MENU
klinika

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

20.11.2024 - 15:44

Muzeu Historik Kombëtar dhe Bashkia Përmet me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së Mary Edith Durham, hapën ekspozitën me titull “Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve (1863-1944)”.

Ekspozita “Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve (1863-1944)”, e ideuar dhe kuruar nga Muzeu Historik Kombëtar, përmban foto dhe skica të realizuara nga vetë Edith Durham-i gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare. Para pak ditësh drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, ndau lajmin se së shpejti në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar do të ekspozojnë për publikun beratas riprodhime të vizatimeve që Edit Durham ka realizuar gjatë udhëtimeve të saj në trojet shqiptare.

Muzeu Historik Kombëtar disponon një ekspozitë lëvizëse me riprodhime të vizatimeve të saj dhe në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta të antropologes, punët e saj do të ekspozohen në Berat. Për kontributin e Edith Durham-it në mbrojtje të Shqipërisë pranë qeverisë britanike, përfaqësues të qytetarëve të Beratit në vitin 1918, i dhuruan asaj një jelek të qëndisur me ar nga artizanët e qytetit. Sot, ai jelek kaq i çmuar qëndron i ekspozuar në Bankfield Museum në Halifaks të Britanisë së Madhe, si një dëshmi e mjeshtërisë së lartë që ekzistonte në Berat, në punimin e veshjeve aristokrate, ku bie në sy sasia e madhe e arit me të cilin janë realizuar zbukurimet.

Edith Durham (1863-1944) ishte 37 vjeçe kur ndërmori udhëtimin e saj të parë në Ballkan më 1900. Për 14 vjet me radhë ajo do të kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe të angazhimit të saj intelektual dhe politik në udhëtimet nëpër Ballkan. Përvoja dhe materiali i mbledhur gjatë këtyre udhëtimeve përbëjnë ndoshta koleksionin më të pasur të kulturës popullore dhe sociale të mbledhur nga ndonjë udhëtar i huaj gjatë kësaj kohe. Pjesa më e madhe e tyre janë veshje popullore të blera gjatë udhëtimeve në Shqipëri. Ashtu si dhe udhëtarë të mëparshëm britanikë që kishin shprehur admirimin për veshjet shqiptare, edhe ajo do të shprehej: “Qëndisjet me ar nuk mund t’i gjesh asgjëkund si në Shqipëri, dyqanet e rrobaqepësve janë një shkëlqim i mahnitshëm i ngjyrave dhe modeleve.”.

LETËRKËMBIMET

Po ashtu, duhet theksuar se “Mbretëresha e Maleve” shqiptare njohu nga afër dhe ka pasur letërkëmbime me shumë prej personaliteteve të shquara të vendit tonë, si me Ismail Qemalin, Kristo Dakon, Dervish Himën, Mit’hat Frashërin, Pandeli Evangjelin, Faik Konicën, Lef Nosin, Mehmet Konicën, motrat Qiriazi, Aqif Pashë Elbasanin, Hil Mosin, Hoxhë Kadrinë, Bajram Currin etj..

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite në ambientet e Qendrës Kulturore Multifunksionale “Odhise Paskali”, Përmet përshëndeti kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha dhe profesor Kastriot Bezati. Edith Durham e kishte origjinën prej një familjeje të madhe dhe të pasur nga veriu i Londrës. Ajo ishte më e madhja prej tre vëllezërve dhe gjashtë motrave, të cilët qenë të suksesshëm në karrierat e tyre. Vetë Edithi përfundoi “Bedford College” në Londër (1878-1882) dhe më pas studioi për pikturë dhe vizatim në Akademinë Mbretërore të Arteve.

UDHËTIMET

Udhëtimi i parë u bë përgjatë 1900-1901. Pas vdekjes së të atit, Durhamit iu desh që për vite me radhë të kujdesej për nënën e sëmurë. Në moshën 37-vjeçare, me këshillën e mjekut, ajo shkoi për pushime jashtë vendit, për t’u qetësuar. Me anë të rrugëve detare, u nis nga Anglia për në brigjet e Dalmacisë dhe e vazhdoi udhëtimin për në Trieste e Kotor, ndërsa në fund shkoi në Cetinjë, kryeqyteti i Malit të Zi. Kjo pjesë e vogël dhe e harruar e botës do t’i linte mbresa të thella.

Udhëtimi i dytë në 1902-1903. Pasi kishte mësuar pak serbisht dhe shumë më tepër për historinë e Ballkanit, Durhami bëri një udhëtim në Serbi, për të mbledhur të dhëna për librin e saj të parë, “Përmes trevave të serbit” (Through the Lands of the Serb), Londër 1904. Në libër përfshihen edhe rrëfimet për vizitat e saj në Shkodër dhe në Kosovë. Duhet theksuar se ato udhëtime kërkonin guxim dhe këmbëngulje të madhe, sidomos për një femër që udhëtonte vetëm. Udhëtimi i tretë gjatë vitit 1904. Në fund të vitit 1904 ajo u kthye për një qëndrim pesëmujor në Ballkan, ku punoi për Komitetin Humanitar Maqedonas. Mbresat e këtij udhëtimi përshkruhen në librin “Brenga e Ballkanit” (The Burden of the Balkans), Londër 1905. Në libër përfshihen edhe rrëfimet e udhëtimit të saj të parë në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme – nga Manastiri në Korçë, Leskovik, Përmet, Pojan, Berat, Mirditë, Tepelenë, Elbasan e Shkodër.

Udhëtimi i katërt (1906-1907). Në vitet 1906-1907 udhëtoi në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë për të mbledhur materialin etnografik që u botua shumë më vonë në librin e saj “Disa prejardhje fisnore, ligje dhe zakone të Ballkanit” (Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans), Londër 1928. Udhëtimi i pestë (1908). Në verën e vitit 1908, ajo ndërmori një udhëtim tjetër në Malin e Zi dhe prej aty shkoi në Shkodër dhe pastaj, përmes Malësisë së Veriut, shkoi në Kosovë. Këtë udhëtim e ka përshkruar në librin e saj më të njohur, “Shqipëria e Epërme” (High Albania), Londër, 1909.

SËMUNDJA

Udhëtimi i gjashtë i Durham u bë në vitin 1911-1913. Ngaqë u sëmur rëndë nga malaria, Edith Durhami e kaloi dimrin e vitit 1910 në Egjipt, ndërsa një vit më vonë u kthye në Shkodër dhe u strehua në familjen Shantoja. Libri “Lufta për Shkodrën: turq, sllavë e shqiptarë” (The Struggle for Scutari: Turk, Slav and Albanian), Londër 1914, përqendrohej në rrethimin e përgjakshëm malazez të Shkodrës, në kohën e pavarësisë së Shqipërisë. Udhëtimi i shtatë (1921). Për herë të fundit erdhi në Shqipëri në vitin 1921, ku u takua me Fan Nolin.

Mary Edith Durham do të mbetet përgjithmonë si një grua e rrallë dhe një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe e dashur. Nga dita që ajo shkeli në tokën shqiptare, u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti dhe vlerat morale të shqiptarëve. Madje, edhe vetë u tregua shqiptare me zemër e me shpirt. Kjo është arsyeja pse të gjithë shqiptarët e nderojnë, e respektojnë dhe e kujtojnë si bijën e tyre. Dhe jo më kot i kanë dhënë titullin e lartë “Mbretëresha e Maleve”. Prej kohësh ajo është pjesë e historisë së Shqipërisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ekspozitë e përbashkët Shqipëri-Kosovë

“Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve (1863-1944)”


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB