MENU
klinika

Pavijoni i Lashtësisë është më i rëndësishëm dhe nga më të pasurit

Muzeu Historik Kombëtar me 6000 objektet e një periudhe të gjatë kohore!

30.10.2024 - 19:40

Para 43 vitesh u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar. Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit dhe u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet.

Për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to. Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e tij gjenden mbi 6000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij.

Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit kombëtar si dhe për përcjelljen e këtij imazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Grupi i punës u drejtua nga personalitete të shquara të kohës si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksandër Meksi e shumë të tjerë.

PAVIJONET

Pavijoni i Lashtësisë është pavijoni më i rëndësishëm dhe nga më të pasurit në “Muzeun Historik Kombëtar” me afro 400 objekte të ndryshme. Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së bronzit (2100-1200 para Krishtit) si dhe objekte të epokës së hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e popullit ilir. Prej shekullit të VII para Krishtit kemi vendosjen e kolonive helene gjatë vijës bregdetare të detit Jon dhe Adriatik. Nga kjo periudhë i kanë rezistuar kohës disa enë prej qeramike dhe disa shpata. Pavarësisht nga ndikimi helen qytetërimi ilir thekson dukshëm karakterin autokton të tij, e cila dëshmohet me origjinalitetin e armatimit ushtarak.

Në “Muzeun Historik Kombëtar” gjendet pafka prej argjendi e një princi ilir, e cila është zbuluar në një varr monumental në Selcën e Poshtme. Në pafkë paraqitet një luftëtar ilir i armatosur, i cili ka hipur mbi kalë. Prapa krahëve të tij paraqitet një dragua. Jeta kulturore e ilirëve nuk mund të perceptohet pa hyjnitë e tyre, sidomos në shekujt IV-I para Krishtit. Hyu i luftës Medaur paraqitet me anën e një kalorësi të armatosur dhe hyu i detrave Redon paraqiet në formën e një koke burri në profil. Një figurinë bronzi paraqet sfinksin me fytyrë të bukur femre, krahë shqiponje dhe kthetra luani. Objekti është gjetur në Antigone dhe daton në shekullin III para Krishtit. Interes të veçantë paraqet “Mozaiku i Mesaplikut”, i cili u zbulua në vitin 1979 nga arkeologu Damian Komata dhe prej vitit 1981 gjendet në “Muzeun Historik Kombëtar” në Tiranë. Mozaiku ka përmasa 230×349 centimetra dhe përbëhet prej gurësh të vegjël kubikë duke krijuar figura zoomorfe. Figura kryesore në mozaik është ajo e një burri. Ai paraqitet në profil duke buzëqeshur dhe në kokë mban një kësulë me antenë, në të cilën është lidhur një kordele dyshe. Përpara fytyrës së personit është shkruar një frazë e vendosur në formë kolone që lexohet APARKEAS, i cili mendohet të ketë qenë emri i ktitorit të mozaikut. Një kryevepër mozaiku është “Bukuroshja e Durrësit”, e cila daton që nga shekullin IV para Krishtit. Mozaiku paraqet portretin e një gruaje dhe është i punuar me gurë zalli të formave të ndryshme. Në qendër të mozaikut paraqitet koka e bukuroshes, e cila rrethohet nga bisqe të mëdhenj me dredhëza, rrotëza, lule zambaku e lule kambane, që mbushin njëkohësisht të gjithë sipërfaqen e mozaikut.

Pavijonit të Mesjetës i janë kushtuar dy salla ku vizitorët kanë mundësi të njihen me zhvillimin ekonomik, social, politik dhe kulturor të shqiptarëve në periudhën nga shekulli VI e deri në atë XV. Nëpër stendat e muzeut gjenden mjaft dokumente, të cilat dëshmojnë për qëndresën e popullit shqiptar ndaj pushtimeve të huaja bizantine, anzhuine, serbe, osmane. Në vitrina të ndryshme janë paraqitur objekte origjinale të prodhimeve artizanale, monedha të principatave shqiptare, stema të princave arbërorë etj. Një vend të veçantë zë ekspozimi i një numri të madh veprash arti e arkitekturore si kalatë e Beratit, Shkodrës, Prizrenit dhe Durrësit. Në muze gjendet porta monumentale e Manastirit të Gjon Vladimirit në Elbasan me stemën e princit Karl Topia. Kjo portë daton në shekullin XIV. Po në këtë shekull kemi edhe Epitafin e Gllavenicës, i cili daton në vitin 1373 dhe është zbuluar në qilarin e një shtëpie të rrënuar në afërsi të Ballshit. Epitafi i Gllavenicës është i qëndisur me fije ari në mëndafsh të butë nga dora e murgut Savia me porosi të Gjergj Arianitit. Pavijoni i Rilindjes Kombëtare jep një pasqyrë të plotë të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor të Shqipërisë nga fillimi i shekullit XIX deri në prag të Shpalljes së Pavarësisë.

