë për prodhimin e energjisë elektrike

26.10.2024 - 17:49

Rënia e nivelit të ujërave në liqenin e Fierzës, vazhdon pa ndërprerje. Mungesa e reshjeve dhe rënia e prurjeve të lumenjve po e çojnë drejt tharjes basenin më të madh ujëmbledhës në vend.

Situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të dy lumenjve kryesor janë shumë të pakta ndërsa rreziku për rënie në nivele kritike ekziston.

Drini i Bardhë dhe Drini i Zi nuk sjellin më shumë se 50 metër kub ujë në sekondë ndërsa rënia e nivelit është 40 cm në 24 orë ndërkohë që niveli i ujit vetëm javën e fundit ka rënë me dy metra.

Në mesin e tetorit ishte 271.91 metra. Aktualisht niveli në liqen sipas KESH ka arritur në 269.21 metër nga 296.5 e kuotës maksimale.

Kjo rënie ka sjell edhe daljen e bazamenteve të dy urave mbi Drinin e Zi, ndërsa baseni i Fierzës po lë bregun e po tkurret çdo ditë rreth kupolës së tij.

Sipas sallës operative me qëllim ruajtjen e rezervës hidrike momentalisht asnjë turbinë nuk është në punë për prodhimin e energjisë elektrike nga katër që ka në total.

Kujtojmë se Liqeni i Fierzës në nivelin maksimal të tij ka një kapacitet ujëmbajtës prej 2.7 miliard metër kub ujë.

Ndërsa në nivelin e të ashtuquajturës pikë e vdekjes, 242 metra mbi nivelin e detit kapaciteti është 1.2 miliard metër kub ujë, që nuk shfrytëzohet për prodhim energjie.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shfaqen rrënojat e qytetit të vjetër

Bie niveli i ujit në liqenin e Fierzës