Duke filluar nga 1 tetori, pra sot, pensionet do të indeksohen me 4.1% bazuar në llogaritjen e INSTAT të indeksit mesatar vjetor të muajit gusht 2024 për mallrat e shportës për pensionistët. Në një intervistë për mediat, Astrit Hado, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka dhënë më shumë detaje. “Të gjithë kategoritë e përfituesve që trajtohen nga instituti i institutit të sigurimeve shoqërore ku përfshihen të gjithë pensionet e pleqërisë, fshat-qytet, urban-ruralë, të gjithë pensionet e invaliditetit, urban e rural, të gjithë pensionet familjare, të gjithë trajtimet e veçanta siç janë për ish minatorët e nën tokës, për ish-punonjësit e industrisë ushtarake, ish-pilotët fluturues, ish-lundërtarët e nëndetëseve”, deklaroi ai.
Sipas të dhënave të bëra publike nga rritja e pensioneve është parashikuar të përfitojnë rreth 791,257 përfitues që marrin pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara dhe pensione të parakohshme të pleqërisë, pensione të invaliditetit, pensione familjare si dhe pensione që rrjedhin nga skema suplementare dhe trajtimet e veçanta. “Vetëm pensione pleqërie invaliditeti dhe familjar që është skema e detyrueshme janë 721 mijë diku 700 mijë veta të cilët në këtë numër futen edhe ata që dalin në pension deri në 31 dhjetor dhe janë rreth 68 mijë janë pensionet suplementare trajtime të veçanta dhe shtresa të ndryshme”, shprehet Hado.
Shembujt
Për këtë jep edhe një shembull, duke llogaritur nje pension në masën 200 mijë lekë të vjetër. “Atëherë është 4.1% dhe i bie 8200 leke të vjetra, që do rritet por duhet të kemi parasysh dhe të kuptojmë që në fakt indeksohet masa e pensionit, jo totali i të ardhurave. Ndërhyrje ka masë pensioni dhe total të ardhurash sepse ka një serë kompensimesh që jep qeveria të cilat nuk janë të natyrës kontributive, por po themi gjithë pensionistët që kanë dalë para 2014 kanë një 50 lekësh të rinj, 5 mijë të vjetra, që e marrin për kompensim energjie elektrike dhe bukë, janë disa kompensime ngarkesash, janë disa kompensime të ardhurash, 760 lekë, 820, 200, janë disa kompensime për energjinë elektrike domethënë pensionistët që jetojnë vetëm, ose jetojnë një çift pensionistësh të cilët nuk i kanë në certifikatë fëmijët ata marrin gati 12 mijë e 880 lekë të vjetra, marrin kompensim energjie këto nuk indeksohen”, tha ai.
Si ndodh indeksimi?
Ndërkohë Hado shpjegon se si ndodh indeksimi i pensioneve.“Indeksimi është një detyrim ligjor i skemës së sigurimeve shoqërore të bëjë indeksim 1 herë në vit, pse? Sepse çmimet ndryshojnë, inflacioni ka ritmin e vet, dhe e kemi përcaktuar me vendim qeverie, kemi përcaktuar që pensionistët të indeksohen me indeksin e çmimit të konsumit të një shporte mallrash dhe shërbimesh që i konsumojnë pensionistët, pse është bërë kjo?
Mund të kemi inflacion në ndërtim ose arsim gjë që pensionistët nuk e konsumojnë, dhe me vendim qeverie është përcaktuar që ushqimet zënë diku të 60% të buxhetit të pensionistit dhe çdo ndryshim në ushqime e reflekton. Kjo duket këtu p.sh indeksi i çmimit të ushqimeve të konsumit të totalit të popullatës në gusht 2024 ishte 2.4% ndërsa për pensionistët është 4.1% sepse një pjesë e atyre mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët janë rritur më shumë. Nuk reflektohet të themi ka rënë çmimi i karburantit, aktualisht ka rënë, kjo e ul indeksin e çmimeve për popullatën, por tek pensionistët nuk ndikon pasi pensionistët nuk e konsumojnë”, thekson ai.
Përllogaritja
Ndërkaq zoti Hado zbulon se masa 4.1 përqind vendoset bazuar në të dhënat e INSTAT. “Këtë indeks nuk e llogarit instituti i sigurimeve shoqërore, këtë indeks e llogarit INSTATI dhe e llogarit çdo muaj deri në datën 10 INSTAT e llogarit indeksin e çmimeve për çdo muaj. E vërteta është që nga janari e këtej indeksi ka rënë, për shkak të rënies së inflacionit dhe stabilitetit të çmimeve ky indeks ka rënë, p.sh në janar ka qenë më i lartë, ka qenë gati 5.8 %, vjet në tetor ka qenë 8.6% që ne indeksuam me 8.6%, shtoi ai.
Po ashtu, sipas tij, në indeksim ndikon niveli i çmimeve. “Stabilizohen çmimet, bien çmimet, kanë rënë çmimet e karburanteve kanë rënë, çmimet e një serë ushqimesh kanë rënë, mund të jenë rritur çmimet e banesave, dhe çmimet e banesave nuk ndikojnë tek pensionisti sepse pensionisti nuk blen shtëpi përgjithësisht sepse ose e ka shtëpinë ose nuk ka mundësi të blejë shtëpi. Këtë llogarit INSTAT-it, në korrik ishte 4.2, tani është 4.1, në shtator jam i bindur që do bjerë prapë indeksi i çmimeve dhe ky është një indeks i përcaktuar nuk varet nga vullneti as i INSTAT-it as i ISSH. Në ligj është thënë që do llogaritet indeksi i çmimeve dhe indeksi i çmimeve llogaritet kështu në fakt.
Merren çmimet e gusht 2023 me gusht 2024 dhe krahasohen me çmimet e gusht 2022 dhe gusht 2023, pjesëtohen këto dhe ky është indeksi. Dhe shtrohet pyetja a është ky indeksi më i mirë që mund të përdoret, ka disa mënyra si indeksohen pensionet në fakt dhe praktikat e vendeve të ndryshme janë, dhe ka vende që e indeksojnë si neve, ka vende që i indeksojnë në indeksin e pagave, ka vende që bëjnë një formulë miks që e bëjnë gjysmë kështu”, thotë ai.
Varianti më i mirë
Nga ana tjetër, Hado flet edhe për variantin më të mirë. “Në këtë moment që po flasim dhe me këtë rritje pagash që iu bë ndoshta do ishte më mirë që të indeksohej me indeksin e pagave, sepse pagat u rriten me 10 apo 15%. Por po të kem parasysh që për nja 7 a 8 vjet ne nuk i rritëm pagat, nëse do kishim përdorur këtë metodë indeksi ata do rrinin 7 a 8 vjet pa u indeksuar pensioni. Ndërkohë vjet apo parvjet nuk u rritën pagat, në 2022 nuk u rritën pagat, ama pensionet u rritën 9.5%, kështu që varet nga momenti”, nënvizoi Astrit Hado, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka dhënë më shumë detaje.