Epoka e luftërave të Skënderbeut paraqitet e lavdishme, sepse me emrin e tij, për 25 vjet me radhë, u frymëzua lëvizja antiosmane e botës së krishterë. Nëpërmjet objekteve të ekspozuara në stenda dhe vitrina, vizitori ka mundësi të njohë nga afër prodhimet e mjeshtrave artizanë shqiptarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë si në Shkodër, Prizren, Elbasan, Berat, Korçë etj. Një hartë paraqet grafikisht lidhjet tregtare midis qyteteve të vendit me ato të Ballkanit dhe më gjerë. Pavijoni i Pavarësisë çelet me veprimtarinë e Qeverisë Kombëtare të Vlorës dhe organizimi i shtetit të pavarur shqiptar. Më tej, vizitori nëpërmjet dokumenteve dhe hartave ka mundësi të njihet me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 lidhur me kufijtë e Shqipërisë, me pazaret e Fuqive të Mëdha në dëm të tokave shqiptare, me qëndrimet e prera të përfaqësuesve të Qeverisë Kombëtare të Vlorës, si dhe me protestat popullore në mbarë vendin për të kundërshtuar këto vendime. Në këtë pavijon një vend të rëndësishëm zë Lufta e Vlorës e vitit 1920 si dhe veprimtaria e qeverisë së kryesuar nga Fan Noli në vitin 1924. Pavijoni i Ikonografisë ka të ekspozuar një koleksion prej 65 ikonash të shekujve XIV-XIX, ku vizitori njihet me mjeshtrit e mëdhenj të ikonografisë shqiptare duke filluar me Onufrin, të birin Nikollën, Onufër Qipriotin, Kostandin Shpatarakun, David Selenicasin, Kostandin e Athanas Zografin, Mihal Anagnostin, vëllezërit Çetiri, Kostandin Jeremonakun e shumë autorë anonimë. Ikonografia lindi, triumfoi dhe u zhvillua bashkë me krishtërimin. Ikonat pikturohen mbi dërrasë dhe më pas vendosen në ikonostas sipas një renditje të caktuar.

Arti bizantin i pikturimit të ikonave i nënshtrohej rreptësisht kanoneve të kishës. Ikonografit nuk i lejohej të ndryshonte përmbajtjen dhe rregullat që përcaktonin kanonet e shenjta dhe tradita e kishës. Fytyrat e shenjtorëve që paraqiten nëpër ikona shprehin asketizëm dhe përulësi, sepse ata kanë qenë njerëz që kreshmonin, luteshin dhe bënin jetë të përkushtuar ndaj Perëndisë. Pavijoni i Etnokulturës paraqet kostume tradicionale shqiptare të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Ato i përkasin shekujve XIX-XX. Origjina e tyre është nga të gjithë trevat: kostume tradicionale të Tiranës, të Zadrimës, të Korçës, të Gjirokastrës, Kukësit, Labërisë, etj. Ky koleksion pasurohet me 32 kostumet arbëreshe të shqiptarëve të Italisë. Pavijoni i Etnokulturës shqiptare, u krijua në vitin 2005 dhe përmban rreth 250 objekte. Pavijoni i Luftës Antifashiste në të cilin paraqiten ngjarjet që nga Lufta e Vlorës (1920), duke vazhduar më pas me ngjarjet në vitet `20 -`30 pas ardhjes në pushtet në Itali të diktaturës fashiste të Benitto Musolinit.

Rëndësi i kushtohet Luftës së Spanjës dhe vullnetarëve shqiptarë që morën pjesë. Për herë të parë, në këtë pavijon zë vend edhe antifashizmi në Çamëri, organizimi i popullsisë së kësaj krahine në rezistencën antifashiste. Në pavijon ka shumë relikte të dëshmorëve apo heronjve të popullit, rënë në luftë kundër nazifashizmit italo-gjerman. Pavijoni i Antifashizmit ka rreth 220 objekte dhe është ngritur në vitin 2004. Pavijoni i Genocidit Komunist është çelur në vitin 1996 dhe përfshin ngjarje nga viti 1944-1991. Ky pavijon përmban 136 objekte. Në vitrinat e para të tij jepen fakte, foto e dokumente që paraqesin krijimin e forcave politike si “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti”. Në vazhdim vizitori njihet me denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes nga këto forca nacionaliste. Vend të gjerë më pas zë pasqyrimi me shumë dokumente e foto i operacioneve të spastrimit të forcave antikomuniste, gjyqi special ndaj kundërshtarëve politikë të kohës së luftës, si dhe likuidimi i opozitës antikomuniste. Në vitrina vizitori njihet edhe me relikte të shumta të personave të dënuar apo të pushkatuar nga regjimi i kohës.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB