Legalizimet kanë qenë përgjatë gjithë kësaj dekade kali i betejave elektorale të mazhorancës socialiste, ndërkohë që ajo ka dhënë sinjale të qarta se do të jetë e tillë edhe për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Lidhur me këtë eksperti i ekonomisë Gjergj Buxhuku, i ftuar në një studio televizive, u shpreh se numri i lartë i ndërtimeve pa leje tregojnë dështimin e shtetit. Ai tha se legalizimet mbahen peng për ti përdorur si hangar votash në zgjedhje, ndërsa shumë kompani e përdorin legalizimin për të shtuar fitimet.
Sipas tij shumë ndërtues po abuzojnë me hapësirat e përbashkëta dhe se këto ndërhyrje prodhojnë subjektivizëm duke shtuar dhe risqet për korrupsion.
“Mendoj që të flasësh pas 34 vitesh për qindra, mijëra shtëpi që presin të legalizohen tregon se Shqipëria ende nuk është formuar si shtet sepse prona private është baza e çdo shteti pavarësisht regjimit. Që të diskutohet pas 34 vitesh legalizimet që presin tregon se ti s’ke mundur të ndërtosh shtet dhe e dyta ti tregon se e mban peng ndërtimin e shtetit për vota politike.
Kemi të bëjmë me momentin e shtet formimit, këtu qartësisht pjesa e legalizimit tregon qartë se Shqipëria nuk është formuar dot si shtet. Këto që ti i mban peng i mban me qëllim për ti përdorur si hambar votash. I lë peng, varur dhe i nxit me qëllim të ndërtojnë në mënyrë të paligjshme që nesër ti mbash varur të japin votën ty. Brenda kësaj paligjshmërie të madhe, por një pjesë e madhe tek kjo pjesa e legalizimit nuk janë më nevojtarë, janë thjeshtë individë, kompani të cilat përmes legalizimit dëshirojnë të shtojnë pasuritë e tyre.”
Më tej ai shton se ka informacion se kompani të caktuara kanë ndërtuar pa leje duke zaptuar toka shtetërore dhe më pas janë futur në leje, por sipas tij legalizmi nuk është për luksin, por për nevojtarët.
“Ky fenomen ka ardhur duke u shtuar, madje në mes të Tiranës ke kullën e ndërtuar 7 kate para bashkisë, para policisë, përfituan nga procesi i legalizimit. Me këtë proces legalizimi kanë ndërtuar tarraca dhe pastaj i shisnin dhe tarracat, këto janë hetime që duhen hapur. Pra janë shitur pasuri që i takojnë komunitetit sic janë tarracat e pallateve.
Agjencia legalizimit për mua duhet të ishte mbyllur sepse s’ka më sens. Shqipëria nqs ka faqe të errët për të treguar qëllimin keqëdashës të politkkave të ndjekura në këtë vend është pushtimi dhe legalizimi i tokave. Nëse mendon se ke 270 mijë ndërtesa sot që presin të legalizohen do të thotë se ke 270 mijë vota pro.
Kjo është strategji për të mbajtur varur njerëzit për ti marrë nesër votën, por ka dhe aspekte të gjera korrupsioni, boshllëqe ligjore për të luajtur me subjektivizëm. Janë legalizuar prova që nuk duhet ti nënshtrohen legalizimit.”