MENU
klinika

Vulin trondit me deklaratat

Serbia gati të “sakrifikojë” integrimin europian

14.10.2024 - 13:00

Serbia duket e vendosur në rrugën e saj drejt BE, por në të njëjtën kohë duket po aq e palëkundur edhe për të mos njohur Kosovën, midis të cilave duket se do të duhet të bëjë një zgjedhje, pa dyshim të vështirë. Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe u pranua si një vend zyrtar kandidat në vitin 2012, por që atëherë, pak përparim është bërë drejt anëtarësimit në bllok me Serbinë e Vuçiçit, një vend që ai e ka udhëhequr që nga viti 2017, shpesh i akuzuar për rrëshqitje drejt autoritarizmit. Përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend kanë thënë vazhdimisht se janë ndjerë të tradhtuar nga qeveria e tyre dhe Brukseli për dështimin për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në BE. Kushti kryesor që Serbia të përmbushë është që ajo duhet të ndalojë pengimin e përpjekjeve të Kosovës për t’u bashkuar me organizatat kryesore ndërkombëtare, si OKB-ja, Këshilli i Evropës dhe NATO. Megjithatë, Serbia ka refuzuar ta njohë Kosovën që kur shpalli pavarësinë në vitin 2008. Deklaratat e “qenit besnik” të Vuçiç, Vulin, duket se tregojnë se Serbia po e “peshon” nëse integrimi europian ia vlen.

Deklaratat e Vulin

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi së fundmi se BE-ja asnjëherë nuk e ka përmbushur premtimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e ZSO-së, prandaj, siç thotë ai, ka humbur besimin në Bruksel dhe institucionet evropiane. Ai ka thënë se Serbia kurrë nuk do ta përmbushë pritjen kryesore evropiane – njohjen e pavarësisë së Kosovës, transmeton RTV. “Kur fillova negociatat teknike me BE-në dhe kur njoha BE-në nga brenda, u bëra një euroskeptik. Figurat kryesore atje nuk janë të ndershëm. Ata nuk kanë një qëndrim të ndershëm kur bëhet fjalë për pranimin”, tha Vulin për Berliner Zeitung përpara samitit që do të mbahet në dhjetëvjetorin e konferencës së parë të Ballkanit Perëndimor në Berlin. Ai pyeti se përse Serbisë vazhdimisht i vihen kushte që nuk mund t’i përmbushë dhe tha: “Na thoni thjesht: nuk ju duam”. Ai thekson se Serbia ka marrë rrugën evropiane dhe se ky është mendimi i shumicës së politikës serbe, por se edhe në Gjermani mendimi i shumicës së politikanëve shpesh ndryshon nga opinioni i qytetarëve. “Unë personalisht jam euroskeptik, ashtu si të paktën 30 për qind e gjermanëve, si dhe disa milionë qytetarë të BE-së që besojnë se Bashkimi Europian nuk duhet të jetë një koleksion territoresh”, thekson ai.

“Sakrifikimi” i integrimit europian

I pyetur nëse mund ta imagjinonte anëtarësimin në BE me kusht që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Vulin theksoi se njohja e Kosovës është krejtësisht e papranueshme për Serbinë. “Është territori serb që na është vjedhur. Tani nuk mund të thuhet: ‘Gjëja më e rëndësishme është që serbët që jetojnë atje të qetësohen dhe t’u jepen disa të drejta’. Evropa nuk kursen as para dhe as mjete të tjera për të rivendosur kufijtë e Ukrainës. Pse nuk vlen kur është fjala për Serbinë?”, thotë Vulin. Duke kujtuar se Evropa dhe NATO dikur garantonin mbijetesën e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe pastaj papritur u krijua aleanca e Serbisë dhe Malit të Zi, kështu që edhe aleanca pushoi së ekzistuari, Vulin shtroi pyetjen “pse çdo gjë bëhet gjithmonë në dëm të Serbisë”. Ai po ashtu ka kujtuar se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën.

Plani i Rritjes

Ironikisht, deklaratat vijnë në një kohë kur Bashkimi Evropian është shumë afër t’i përmbyllë procedurat e miratimit të agjendave të reformave, të cilat i kanë paraqitur vendet e Ballkanit Perëndimor, si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh. Përfituese të Planit – që u miratua nga BE-ja në maj – janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia. Kjo e fundit është përfituesja më e madhe e vendeve të Ballkanit. Serbisë do t’i ndaheshin gjithsej 1.58 miliard euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 111 milionë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat