“Unë do të ndaloj luftërat”, ishte ky një nga zotimet që Donald Trump riktheksoi gjatë fjalimit të tij ku shpalli fitoren si president i Amerikës.
Duke iu referuar presidencës së tij të mëparshme, ai pohon: “Nuk kemi pasur luftëra, për katër vjet nuk kemi pasur luftëra, përveçse kemi mundur ISIS-in. Ne mundëm ISIS-in në kohë rekord, por nuk patëm luftëra. Ata thanë “ai do të fillojë një luftë”. Unë nuk do të filloj luftë, do t’i ndaloj luftërat.”
Ndërsa mbante fjalimin, Trump ka marrë edhe urimet e para nga arena ndërkombëtare. Ka qenë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu që e ka uruar dhe po ashtu kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
“Të dashur Donald dhe Melania Trump, Urime për rikthimin më të madh në histori!
Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës.
Kjo është një fitore e madhe!
Miqësisht, Benjamin dhe Sara Netanyahu”, shkruan kryeministri izraelit.
Ndërsa Orban shkruan në X: “Rikthimi më i madh në historinë politike të SHBA-ve! Urime Presidentit Donald Trump, në fitoren e tij të madhe. Një fitore shumë e nevojshme për Botën!”.