Fati i keq i dëmtimeve po rikthehet. Nëse para dy vitesh, në epokën “Reja”, trajneri italian vuante shpesh herë mungesën e disa lojtarëve të rëndësishëm, diçka e tillë mesa duket po ndodh edhe tani.
Pas mungesës së Berat Gjimshitit, i cili qëndroi në Itali për shkak të një dëmtimi në hije, Kombëtarja vuan edhe mosprezencën e Armando Brojës apo Rei Manajt, dy sulmuesit kryesorë të kuqezinjve. Por, nuk ka mbaruar me kaq pasi një tjetër mungesë është shtuar në listën e trajnerit brazilian. Për ndeshjen e parë me Çekinë ditën e premte, Kristjan Asllani është pothuajse jashtë.
“Panorama Sport” mëson se mesfushori ka marrë një goditje në muskuj dhe rrezikon të mos luajë në Pragë. Në seancën e djeshme, për të mos rrezikuar, ashtu siç ishin edhe udhëzimet e stafit mjekësor, Kristjani punoi i diferencuar në palestër dhe gjendja e tij do të vlerësohet edhe njëherë sot.
Një goditje e fortë duke qenë se Asllani është “truri” i mesfushës dhe tashmë mund të fillohet që llogaritë të bëhen edhe pa të. Kjo do të sillte edhe disa ndryshime në formacionin titullar. Ndërkohë, probleme të vogla edhe për Myrto Uzunin, i cili po ashtu nuk punoi me grupin dhe mori vetëm një ngarkesë të lehtë duke bërë vrapime. Sulmuesi pritet që të kalojë çdo gjë dhe sot do të bashkohet me grupin.